Hipokrizia me vrasjen e dy çekëve

Postuar në 07 Korrik, 2015 04:54
Andi Bushati

Një ditë pas vrasjes makabre të dy turistëve çekë, nga një bishe e maleve tona, një nga televizionet e mëdhej francezë, M6, po transmetonte një reportazh të gjatë për turizmin Shqiptar. Në pjesën kryesore të tij, emisioni ishte një publicitet me nota pozitive, që paraqiste pamjet frymëndalëse të rivierës sonë. Kamera shëtiste në plazhet e Jalës, Dhërmiut, Vlorës e Sarandës, duke folur për buxhetin ende të lirë që një perëndimor duhet të harxhojë për të kaluar pushimet në Shqipëri, madje dhe mundësinë e atyre qytetarëve të BE-së për të blerë një shtëpi me pamje nga deti, me çmime që as mund të imagjinohen në vendet e zhvilluara. Por, të mos ngatërohemi. Reportazhi nuk qe një reklamë e sponsorizuar. Ai nxirrte dhe anën e errët të një udhëtimi në Shqipëri. Plazhet ku askush nuk ka vënë dorë, ndërtimet pa leje, riskun e investimit në imobiliare dhe mbi të gjitha, gangrenën e turizmit tonë: pirgjet e plehrave që shfaqen në mënyrë të tmerrshme aty këtu dhe që tregojnë edhe një herë mungesën tonë të respektit për hapsirën e përbashkët. Por ajo që më bëri përshtypje në këtë reportazh ishte fakti se si reagonin qytetarët shqipëtarë kur kameramani francez i fiksonte në sfondin e këtyre plehrave të llahtarshme. Ishin në siklet, sikur donin të thoshin se kjo nuk duhet filmuar, se kjo nuk është Shqipëria e vërtetë, sikur donin të fshihnin këtë plagë tonën të dukshme nga sytë e të huajve.

Më shenjuan këto sekuenca, kur kisha ende të freskëta në mendje reagimet që sapo kishin nisur, për dënimin e aktit të dy turistëve çekë në veri të vendit. Në pamje të parë duket sikur mes dy historive nuk ka asnjë lidhje. Por po të mos merresh me sipërfaqen e tyre ka dhe në fakt ka shumë. Të gjithë ata që përgjëroheshin për vdekjen tragjike të çiftit të turistëve, që mundoheshin të tregonin se imazhi i Shqipërisë nuk është ky, që shqetësoheshin se u turpëruam me miqtë që na kishin bujtur në atdhe, që ngrinin flamuj çekë dhe që ndiznin qiri në kujtim të fatkeqëve, më ngjanin si dy pika uji me ata personazhe të dokumentarit francez, që donin të fshihnin nga pamja e kamerës pirgjet me plehra. Në thelb të merakut të tyre nuk qe shqetësimi real, por hipokrizia.  Në epiqendër të mobilizimit të tyre nuk qe ngjarja po imazhi i vendit. Natyrisht që në raste si ky imazhi është i rëndësishëm. Mikpritja dhe siguria janë tejet të rëndësishme për një shtet që ka ambicie të zhvillojë turizmin. Por në më të shumtën e reagimeve nuk qe ky rasti. Shqetësimi nuk qe as mikpritja dhe as siguria, por fatkeqësia që kjo ngjarje tragjike ndodhi me dy të huaj. Prandaj ushtria e Facebookut, shpërtheu me mesazhe patetike që i kërkonin falje popullit çek. Prandaj në shumicën e qëndrimeve kishte një qasje për të thënë se Shqipëria nuk është kjo. Dhe këtu qëndron problemi: tek kompleksi ynë për tu dukur ndryshe nga ç’jemi para të huajve. Tek kamuflimi ynë për tu hequr si të tjerë përballë miqve që na vinë nga jashtë.

Fatkeqësisht Shqipëria është edhe kjo. Eshtë vendi ku krahas një pamjeje mahnitëse, mund të shohësh si digjen tonelata me plastikë. Eshtë vendi ku në në gjithë zonën e turizmit verior, nuk ka një postë policie. Eshtë vendi ku mund të shfaqen përkrah ujëvarave përrallore, vrasës të pamëshirshëm që izolimi dhe skamja i ka shndërruar në bisha të zhveshura nga çdo ndjenjë njerëzore. Po, po, Shqipëria është edhe kjo dhe ajo nuk bëhet më e mirë duke ua fshehur këtë realitet të huajve. As duke paraqitur një pamje të gënjeshtërt të vendit. Sepse rastësisht Anna dhe Michaeli mund të kishin qënë shqiprarë. Që do të agresoheshin dhe vriteshin po njësoj. Dhe atëherë s’do të kishim kë të gënjenim.

(lapsi.al)

Comments

Submitted by Arben (not verified) on

Kaq shume ka abuzuar politika me mentalitin e ketij popull duke mos imponuar gjera te reja dhe pozitive, por duke spekuluar me padijen dhe injorancen ...sa asgje nuk ben me pershtypje..! Frenat e drejtimit ketu i kane marre spekulantet dhe monstrat... Te zgjuarit kane frike te ekspozohen... ! Sa me shume kesisoj artikujsh aq me mire per te nxjerre kete popull nga drpresioni..

Submitted by klodian (not verified) on

<p>Per mua nuk i ka shendruar ne bisha mjerimi dhe skamja por sistemi yne gjyqesor qe njerez te tille, kriminel patologjik i trajton me nje &quot;dhembshuri&quot; gati gati kristiane. Po te duam te veme gishtin ne plage krahas sistemit gjyqesor duhet folur dhe per sistemin e burgjeve qe posacerisht njerez te tille, te mitur qe kryejne vepra te tilla makabre si vrasja e nje femije duhet ti kete akoma me shume nen &quot;kujdes&quot;, qe do te thote te jene subjekt i psikologeve per te ndertuar nje profil psikologjik, dhe te kishin nje database per cdo person te tille, sepse eshte e qarte qe i mituri shume shpejt del nga burgu dhe mendoje sikur te ishte nje vrases serial si do ti mbushte rruget e Shqiperise me kufoma.&nbsp;</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.