Janari i përgjimeve dhe dy standardet e Ramës

Postuar në 25 Janar, 2022 19:20

Kryeministri Edi Rama reagoi për herë të parë pas më shumë se 24 orësh lidhur me publikimin e një regjistrimi audio, në të cilin  kryebashkiaku Veliaj thotë se futbolli është i vetmi ishull që socialistët nuk e kanë shtënë dot në dorë.

Reagimi i Ramës vjen përmes një përgjigjeje që ai i ka kthyer një komentuesi në profilin e vet.  

Unë i neveris përgjimet e bisedave mes njerëzve që flasin në një mjedis jopublik, të cilat sipas meje nuk mund të merren për bazë asnjëherë askund, as si prova fajësie, as si prova vërtetësie, sepse tjetër konteksti i një komunikimi informal pa dorashka, tjetër konteksti i shfaqjes publike së një përgjimi, prandaj edhe as nuk e kam dëgjuar fare dhe as kam ndërmend ta dëgjoj.

Si për ironi, ky përgjim vjen vetëm pak ditë pas përvjetorit të dhjetë të publikimit të një përgjimi që trazoi jo pak politikën shqiptare dhe solli si pasojë protestën e 21 janarit me 4 viktima.

Më 11 janar 2011, “Fiks Fare” transmetoi videopërgjimin e famshëm Meta-Prifti. Në atë kohë në detyrën që mban sot Veliaj, Rama e cilësoi “provë e llumit të korrupsionit të Saliut dhe Ilirit”.

Madje, siç do të deklaronte më vonë, një nga deputetët socialistë, në një periudhë ftohjeje me Ramën, ishte vetë kreu i PS-së ai që e kishte kërkuar me ngulm publikimin e kësaj videoje.

Dy përgjimet që ato që mësojnë shqiptarët për intrigat e politikës në prapaskenë, në kurriz të tyre, mund të mos rrinë në ekuilibër nëse i vendos në peshore. Por disekuilibri është i skajshëm nëse krahason qasjen e kreut të socialistëve atëherë dhe sot: kur përgjohet kundërshtari, qytetarëve u hapen sytë kush është ai; kur përgjohesh vetë, janë të neveritshëm ata që e bënë. 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Likja ishte ne ambient publik ne zyren e ministrit, ndersa vemja i bashkise ishte ne ambient privat ne nje salle konferencash hoteli.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.