Aleksis Tsipras: Hero, tradhtar, hero, tradhtar, hero

Postuar në 15 Korrik, 2015 07:38
Aleks Andreou

Iu kërkojmë ndjesë të gjithë marksistëve anembanë botës për Greqinë që refuzoi të kryente një vetëvrasje rrethanore për ta çuar përpara kauzën. Duhet të keni vuajtur në divanet tuaja.

Po na del se panorama europiane – në të vërtetë ajo botërore – që është ëndrra socialiste e çdokujt, duket se qëndron mbi shpinën e kryeministrit të ri të një vendi të vogël. Duket se ka një besim të ethshëm, irracional, thuajse evangjelist se një vend i vogël, i zhytur në borxhe, që vuan për para, do ta mposhtë në njëfarë mënyre kapitalizmin (dhe kjo farë mënyre nuk specifikohet asnjëherë), i cili është i armatosur vetëm me shkopinj dhe gurë.

Kur u duk se nuk do të ndodhte, erdhi kthesa. “Tsipras kapitulloi”. “Ai është një tradhtar”. Kompleksiteti i politikave ndërkombëtare u reduktua në një hashtag, e cila ndryshoi shpejt nga varianti “#prayfortsipras” (lutu për Tsiprasin) te varianti “#tsiprasresign” (Tsipras jep dorëheqjen). Bota kërkonte momentin kulmor, një finale prej X-factor-i, një mbyllje prej Hollivudi. Çdo gjë tjetër përveç një lufte deri në vdekje do të konsiderohej burracakëri e papranueshme.

Sa e lehtë është të jesh ideologjikisht i kulluar kur nuk rrezikon asgjë. Kur nuk përballesh me mungesa ushqimore, me kolapsin e kohezionit shoqëror, luftën civile, jetën dhe vdekjen. Sa e lehtë është të kërkosh një marrëveshje që nuk do të mund të pranohej dot kurrë nga çdo shtet tjetër anëtar i Eurozonës. Sa të lehta janë vendimet e guximshme kur nuk ke gisht në lojë, kur nuk je duke numëruar së prapthi, sikurse po bëj unë me 24 dozat e fundit të barnave që i ndalojnë mamasë të ketë kriza.

Njëzetë doza. Katërmbëdhjetë.

Është një karakteristikë dalluese e negativitetit patologjik të fokusohesh vetëm tek ajo që humbet në vend të asaj që ke fituar. Është komplet i njëjti qëndrim, që do të thoshte se seksione të popullit të çdo vendi të kërkonin Utopinë e tyre perfekte Socialiste ndërkohë që njëkohësisht i shmangen pagesës së taksave me çdo mënyrë të mundshme.

Ideja e Tsiprasit “tradhtar” qëndron thellësisht te një keqinterpretim klinik i referendumit të javës së kaluar. “OXI”, kritikët menduan se ishte një “Jo” ndaj çdolloj marrëveshjeje; një autorizim për një Grexit të çrregullt. Por nuk qe asgjë e tillë. Fjalim pas fjalimi Tsipras e tha dhe e ritha se kishte nevojë për një “OXI” të fortë për ta përdorur si armë negociuese në mënyrë që të arrijë një marrëveshje më të mirë. Ju kishte shpëtuar të gjithëve kjo? Tani ju mund të mendoni se ai nuk arriti një marrëveshje më të mirë – që mund të qëndronte – por që të thuhet se kjo autorizonte Grexit, është thellësisht e rremë. Po ata 38% që votuan “Nai”? A nuk ishte Tsipras atje për të përfaqësuar dhe këta njerëz?

Mos u trembni. Marrëveshja mund të rezultojë e parealizuar gjithsesi. Ajo mund të mos kalojë në Parlamentin grek. Syriza mund të dalë kundër saj. Grexit mund të bëhet e detyrueshme nga ata që kanë vite që përpiqen që ajo të ndodhë. Më pas mund të shohim se sa më i mirë do të jetë rezultati juaj.

Dymbëdhjetë doza. Dhjetë.

Marrëveshja që arriti Tsipras pasi negocioi për 17 orë, është shumë më e keqe se çfarë mund të kishte imagjinuar çdokush. Ajo është gjithashtu më mirë se ç’do kishte shpresuar shumëkush. Kjo varet thjesht nëse fokusohesh se çfarë ke humbur dhe çfarë është fituar. Humbja është një paketë masash të tmerrshme shtrënguese. Është një paketë të cilën, çdokush me pak njohuri politike e di se do të vinte gjithsesi. Ndryshimi i vetëm është se përmes një qeverie bashkëpunuese si ajo e mëparshme, ajo nuk do të shoqërohej nga asnjë kompensim.

Ajo çfarë është përfituar në këmbim janë shumë më tepër para se çfarë ishte imagjinuar më herët për të financuar siç duhet periudhën afatmesme dhe për t’i mundësuar qeverisë të zbatojë programin e saj, një paketë domethënëse stimuluese, një lëvrim parash EFSF, të cilat deri më tash ishin mohuar (ndaj qeverisë së “mirë” së Samarasit), dhe një marrëveshje për ta ristrukturuar borxhin, duke transferuar bono thesari nga FMN-ja dhe BQE-ja tek ESM-ja. Kjo nuk është asgjë, apo jo plangprishës? Analisti i ERT-së, Michael Gelantalis përllogarit se vetëm kjo pjesë ka një vlerë prej tetë deri në dhjetë miliardë euro më pak pagesa interesash në vit. Kjo është shumë më tepër sesa një sufllaqe.

Gjatë orëve të fundit kam dëgjuar të thuhet se Greqia “duhet thjesht të bëjë një #Grexit Now (tani)”; se ne kemi “një klimë të mrekullueshme që do të jetë lehtësisht e mjaftueshme”; se ne “duhet të përdorim bitcoin-in dhe sistemin piramidal për t’iu shmangur monetarizmit”; se “SHBA do të na dërgojnë barna”. Asnjërit prej këtyre njerëzve nuk do t’iu ndodhë asgjë në vendin e tyre, e kuptoni apo jo? Vetëm Greqisë do t’i ndodhë dhe ata mund të qëndrojnë duke parë. Shumica prej tyre jetojnë në shtete me qeveri qendrore, të cilat i përdorin masat shtrënguese, por garantojnë një furnizim të bollshëm të iPad-eve më të fundit nëpër dyqane. Të gjithë ata, pa përjashtim, mund të kishin negociuar një marrëveshje shumë më të mirë me thikën në fyt dhe mund të ishin treguar më trima.

Pyetja ime për këta kritikë është: Çfarë betejash po luftoni në vendin tuaj, në qytetin apo qytezën tuaj tani? Dhe me çfarë rreziku? A nuk jeni ju më të ligj se ideologët e ashpër të masave shtrënguese që duan të eksperimentojnë me një “vend lodër”, me jetën e njerëzve dhe të shohin si do të shkojë?

Tetë doza. Pesë.

E parë si njëfarë Helm’s Deep, kjo disfatë për grekët është monumentale, e pariparueshme. Është momenti kur i ke humbur të gjitha. E parë si një betejë e hapur në një luftë mjaft më të gjerë, ajo është për t’u vlerësuar shumë. Ajo e nxori armikun nga strofka dhe ia shfaqi të gjitha pikat e forta dhe dobësitë. Ajo ka garantuar inteligjencë për të tjerët, si në Spanjë, Portugali dhe Itali, çka do t’i gjejë ata më të përgatitur. Ajo u luftua me trimëri. Dhe me mençuri, sepse Greqia qëndroi e gjallë për të luftuar edhe një ditë tjetër.

Ne zgjodhëm një burrë të mirë, të ndershëm dhe trim, i cili luftoi si një luan kundër interesave të mëdha të pamatshme. Rezultati mund të mos ketë qenë martirizimi që mund të kishit shpresuar. Por, do bëni si do bëni, hëpërhë.

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.