Institucioni i familjes po gërryhet

Postuar në 23 Korrik, 2015 10:55
Joel Kotkin

Zmbrapsjet më të fundit nga idealet sociale konservatore – veçanërisht me martesën e seksit të njëjtë – i kanë çuar disa të sugjerojnë se vlerat tradicionale i përkasin tashmë së shkuarës. Vërtetë, disa konservatorë, në përshkrimin e Buchanan, janë në “një zmbrapsje të gjatë”, të braktisur për logot e ylberta sportive të Amerikës koorporative mainstream. Disa konservatorë socialë janë kaq të dëshpëruar saqë flasin për tërheqje nga sfera publike dhe mbylljen në shtëpitë e kishat e tyre, për të ringjallur “temperamentin e murgjërisë”, mbizotërues në Mesjetë.
Ky reagim do të ishte tragjedi për shoqërinë. Me gjithë kufizimet, vlerat themelore të çmuara nga besimtarët – veçanërisht, familja – nuk kanë qenë kurrë më të rëndësishme, dhe më tepër në nevojë për ndihmë morale. Vala e tanishme e kulturës progresive mund të fillojë “zgjerimin”, ndërsa kalon nga siguria e ndjenjave liberale te përpjekjet më shtypëse për të kufizuar pikëpamjet alternative për botën, përfshi ato fetare.
Në vitet e ardhshme, konservatorët socialë duhet të veprojnë, por në mënyra që i tejkalojnë shqetësimet doktrinave rreth homoseksualizmit, apo abortit. Duhet të bëhet e qartë se, me hapin e tanishëm, qytetërimi perëndimor dhe një pjesë e madhe e atij të Azisë Lindore ecën drejt një shkërmoqjeje demografike, ngaqë njerëzit braktisin formacionin familjar për kënaqësitë e beqarisë ose mosbërjes së fëmijëve.
Megjithëse i ndjeshëm për shumë individë, vendimi për t’u distancuar nga familja është shenjë e keqe për shoqëritë, të cilat do të jenë të detyruara të ngarkojnë me një masë të stërmadhe breza të rinjsh më të paktë për të mbështetur masën në rritje të pensionistëve. Kjo shfaq dhe një krizë shpirtërore, në të cilën njerëzit nuk kujdesen më për të afërmit, por vetëm për vete, pashmangshmërisht të varur te qeveria për të ofruar ndihmë që tradicionalisht e kanë dhënë familjet.

Hapi i parë
Konservatorët, në veçanti, duhet të heqin dorë nga ideja se vitet pesëdhjetë – epoka e “Leave it to Beaver” [ideja e familjes perfekte] – do të kthehen përsëri. Shumë faktorë, si rritja e rolit të grave në vendin e punës dhe revolucioni seksual, e kanë ndryshuar realitetin përgjithmonë. Vetëm 45 përqind e fëmijëve jetojnë familje me martesë dhe të qëndrueshme, dhe ata që vlerësojnë institucionin e familjes nuk kanë shumë zgjidhje veç të zgjedhin modele të tjera, përfshi familje bashkëjetese, familje me një prind, si dhe familje me prindër të të njëjtit seks.
Familjet sot, thekson demografi Wolfgang Lutz, luftojnë në një mjedis të dominuar nga të rritur dhe shqetësimet e tyre. Shumë fëmijë rriten pa vëllezër e motra, kushërinj dhe rrjetin farefisnor aq kritik për njerëzit gjatë historisë sonë si specie. Feja, e cila e ka mbështetur familjen historikisht, ka pësuar rënie në shumicën e vendeve me të ardhura të larta, përfshi, në një masë më të pakët, Shtetet e Bashkuara, thekson Fondacioni Pew.
Shekullarizimi përgjithësisht punon kundër rritjes së fëmijëve. Njerëzit besimtarë – ortodoksë, çifutë, myslimanë, evangjelistë dhe mormonë – kanë më shumë fëmijë sesa shekullarët. Siç thotë Eric Kauffman, duket se shekullarizmi nuk arrin “të frymëzojë përkushtimin te brezat e shkuar dhe brezat e ardhshëm.”
Këto pasoja janë qartazi të dukshme gjithnjë e më shumë në një Europë post-kristiane; lindshmëria gjermane, greke, spanjolle dhe italiane janë mes më të ulëtave në botë, pavarësisht pranisë së padëshiruar të qindra mijëra njerëzve nga Afrika ose Lindja e Mesme. Phil Longman e krahason Europën me një grua “ora biologjike e së cilës ka ngecur. Nuk është vonë për të adoptuar fëmijë, por ata nuk do të ngjajnë me të.”
Gjermania, me lindshmërinë ultra të ulët dhe popullsinë që plaket me shpejtësi, do të ketë nevojë për 6 milionë punëtorë shtesë deri më 2025, ose 200 mijë emigrantë çdo vit, për të mbajtur në punë motorin e saj ekonomik, sipas vlerësimeve qeveritare. Ajo do të ketë nevojë dhe për taksa më të larta ndaj një fuqi punëtore në zvogëlim – që pritet të pakësohet me 70 milonë deri më 2023 – “një rezervë demografike” të paguajë për pensionistët.

Shembulli japonez
S’ka nevojë të jesh shkrimtar i fantastiko-shkencor të imagjinosh ku do të na çojë rënia e familjes. Shkalla tejet e ulët e lindshmërisë dhe martesave në Japoni e kanë dobësuar tashmë mundësinë ekonomike të saj, e cila duket e sigurt se do përkeqësohet. Deri më 2050, sipas vlerësimeve të OKB, Japonia do të ketë 3.7 herë më shumë njerëz 65 vjeç e sipër më shumë se 15 vjeç e poshtë. Për krahasim, deri më 1975, ajo kishte tre herë më shumë fëmijë (nën 15vjeç) sesa persona të moshës mbi 65. Më 2050, numri i peronave mbi 80 vjeç do të jetë 10 për qind më shumë se ata të moshës nën 15. Deri më 2100, Instituti Kombëtar i Kërkimeve të Sigurisë Sociale dhe Shoqërisë i Japonisë projekton një popullsi prej 48 milionë, më pak se gjysma e popullsisë së tanishme.
Tendenca të tilla gjenden në pjesë të tjera me urbanizim dhe të ardhura të larta në Azinë Lindore. Një sondazh më 2011 me gra tajvaneze nën moshën 50 vjeçe zbuloi se në shumicë dërrmuese ato nuk donin të kishin fëmijë. Në tërësi, sipas demografit Gavin Jones, çereku i grave në gjithë Azinë Lindore do të qëndrojnë beqare deri në 50 vjeç dhe rreth një e treta do të qëndrojnë pa fëmijë.
Edhe Kina do t’i ndjejë pasojat e lindshmërisë së ulët në një të ardhme jo shumë të largët. Zyra e Censusit e SHBA vlerëson se popullsia e Kinës do të arrijë kulmin më 2026, e pastaj do të plaket më shpejt se çdo vend tjetër në botë, përkrah Japnisë. Radhët e fëmijëve kinezë dhe punëtorëve të moshës 15-19 vjeç do të bien 20 për qind nga 2015-50.
Disa mund të mbrojnë idenë që kalimi në periudhën post-familje është progresive dhe me përfitim. Me rënien e popullsisë, GDP e një vendi mund të qëndrojë lartë bazuar për frymë. Por pasojat negative të plakjes së shpejtë dhe zhdukjes së fuqisë punëtore janë të pashmangshme. Borxhi Gjermanisë deri më 2030 do të jetë dy herë më lartë për frymë sesa ai i Greqisë së 2014. Shkalla e kursimeve ka rënë, edhe në vende të zhdërvjellëta aziatike si Japonia dhe Singapori, dhe ka shqetësim në rritje nëse këto vende do të jenë në gjendje të përballojnë mbështetjen e numrit të pensionistëve në rritje.

A do të tkurret Amerika?
A do të ndjekë Amerika këtë rrjedhë? Ndoshta jo. Brezi i ri i mijëvjeçarit, theksojnë historianët e brezave Morley Winograd dhe Mike Hais, e konsiderojnë shumë të rëndësishme të qenit prindër të mirë. Pjesa më e madhe shpresojnë të kenë të paktën dy fëmijë, sipas një sondazhi të Pew. Kjo sugjeron se brezi i ri mund të heqë dorë nga përpjekjet – të promovuara në universitete, media e nga qeveritë – për t’u dhënë prioritet “fuqizimit” të individit dhe “të drejtave të grupeve” kundrejt familjes.
Demokratët, sidomos, duket se e avancojnë këtë tendencë, e parë nga disa si në dobi të trajektores së tyre politike. Gratë e vetme (beqare ose të divorcuara) janë kthyer në një grup votuesish të rëndësishëm për demokratët, gjë që Stanley Greenberg e ka etiketuar “blloku votues progresiv më i madh në vend”. Ca demokratë, dhe mediet e tyre aleate, duken të vendosur që ta përdorin martesën e homoseksualëve si pykë për të vënë në dyshim besueshmërinë, madje dhe të ardhmen ligjore, e shumë grupeve fetare më pak të lakueshëm.
Megjithatë, lavdërimi i beqarisë dhe familjeve të pamartuara nuk është progresiv në mënyrën se si kjo ndikon te fëmijët. Familjet e prishura janë të lidhura me çdo lloj mosfunksionimi shoqëror, nga kriminaliteti te varfëria dhe sëmundjet mendore. Qeniet njerëzore, veçanërisht fëmijët, thekson Sigmud Freud, ka nevojë për ndjenjën se ata janë më të rëndësishëm për prindërit e tyre sesa për të tjerët; zëvendësimi i vlerave familjare me atë “sociale” nuk e përmbush dot nevojën e fëmijëve për dashuri që vjen natyrshëm nga prindërit. “Një dashuri që nuk diskriminon,” shkroi ai, “më duket se humb një pjesë të vlerës së saj, duke i bërë një padrejtësi objektit të saj.”
Në vend të debatojnë për detajet, konservatorët socialë dhe liberalët pro familje duhet të kërkojnë rrugë për të inkurajuar rritjen e fëmijëve dhe familjet e bashkuara. Disa nga këto elementë janë fare bazikë: shkollim publik të mirë, politika taksimi që nuk penalizojnë çiftet e martuara dhe një reduktim taksash më të madh për fëmijët.
Natyrisht, të dyja palët mund të mos bien dakord për mjetet, por disa ndryshime do të ndihmonin në dakordimin për rezultatet sociale. Kjo lidhet me çështje si strehimi, ku duhet të kemi prioritet ndërtimin e shtëpive me densitet të vogël dhe çmime të arsyeshme që pëlqehen gjerësisht nga familjet. Një e ardhme e ndërtuar rreth modeleve të vendeve të shtrenjta dhe me popullsi të dendur – Uashingotn D.C., Manhatan, San Françisko dhe pjesa më e madhe e Kalifornisë së Jugut – do të imitonin vendet me shkallën më të ulët të formimit të familjes në vend. Në Manhatan, në gjysmën e banesave jetojnë të divorcuar ose beqarë, kurse në San Françisko ka 80 000 qenë më shumë se fëmijë.
Megjithatë, qëllimi këtu nuk është përfshirja në një luftë kulturore reaksionare në shkallë të gjerë. Një politikë e suksesshme pro familjes nuk mund të braktisë arritjet sociale të grave dhe homoseksualëve gjatë gjysmë shekullit të kaluar. Në afatgjatë, një këndvështrim më tolerant i martesës – duke reflektuar një interes më të madh në qasjet libertariane për çështjet sociale – është parakusht për ringjalljen e familializmit. Përpjekja për të ruajtur një vend për familjen na kërkon të shkojmë përtej nostalgjisë dhe fokusohemi në mënyrën se si mund të rigjallërohet ky institucion kaq i çmuar mes sfidave të modernitetit.

"Postbllok.com"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.