Gjermania do të pranojë 400 mijë punëtorë të kualifikuar në vit

Postuar në 21 Janar, 2022 16:14

Qeveria e re gjermane mban të njëjtën qasje me paraardhësen sa i takon pranimit të punonjësve të kualifikuar. Në përpjekje për të zbutur plakjen e popullsisë dhe mungesën e fuqisë punëtore në sektorë kyçë që rrezikojnë të minojnë rimëkëmbjen nga pandemia e koronavirusit, qeveria e Olaf Scholz njoftoi se do të tërheqë 400 mijë punëtorë të kualifikuar në vend çdo vit.

"Mungesa e punëtorëve të kualifikuar është bërë aq serioze deri tani sa po ngadalëson në mënyrë dramatike ekonominë tonë," tha Christian Duerr, kreu parlamentar i Demokratëve të Lirë (FDP) që bashkëqeverisnin, për revistën e biznesit WirtschaftsWoche, të cilës i referohet Reuters.

"Ne mund ta marrim nën kontroll problemin e një fuqie punëtore të plakur vetëm me një politikë moderne emigracioni... Ne duhet të arrijmë pikën e 400 000 punëtorëve të kualifikuar nga jashtë sa më shpejt të jetë e mundur," shtoi Duerr.

Socialdemokratët e kancelarit Olaf Scholz, FDP libertariane e Duerr-it dhe të Gjelbrit ambientalistë ranë dakord në marrëveshjen e koalicionit mbi masat si një sistem pikësh për specialistët nga vendet jashtë Bashkimit Evropian dhe ngritjen e pagës minimale kombëtare në 12 euro (13,60 dollarë) në orë për ta bërë punën në Gjermani një opsion më tërheqës.

Instituti Ekonomik Gjerman vlerëson se forca e punës do të tkurret me më shumë se 300 000 njerëz këtë vit pasi ka më shumë punëtorë të moshuar që dalin në pension sesa të rinj që hyjnë në tregun e punës.

Ky hendek pritet të arrijë në më shumë se 650 000 në vitin 2029. Numri i gjermanëve të punësuar u rrit në afro 45 milionë vitin e kaluar, pavarësisht nga pandemia e koronavirusit.

Numri i ulët i lindjeve për dekada të tëra dhe migrimi i pabarabartë është reflektuar në një forcë punëtore në tkurrje, që mund të kthehet në bombë demografike me sahat për sistemin publik të pensioneve të Gjermanisë. Më pak punonjës do të financojnë pensionet e një numri gjithnjë e më të madh pensionistësh, në një kohë kur jetëgjatësia është rritur.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.