Katrahura e një vendimi për lejet profesionale në fushën e hidrokarbureve

Postuar në 07 Korrik, 2015 13:19
prof.dr. Gjergji Foto

Katrahura e Vendimit Nr. 551dt. 18.6.2015 “PËR MIRATIMIN E KRITEREVE DHE TË PROÇEDURAVE PËR PAJISJEN ME ÇERTIFIKATËN E LEJES PROFESIONALE PËR VEPRIMTARITË STUDIMORE-PROJEKTUESE DHE ZBATUESE PËR KËRKIMIN, PRODHIMIN, PËRPUNIMIN, TRANSPORTIMIN, DEPOZITIMIN DHE TREGTIMIN E LËNDËVE HIDROKARBURE”

 

Që të vlerësohet se çfarë përmban në katër fletë Vendimi në fjalë, i cili tashmë është firmuar nga Kryeministri z. Edi RAMA, pas firmës së Ministrit z. Damian Gjiknuri, dhe që pret të dalë në fletoren Zyrtare, po bëjmë një paraqitje skematike jo me shumë fjalë por në trajtë më të qartë për të gjithë, specialistë nafte ose jo. Secili pastaj mund të nxjerrë përfundime me vlerë për punën, njerëzit që kanë bërë këtë punë dhe të parashikojë se si do të jetë ecuria e këtyre punëve në të ardhmen. Besoj se  kjo do të shërbejë për të korrigjuar sa më parë situatën alarmante me problemet e naftës që sipas mendimit tim por jo vetëm, janë pasojë e paaftësisë së theksuar dhe pse jo, edhe mëndjemadhësisë të të emëruarve në këto poste, të cilët vazhdojnë të besojnë se përderisa i ka emëruar partia, duhet patjetër të kenë qenë të aftë të zgjidhin çfarëdo problemi por edhe më të mirët “në tregun e punës”. Nuk e kuptojnë të varfrit që puna e tyre përqeshet ç’do ditë dhe revolton ata që e bënë naftën të kontribuonte fuqishëm në pasurimin e gjithë  popullit dhe vendit me rezultatet e punës ë tyre. Bashkë me këtë kategori nëpunësish dhe “shefash”, nuk janë më pak kritike mendimet tona për papërgjegjshmërinë e qeveritarëve dhe deri Kryeministrave, që më e pakta gjë që mund të thuhetpër ta, është paaftësia, papërgjegjshmëria për fatet e vendit dhe rendësinë e veçantë të aseteve që zotëron sot ky vënd që ata kanë marrë përsipër të menaxhojnë dhe mirëadministrojnë për të mirën e këtij populli. Pikërisht kjo situatë, ka zhvlerësuar dhe zhvlerëson ditë pas dite dhe vit pas viti, përpjekjet e studentëve që vijnë të mësojnë gjeologjinë dhe naftën, duke u hequr atyre pikërisht motivin. Gjëndja e shkollave që mësojnë punët në naftë, e tregon mjaft mirë këtë situatë.

Më parë, po vemë në dukje se ky vendim, del 25 vite pas transformimit të ekonomisë së centralizuar në ekonomi tregu, gati 10 vite pas formulimit të së ashtuquajturës “Strategjia e Zhvillimit të Industrisë Hidrokarbure”(2006), se bazohet mbi nenin 100 të Kushtetutës (e cila është miratuar qysh në vitin 1998), dhe të ligjit Nr. 9946 dt. 30.6.2008, sipas pikës 5 të  nenit 4 të tij “Për sektorin e Gazit natyror” (Pse gazit?!) të ndryshuar dhe pas propozimit të  Ministrit aktual të Energjisë dhe Industrisë të emëruar vetëm  para dy vitesh.

Pra, nënvizoni se çfarë thamë: “Ka 25 vite që gjendemi nën aktivitetin e ligjeve të tregut të lirë”.

Natyrshëm lindin disa pyetje, përgjigjen e të cilave mund ta japin jo vetëm naftëtarët por të gjithë.

Shkurt:

1) Pse janë vonuar kaq shumë vite këto elementë themelorë të ekonomisë së tregut? Dhe pyetja që po e lëmë qëllimisht pa përgjigje, që secili t’a gjejë vetë përgjigjen. Pra kush ka pasur interes?Gjithë përvoja e grumbulluar në naftë gjatë viteve të përkushtimit maksimal dhe sakrificës së specialistëve dhe naftëtarëve, nuk u ftua nëpërmjet liçensimit individual, të përfshihej në ekonominë e tregut të lirë, duke e përjashtuar kontributin e tyre për mbarëvajtjen e industrisë së naftës. Përveç kësaj, në disa raste, pati “marrëveshje” individuale të fshehta për shitje të informacionit të interesuarve, në të cilat u përfshinë edhe vetë nëpunësit e shtetit. Kësaj “strategjie” i shërbeu sidomos “zhdukja” nga tregu e Institutit të naftës dhe gazit (2006) atij gjigandi pune dhe veprimtarie gjeologjike e teknologjike që i solli vendit rreth 500 milionë tonë rezerva nafte dhe mbi 10 miliardë metër kub gaz natyror që i dhanë ekonomisë drejtpërdrejt rreth 55 milion tonë naftë dhe disa miliarda metër kub gaz natyror, zhdukje që erdhi natyrshëm pas shndërrimit të tij në një institucion me financime vetëm nga buxheti i shtetit, që i detyroi shumë nga specialistët e zotë t’ia mbathin jashtë shteti e ca, të hyjnë në marrëveshje të jashtëligjshme me investitorët e huaj, duke braktisur interesat e vendit për interesa të tyre.

Ja pra, pas 25 vitesh të ekonomisë së tregut, MEI, kujtohet për të formuluar një ligj për licensimin individual të  punës në naftë, kur ka dhjetëra vite që është kërkuar dhe nuk është bërë.

Vazhdojmë më tej:

2) Çfarë janë Liçensat tashmë të vendosura për t’u shpërndarë?

Katër faqe vendimi  dhe dy anekse shpjeguese në dhjetë faqe, mundet të paraqiten fare shkurt në një tabelë të thjeshtë, me bindjen që gjërat dalin më të qarta:

Dhe vijmë konkretisht:

1) Çfarë kuptohet me termin “Lëndë Hidrokarbure” (LHK)?

•             Nafta dhe Gazi si lëndë e parë? Pra sa dalin nga puset e shfrytëzimit? Bitumi natyror?

•             Lëndët që dalin pas përpunimit kimik të naftës bruto; që nënkupton pas rafinimit e që shiten për përdorim publik si karburante (benzol, benzinë, gazoil, dizel) apo si lëndë djegëse (vajguri), vajra lubrifikante apo bitumet?

E dini se per çfarë bën fjalë liçensa tuaj?

2) Termi “Kërkim i LHK” çfarë përmbledh?

Sipas specialitetit, kërkimi i HK, është proçesi më kompleks dhe një bashkëpunim i dhjetëra disiplinave të shkencave të gjeologjisë (rilevim, sedimentologji etj etj.), gjeofizikës, gjeokimisë, fizikës, elektronikës, informatikës etj etj, secila prej tyre me aftësi zgjidhëse të përcaktuara mjaft qartë dhe me zhvillime krejt të pavarura nga njera tjetra. Kërkimi i naftës dhe gazit, është një proçes sinergjik, rezultat i vërtetimit të pranisë së të paktën dhjetë faktorëve kyç, (për secilin specialitet i veçantë) dhe rezultati do të jetë pozitiv vetëm kur të dhjetë faktorët kanë probabilitetin të barabartë me 1dhe kur të dhjetë specialistët pjesëmarrës vlerësohen krejtësisht me aftësinë maksimale zbuluese?

Dhe  që këtu, a mund të ofrohet liçensë individuale për kërkim të LHK?

3) Pas vlerësimit të pranisë së dhjetë faktorëve kyç dhe aftësisë, me probabilitetin përkatës, por asnjëherë në vlerën 1,  vendoset në se do shpohet apo jo një ose disa puse kërkimi. Riskun e zbulimit, e merr Financuesi i kërkimit, i cili në asnjë rast nuk ndodh të investojë me mendimin e një të liçensuari nga ky vendim që kemi përpara.

4)Ende nuk dimë, në se bëhet fjalë për prodhim nafte apo karburantesh. Në rastin e karburanteve çfarë do të zhvillohet? Ndërsa pas zbulimit të një grumbullimi të LHK (naftë&gaz), kalohet në fazën e zhvillimit të zbulimit të sapo kryer, ku zakonisht shpohen puset e zhvillimit por ende nuk kalohet në fazën e prodhimit. Si të thuash, asnjë prodhues nuk mund të bëjë shpenzimet përkatëse për ngritjen e kantierit të prodhimit (nxjerrjes), pa qenë i bindur për suksesine fazës së zhvillimit. Dhe këto, janë teknika që përkojnë me kërkimin dhe nuk kanë të bëjnë me prodhimin e naftës apo gazit. Pastaj,

5) Vijmë te kategoria e tretë, Përpunimi i LHK. Në specialitetet e naftës, me termin përpunim kuptojmë procesin e nxjerrjes së rezervave të naftës apo gazit në mënyrën më efektive, dmth, teknologjinë që siguron nxjerrjen maksimale të rezervave të naftës, me koston më të ulët dhe ky është një proçes që bazohet mbi projekte shkencore. Por jashtë specialiteteve të nxjerrjes së naftës, përpunim i naftës quhet edhe proçesi i veçimit të produkteve të naftës, karburante etj, që bazohet në shkencën e kimisë së naftës,  ose shkencës së Kimisë Organike. Fusha, që nuk kanê të bëjnë fare me njera tjetrën.

6) Së fundi, po! Transportohen si nafta bruto, si gazi shoqërues apo në gjendje natyrore, po ashtu edhe të gjithë llojet e karburanteve. Për kë është fjala? Ndryshojnë  shumë njeri nga tjetri si teknika transporti, masa sigurimi, etj etj. Nuk ka specialist që të dijë të bëjë të dyja veç pompistëve. Kështu trajtohet edhe tregëtimi. Përfshihen shitjet në karburante apo të lëndës së parë bruto, naftë dhe gaz?

7) Por cilat janë liçensat për secilën kategori? Janë përdorur terma dhe emërtime kurrë të pa dëgjuara në punët e naftës. Megjithatë, në kërkim, zhvillim dhe prodhim të naftës dhe gazit, midis nesh, kemi përdorur termin “projektues” por jo si kategori punësimi. As bëhet fjalë për emërtimin “Mbikëqyrës” në fushën e naftës dhe gazit përveç “Këshillave Mbikëqyrëse”. Aq më pak Kolaudues, Monitorues etj.

8) Dhe “nderi” që i bëhet punës së  “Drejtuesi Teknik”, i cili me këtë katrahurë emërtimesh do t’i duhej të bënte gjithçka.

9) Dhe e fundit  që pas gjithë kësaj rrëmuje termash dhe kategorish Komisioni Vlerësues, drejtohet nga MEI, me katër “specialistë” që kanë njohuritë që sapo treguam dhe kur ata që normalisht e kanë për detyrë të shpjegojnë terma dhe kategori, të paktën për naftën dhe gazin, Fakulteti i Gjeologjisë kanë vetëm një dhe atë e vendos Rektorati i Universitetit Politeknik të Tiranës (bashkësi e të paktën 5 fakulteteve),  AKBN, bashkësi specialistësh edhe nafte vetëm një, një nga Universiteti i Tiranës (bashkësi me mbi pesë fakultete të ndryshëm), dhe çuditërisht “dy ekspertë hidrokarbur” (nga dalin këta)?

Ja pra katrahura e këtij vendimi por që e sigurtë është se autorët nuk njohin as industrinë e naftës dhe as atë të përpunimit (rafinimit) të naftës apo industrinë kimike të prodhimit të karburanteve.  Me sa duket, nuk kanë pasur rastin të jenë as studentë të Fakultetit të Gjeologjisë e të Minierave por as edhe studentë të Fakultetit të Shkencave të natyrës, të Degës së kimisë industriale. Të dy grupimet, janë me shumicë në tregun e punës. Dhe presim reforma e suksese që nga kjo degë e rendësishme e industrisë nxjerrëse dhe përpunuese e naftës dhe gazit, populli të përfitojë maksimumin e mundshëm. Para investitorëve të huaj për naftën, kemi ende shumë potenciale, përvojë dhe përkushtim njerëzor të pa shfrytëzuar brenda vendit e që pa dashur vegjetojnë..

Ja pra! Kjo është përgatitja e specialistëve të MEI, të cilët po drejtojnë hidrokarburet prej mbi pesëmbëdhjetë vite. Ky është edhe besimi i tepëruar i Ministrit dhe Kryeministrit mbi këtë administratë. Këta specialistë që kanë formuluar Projekt Vendimin do të fyenin edhe  pak studentët e dobët të Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave, që as është përmendur gjëkundi.

 

Tema

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.