Kemi humbur 21 % dhe jo 7% të sipërfaqes pyjore

Postuar në 03 Gusht, 2015 14:21
Arben Demo

U bë tashmë zakon për sektorin e agjitpropit dhe mediat që të jepen shifra të politizuara dhe jo sipas statistikave shkencore e reale. Shqiptarët duhet të dinë të vërtetat mbi ecurinë e vendit dhe rezultatet reale të politikave qeveritare, e jo më pak të interesuara duhet të jenë dhe vetë strukturat qeveritare e ato parti që na qeverisin.
Para pak ditësh Julian Beqiri, Drejtor i Agjencisë kombëtare të Mjedisit deklaroi se sipërfaqja e mbuluar me pyje e vendit është ulur në 26% nga 33% që ishte para 10 viteve. Mbi këto të dhëna nxirret në mënyrë absurde përfundimi që sipërfaqja e pyjeve është zvogëluar me 7% (nuk jemi në gjendje të themi se ky interpretim i shifrave është i Agjencisë apo i gazetës).
Opinioni publik lipset të informohet plotësisht për këtë gjendje dhe me hollësira për shtrirjen territoriale të dëmtimeve dhe mbi të gjitha si ka ndryshuar fondi pyjor në vite nga 1991 deri 2015, në përqindje të sipërfaqes së vendit dhe hektarë. Dimë se në fillim të tranzicionit ishim diku rreth 36% të sipërfaqes së vendit e rreth 1.04 milion Ha.
Ka ardhur koha që shqiptarët ta kuptojnë se gjendja e pyjeve është katastrofike dhe çdo vonesë në marrjen e masave të duhura do të jetë me pasoja të pariparueshme. Masat duhet të jenë urgjente dhe drastike si në aspektin e penalizimit të dëmtimeve, ashtu dhe nevoja për një moratorium tërësor apo pjesor, për një kohë, të prerjeve në pyjet e Shqipërisë (të lejohet vetëm atje ku mund të pritet por duke kontrolluar) . Kuptohet që kjo masë do të shoqërohet me ndalimin e përpunimit të lëndës vendase dhe eksportin e tregtimin e saj këtu.
Një gjë e tillë kërkon që ky aktivitet i rëndësishëm ekonomik vendas që të mund të vazhdoj, duhet të balancohet duke lehtësuar importin e lëndës drusore dhe nënprodukteve të saj për nevojat e industrisë së përpunimit dhe ato të konsumit vendas, pra duke mos penalizuar konsumin dhe eksportin, me pasoja punësimin. Duhen pra masa fiskale që mundësojnë realizimin pa pasoja të këtij moratoriumi (si heqja e TVSH-së dhe lehtësira të tjera fiskale krahas subvencioneve).
Kjo masë do të ishte e mangët në se nuk do shoqërohej me një politikë të studiuar dhe të mjaftueshme pyllëzimi për të rimëkëmbur pyjet (të kuptohemi jo me palma), si dhe me mos tjetërsimin e sipërfaqeve pyjore të dëmtuara.
Është jashtë çdo dyshimi për ne që janë strukturat përgjegjëse ato që mund ta analizojnë më mirë gjendjen dhe masat e nevojshme që duhen marrë si dhe ndërhyrjet në legjislacion për të mbrojtur pyjet nga keqbërësit, duke informuar me vërtetësi opinionin publik edhe për tu ndërgjegjësuar ai.

Arben Demo
Tiranë 2.8.2015

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.