Basha, lider i butë në një organizatë të vështirë

Postuar në 24 Korrik, 2015 03:55
Artan Mullaj

Çështja e ditës, veç vapës, është edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha: A do mund ta sjellë ndonjëherë ai në pushtet Partinë Demokratike?

Punë e vështirë! Organizatë e vështirë!

Basha i ngjiti shkallët e karrierës me biberon në gojë, por kjo nuk është arsye për ta paragjykuar. Nuk është i vetmi. Nuk është i pari! Nuk është i fundit! Fati lumë i disave fshihet në shkëndijat që shpërthejnë në mënyrë të pakuptimtë nga koka e liderëve. Nuk ka të bëjë me ta! Veç kësaj, nëse ec në një rrugë, me këmbët e tua ose jo, herët a vonë, rruga bëhet shkollë, nëse ecet në drejtimin e duhur. Politika është një hapësirë e pisët dhe liberale, në të cilën pësimet bëhen mësime sakaq dhe gabimet shpesh falen. Më shpesh harrohen! Por lidhur me Bashën, tej këtij konstatimi, ka diçka për t’u analizuar dhe kjo është statura e tij e përfaqësimit. A mundet Lulzim Basha? A është kryetari 2-vjeçar i PD-së në gjendje të përfaqësojë? A ishte zgjedhja dhe qenia e tij në krye të PD gjëja e duhur në kohën e duhur? Pyetje të vështira! Edhe profeti Izakeil do ngrinte supet dhe do mblidhte buzët njëherësh. Gjithsesi, Basha është një lider që nuk e ka yllin e liderit në kokë. Kjo dihet! Kjo duket! Por kjo nuk do të thotë asgjë. Nuk është e thënë të shkëlqesh dhe rrezatosh që në hapat e para. Çdo humbje, shoqëruar me këmbëngulje, që Bashës nuk i mungon, të çon në këtë përfundim. Ajo çka mund të thuhet pra, është se vështirë të profetosh të ardhmen e tij, në krye të një organizate të vështirë politike siç është PD-ja.

Organizatë të vështirë Partinë Demokratike e bën miksimi dhe strategjia e saj e funksionimit. Në themel të kësaj strategjie qëndron përfaqësimi. Partia Demokratike mund të supozohet si një kolektiv “liderik”, sepse kish dhe ka një raport të veçantë me Berishën, udhëheqësin e saj të përhershëm. Muhamed edhe Krisht njëherësh i PD-së, ai ia doli për shumë vite rresht të përfaqësojë shkulmet e brendshme të turmës vullnetare. Ishte dhe vazhdon të jetë, megjithëse i mënjanuar, një produkt emocional dhe psikologjik i kësaj turme. Ishte fryma e saj, dhe turma ishte frymëzimi i tij. Një interferim i shkëlqyer, që shpjegon edhe arsyen pse masat u binden liderëve të tyre. PD dhe Berisha, më shumë se të betonuar, kanë mes tyre një lidhje magjike. Të tillë e bën pikërisht përfaqësimi i ndërsjellë. Kjo lidhje të kujton poezinë e Majakovskit për Leninin, që nënkuptonte Partinë dhe anasjelltas. Mozaiku i anëtarësisë së PD-së, ishte si një pasqyrë e karakterit të Berishës. Sa më shumë ngjyra të ndryshme patën njerëzit e bashkuar të PD-së, me njerëz të të gjitha kategorive, aq më kompleks shfaqej personaliteti i tij në përshtatjen shpirtërore ndaj këtij miksimi të përbindshëm, që s’mund të kontrollohej veç nga “një përbindësh”. Në Partinë Demokratike kanë dominuar sa bastardët, aq edhe të ndershmit, sa ballistët, aq komunistët, sa të urtët, aq kriminelët, sa veriorët, aq me pak jugorët dhe këtë dominim e kish në kontroll një energji e shqetësuar njerëzore, që quhej Sali Berishë. Në PD, fryma përplasej me interesat, po aq shpesh sa në trurin e liderit përplaseshin ambiciet për pushtet me idetë. Sa më shumë kontradikta prodhonte vullneti i kësaj mase për të qenë bashkë, aq më shumë dilemat dhe lajthitjet dominonin trurin e tij për të sunduar i vetëm.

Duke qenë se tani nuk është më kryetari i PD-së, por është realisht lideri i saj shpirtëror, Berisha ka lënë pas një boshllëk të dhimbshëm në PD. Nuk ka gjë më të trishtueshme se dhimbja kolektive e mungesës. Kjo duket gjithnjë e më shumë në festat përvjetore të demokratëve. U përpoq vetë ai, me dhembshuri prej gjyshi, dhe u përpoqën shumë të tjerë ta mbushin këtë boshllëk sa një ortek me një objekt njerëzor, tjetër, të vogël, por të veshur me shumë kritere. Ky objekt vazhdon të jetë Lulzim Basha. Vështirë të gjesh një militant të PD-së që mos ndiejë një lloj krenarie të pafajshme për butësinë e qeshur të kryetarit të ri të PD-së. I qetë dhe i heshtur si plani i hershëm për të projektuar karrierën e tij; i qeshur si njerëzit shpirtthjeshtë, që i lumturon asgjëja, fëminor dhe femëror njëherësh, si aktorët që zgjidhen të luajnë role “gay” në filmat amerikanë. Por as këto, as gjithë çfarë ka dhe nuk ka kryetari i ri i PD-së, nuk mund të krijojnë një ortek, një frymë, një “bam”. Rrjedhimisht, Basha e ka më të lehtë të zbulojë ilaçin e SIDA-s, sesa të mbushë boshllëkun që la pas Saliu. Edhe sikur të kish dalë drejt e nga hundët e tij, Basha do ta kishte të humbur këtë betejë. Edhe sikur të kishte egërsinë e tij qeverisëse, dhunën psikologjike (që prodhonte autoriteti komunist i diktatorit Hoxha projektuar me fanatizëm në shpirtin e Berishës), edhe sikur të ish i aftë të trazonte njëlloj ndërgjegjen e lodhur të shqiptarëve me ngjarje makabre, siç bëri Berisha jo pak herë, prapë Saliu do t’i mungonte PD-së. Boshllëku i mungesës së tij do vazhdojë ta gërryejë PD-në për shumë kohë. Ndoshta përgjithmonë. Pse? Sepse asgjë nuk mund të zëvendësojë nostalgjinë e diktatit. Asgjë nuk mund të shkrijë kujtimet dhe iluzionet të një epoke sundimi, ku dominuan veç të tjerash edhe antivlerat dhe padrejtësitë. Saliun, më shumë se bëmat, lider e bëri mirënjohja dhe nostalgjia që prodhoi ai në mendjet e ndjekësve dhe mbështetësve të tij gjatë tranzicionit. Lider e bënë prapësitë dhe padrejtësitë e bëra në kurriz të disave në favor të të tjerëve. A mundet Luli të provokojë të tillë vëmendje dhe të tillë ndjeshmëri në një turmë të ashpër, që dashuri të parë, të vetme, të madhe ka vetëm Sali Berishën?

Jo! Është e pamundur të delegosh dashurinë e një turme nga një lider të fortë, sundimtar, në një lider qumështor.

Pasojat e kësaj pamundësie po japin krisjet e para. Klanet në PD po ushqejnë vetëshkatërrimin e tyre. Basha e synon, por bashkimi dhe uniteti i PD-së është një sfidë e vështirë. PD-ja ka filluar të çahet si kokrra e shegës së pjekur në pemë. Vonë, por shumë vonë, kundërshtari i Edi Ramës, ka filluar të kuptojë se fuqia që dominon botën tonë është jo perceptimi, por vështirësia kozmike për ta ndryshuar atë në mendjet e njerëzve. Idetë vijnë më pas. Idetë janë pasoja të perceptimit, në përmbushjen e strategjive. Perceptimi njerëzor, në njëfarë mënyre, është vullneti i fatit. Dhe e ardhmja e liderëve, me ose pa yje në kokë, është paracaktuar nga fati. Fati është mbret mes njerëzve. Sado ide të prodhojë koka e re dhe e qeshur e kryetarit të Partisë Demokratike, perceptimi kolektiv i demokratëve shkon kundër këtyre ideve. Dhe ky perceptim ka pak gjasa të ndryshohet. Çfarëdo të mendojë, sado të përpiqet! Nuk është faji i tij që nuk e mbush dot boshllëkun e zi të paraardhësit të tij, dhe as faji i paraardhësit. Të zezë, por i pari bëri epokë. I dyti s’mund të bëjë, nëse do bëjë, veç histori.

Basha do të hyjë në histori vetëm duke e rilindur PD-në.

Por Basha është shumë i vogël, i butë dhe shumë ëndërrimtar përpara krisjeve të mëdha të PD-së. A do mund ta sjellë ndonjëherë PD-në në pushtet? Kjo është një dilemë. Sa më shpejt ta kuptojnë këtë në PD, aq më mirë. Nëse e kupton vetë ai, aq më shkëlqyeshëm. Duke qenë se dëshpërimi i humbjes së zgjedhjeve dhe grindjet e brendshme i kanë marrë frymën kësaj partie, spontaniteti mund të jetë i dobishëm. Kupola e PD-së, shumica e infektuar dhe e përfolur nga aferat e qeverisjes së shkuar, nuk mund të frymëzojë prurje të reja të shëndetshme në PD, çka e ka sjellë këtë parti në një krizë të plotë identiteti. Ka një zgjidhje: Prurjet e reja. Basha do të bëjë vërtet histori nëse i hap dyert e kështjellës së elitës demokratike, plot me mëkatarë. Gjaku i ri në PD dhe demokracia e shëndetshme brenda saj, duke vërshuar, do sjellin zhvillime të reja të mira në PD. PD është një forcë politike që realisht nuk frymëzon. Rrjedhimisht ajo nuk është e tillë. Këtë e shpjegon humbja e thellë në zgjedhjet e 21 qershorit. Është një organizatë që drejtohet nga një grupim i makthtë që ndoshta duhet të ikë nga skena, të dalë nga kështjella. Të fshihet nga kujtesa, si fshihen pisllëqet nga xhami, me sfungjer.

Një Parti Demokratike e rilindur, me njerëz të rinj e të pastër, të shkolluar dhe vizionarë, në skalionin e parë të luftës opozitare, do të rilindnin edhe shpresën e kësaj partie për të ardhur ndoshta vonë në pushtet.

"Shqip"

Comments

Submitted by arben (not verified) on

<p>Ufff nje artikull shume siperfaqesor per nje lider qe vertete eshte zgjedhur nga te tjeret, por ka ne vetvete aq shume gjynahe ne cdo hap politik qe duhen analizuar me vete. Basha ka blere shtepi milio-euroshe kur ishte student masteri, pa hyre fare ne politike. Po aty ka genjyer qe eshte qytetar amerikan dhe ka futur ne loje dhe noterin perkate. Kerkojini ku i morri leket qe cuditen te gjithe punonjesit e ambasades Holandese ne Tirana dhe filloni nga genjeshtrat qe i kane dale dhe&nbsp;autori qe ben sherrbudallain ketu&nbsp;do shohe qe 1) leket, 2) pastrim lekesh, 3) genjeshtra kane qene udherrefyeset e krijimit te Bashes si lider.&nbsp; Ne kete prizem, e gjithe analisa e ketushme eshte nje tjeret analize boshe dhe e demshme.</p><p>&nbsp;</p>

Submitted by redon (not verified) on

Si mund te jete i bute L.Basha kur vodhi 200 milion euro nga rruga kombit, kur vrau 4 veta te pafajshem ne bulevard,
Mbase eshte i bute me Grida S, fytyre krimineli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.