credins
Data sot është 21-05-2013, ora 22:11

Author Bios

Blogs by this author:

  •  

     

    Në përplasjen e madhe politike dhe mediatike që ka pasuar vrasjen e ish-komisarit të policisë Dritan Lamaj, paradoksalisht, njeriu më i kthjellët dhe më i qetë është shfaqur i dyshuari kryesor i policisë së shtetit për krimin në fjalë, Arben Frroku.

    Kjo është një shenjë e keqe për median që është shfaqur emocionale dhe pa masën e duhur të distancës, dhe sidomos për palët politike: për mazhorancën dhe opozitën, të cilat, të dyja bashkë janë munduar ta manipulojnë, në krah të kundërt, dinamikën e dramës, pa marrë përgjegjësi apo distancë profesionale. Fjalori shkatërrues ka sunduar në përballjen mes tyre. I tillë edhe më shumë ngjan ky verb po ta krahasosh me intervistën telefonike për ABC Neës të biznesmenit Arben Frroku. Nëse i vë përballë deklaratat e politikës, përplasjen e zhurmshme dje në parlament dhe dialogun e të dyshuarit për vrasjen e komisarit me gazetarin Vezaj, kupton diçka nga e qeta dhe e paqeta, kalorësi dhe furtuna.

    Këtë shenjë mund ta marrësh si të duash: si fund të botës ose politikë si zakonisht. Por dëshmon një gjë mbi të tjerat dhe posaçërisht të pakundërshtueshme: politika dhe biznesi i kanë aq të ndërthurura interesat dhe aksionet; janë aq shumë në nevojë të njëra-tjetrës saqë kufijtë mes të dyjave janë në shuarje e sipër. Nuk duhet shumë argumentim për të pikasur konturet e këtij konstatimi e për ta veshur skeletin e tij me mishin e bollshëm të pasunarit të ri shqiptar (kryesisht parveny) që shtrihet sa andej-këndej spektrit politik. Në i do majtas, mund t’i gjesh me duzina: flokët spic në brilantinë, çantë dore ku gjen më shumë cash se banka e lagjes tënde, Vertu për bizneset e Nokia për dashnitë, të pashmangshmen vetë-rëndësi (self-importance) dhe sigurisht fjalorin e varfër, sikur mbi librin e tyre të ketë kënduar qyqja që në klasë të parë.

    Në i do djathtas, mos prit kushedi ç’ndryshim: djathtas nuk do të thotë doemos aristokraci dhe sidomos në rastin shqiptar. Ndoshta janë më diskretë. Ndoshta kanë më pak bark. E ndonjë dallim tjetër jothelbësor.

    Ka ndodhur gjithsesi martesa e politikës me biznesin. Nga bota e biznesit i vijnë politikës donacionet më të mëdha: formale ose informale. Biznesi është motori i madh shkarkues i fushatave elektorale. Nuk ka rëndësi si janë partitë: të mëdha a të vogla, fushatat e tyre janë shkëlqimtare e të zhurmshme. Nëse dyshes së mamuthëve PD e PS, nisur të paktën nga numri i anëtarëve, por edhe i interesave dhe ciklimit të tyre në shoqëri dhe anasjelltas, u përligjet shkapërderdhja elektorale, çfarë mund të thuhet, për shembull, për LSI-në e sidomos Aleancën Kuq e Zi? Asnjëra prej tyre nuk drejtohet nga Michael Bloomberg, për t’i zënë pritë ndokujt që do të sjellë miksimin amerikan të politikës me biznesin. Përfundimi atëherë është më i kapshëm nga mendja: më shumë se parti politike ato janë grupime interesash biznesi.

    Ja ku e si, të merr me vete logjika, që errësohet, e lidhjeve biznes-politikë. Politika nuk është e qartë për lidhjen e saj me biznesin. Ajo vazhdon të sillet si dashnorja në këtë aferë. Biznesi ndërkohë, nëpërmjet të dyshuarit për vrasjen e policit Dritan Lamaj, kërkon ta legjitimojë këtë lidhje. Dhe mirë bën: Është koha ta kuptojmë se kush i vesh pantallonat në këtë lidhje.

    MAPO

     

     

  •  

    Në deklaratën e Mitropolisë së Korçës nuk kish si të mos i vinte radha edhe klishesë: cenon harmoninë dhe bashkëjetesën fetare në vend, thuhej ndër rreshta. Dinggg. Po me bashkëjetesën e të tjerëve(afetarëve) kush merret; kush e ruan atë? Harmoninë e pjesëve, kur ato janë të ndara: Kisha e Shteti, për shembull. Apo harmoninë e atyre ‘dishepujve’, jo të Krishtit por të Teatrit, që shkojnë të ndjekin një dramë apo komedi, këto të fundit ndërkohë shumë të pakta në Shqipëri, kush i siguron?

    Kundërthënia që ka çuar në këtë deklaratë të përfaqësuesve të Kishës ortodokse lindi pas vënies në skenë të dramës ‘Shën Maria e Beratit’, me autor politikanin Namik Dokle. Në shfaqjen e pestë të saj, pjesa është gjykuar fyese dhe blasfemike nga një grup besimtarësh ortodoksë, të cilët kanë braktisur sallën në shenjë proteste. Saora ka ardhur reagimi i autoriteteve të Kishës. Të shkosh në shtëpinë e artit, në teatër në këtë rast, dhe të pretendosh se në x pjesë po luhet një ‘komplot’ kundër Kishës dhe shenjtorëve të saj; është, pak a shumë, si të shkosh në kishë e të shpallësh se y psalm fyen jobesimtarët. Ose, sikur Shoqata e Artistëve Korçarë të protestonte për rekuizitën, jo dhe aq artistike, sipas saj, të shpurës priftërore në një parakalim religjoz nëpër rrugët e qytetit.

    Të gjitha këto të shkojnë në mendje, por jo çdo gjë që na shkon në mendje është e lejueshme. Disa prej nesh kanë Zotin që t’i kontrollojë, disa të tjerë Ligjin e ndonjë tjetër thjesht cipën e vet. Pse, atëherë, qëndrimi fondamentalist i prelatëve lokalë të Kishës ortodokse? Mbarsja e këtij kundërshtimi mund ta ketë fillesën tjetërkund, e veç sa ka qit krye te kjo drama e Dokles. Një farë dyshimi të lind që nga shkelja në ‘territor ortodoks’ d.m.th. në Korçë, e një dramaturgu me emrin Namik. Mund të jetë edhe emri i dramës ‘Shën Maria e Beratit’, që evokon një Shën Mari shqiptare, një Shën Mari që fiton autoqefalinë (mëvetësinë) prej grekes, bizantines, judaikes. Rrënjët e këtij reagimi mund të shihen gjithashtu te censusi i fundit, ku ortodoksët regjistruan diçka më pak se 7 për qind të popullatës, gjë që nxiti Kishën të shpallte një census të sajin, pikërisht në datën e lindjes së Krishtit. Zemëratën me pjesën teatrale të Dokles mund ta ketë shkaktuar edhe fakti se autori qëllon të jetë një ish-komunist dhe këta, si gjithë të majtët, vijnë me ngarkesat negative të ateizmit, të cilat shkarkojnë kur hasin në elemente fetare.

    Të gjitha motivet (të hamendësuara) mund të kenë arsyet e veta dhe, sigurisht, mund të përligjen nga autorët e tyre. Por jo në çdo përballje mes motiveve të tyre dhe të të tjerëve mund të thirret në skenë ‘harmonia ndërfetare’ dhe të kërkohet shenjtërimi i saj. Sepse, sikur edhe një prej hamendësimeve të mësipërm të jetë i vërtetë, mëtuesi i harmonisë e ka shpërbërë vetë i pari këtë ‘parajsë të kërkuar’. Veç kësaj, harmonia ekziston atëherë kur ka pjesë në qarkullim. Nëse mozaikut social e kulturor ia heq motivet njëri pas tjetrit, harmonia vdes dhe lind totalitarizmi. Dhe totalitarizmat të cilitdo lloj qofshin, fetare, shtetërore, artistike, seksuale, janë të dëmshme e të mërzitshme.

    Mitropolia e Korçës, me anë të reagimit të saj, në hosh e sipër, ka bërë edhe një gabim taktik. Duke u përpjekur të minimizojë ndikimin dhe mesazhin e dramës së Dokles, i ka dhënë krahë asaj: duke nxitur më të vjetrin dhe më të pazbërthyeshmin e impulseve njerëzore, që nga Kopshti i Edenit e këtej: kureshtjen. Më shumë vetë do ta kërkojnë ndërkohë librin e Namik Dokles ‘Shën Maria e Beratit’; më shumë të tillë do lypin një biletë për të parë inskenimin e saj. Mitropolia e Korçës dhe ata ortodoksë të zemëruar të shfaqjes së pestë, u bënë një disfavor besimtarëve dhe sqimatarëve. Duke hedhur dritë të gabuar mbi një pjesë e cila, estetikisht, mund të jetë e dobët. Po sikur, pasi të shohin pjesën, të zemërohen mbrojtësit e kanoneve estetike e të kërkojnë edhe ata ndalimin e saj? Ata kush i mban?!

    MAPO

     

     

  • Demografia e përcakton historinë, e cila m’anë tjetër përcaktohet nga tradita. Në traditë, shqiptari për fjalën ther djalin, që do të thotë gjënë më tështrenjtë. Për vajzën, dhe për raportin e saj me nderin dhe familjen, e shumta ruhet një fishek në pajë. Ky është një interpretim antropologjik i një tradite që ka prodhuar shifrat e një studimi të bërë publik para dy ditësh. Fokusi i studimit ishin raportet demografike, ose ndryshe raporti në disekuilibër midis sekseve në lindje në Shqipëri. Shqetësimi i studimit janë shifrat e pabarabarta në lindje mes foshnjave të dy gjinive, me meshkuj që i tejkalojnë femrat në një raport 11 me 0. Për 100 femra të lindura ka 111 meshkuj korrespondues, zbulon studimi, ‘vërtetësia’ e të cilit fortifikohet nga Ministria e Shëndetësisë, UNFPA dhe World Vision.

    Ky raport në disekuilibër mes vajzave dhe djemve në Shqipëri ka hasur në shqetësimin edhe të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, institucion që vjet ka kaluar rezolutën ‘Përzgjedhja prenatale e gjinisë’. Pse kjo disbalancë, dhe pse konsiderohet shqetësues një fakt që mund të jetë edhe seleksion natyror. Sipas studimit, meshkujt po bëhen mazhorancë si pasojë e ndërhyrjeve selektive të prindërve, të cilët ‘fabrikojnë demografi’ duke e përzgjedhur gjininë e foshnjeve. Edhe pse ligji shqiptar e ndalon abortin pas tre muajve të parë të shtatzënisë, duket se dëshira për ta ‘nderuar’ emrin e familjes me pasardhës të gjinisë mashkullore, del edhe para rreziqeve mbi shëndetin apo jetën.

    Sipas demografëve, nëse vazhdohet me këtë ritëm, brenda 20 vitesh në Shqipëri do të ketë 11 për qind më shumë meshkuj se femra. Kjo, përveçse mashkullorizon një shoqëri e cila nuk është se e ka ndërkohë të ulët zemërimin e testosteronit të pakontrolluar ballkanik, ‘tkurr edhe tregun e martesave’.

    Ndërsa tradita, patriarkaliteti, machoizmi, arrijnë të fabrikojnë numra dhe gjini, duke prodhuar një ‘treg fëmijësh’, nuk mund ta shmangësh zinë e kësaj ‘përzgjedhjeje jonatyrore’. Ka një element hitlerian, një ‘solution’ një ‘Herrenvolk -master race’ që bëhet ‘master sex’, që fabrikon sundimin e njërës gjini mbi tjetrën, të mashkullores në këtë rast, në një shoqëri që nuk ka qenë dhe as është aq e lumtur me hegjemoninë e ‘burrërisë’.

    Nëse, me raste, shqiptarisht, e kemi zhvlerësuar ‘seksin tjetër’ duke nxjerrëvirgjëresha nga gratë, e nga këto të fundit burrnesha, tani thuajse kemi një program gjinor që fikson sundimin e një seksi kundër tjetrit, duke ndërhyrë sa herë Zoti apo natyra përzgjedh ndryshe nga shijet tona.

    Është një moment kombëtar i ulët dhe i rrezikshëm dhe, ashtu siç ndodh me një planifikim, le të themi antropologjik, duhet ndalur me planifikim shtetëror. Në këtë rast,  as liberalizimi që i mëshon lirisë së zgjedhjes, dhe as ideja e djathtë e shtetit të vogël që nuk shkon përtej policisë, ushtrisë, gjykatave, bien.

    Ministria e Shëndetësisë shpall se do të ngrejë një “task force” që do të monitorojë klinikat e aborteve. Këtë ta bëjë, të paktën. Nëse nëpër Shqipëri ka prindër dhe mjekë që duan të luajnë variantin shqiptar të Dr. Mengeles, duhen ndaluar. Urgjentisht.

    Shoqëria shqiptare do të ndryshojë për mirë kur zgjedhjet, mundësitë e zgjedhjeve, t’i kenë femrat, dhe jo e kundërta. Lacat, dhe jo vajzat, duhen rralluar.

    "Mapo"

  • Fotografi, nga greqishtja, do të thotë të shkruash me dritë. Të fotografosh është një përpjekje për të hedhur dritë mbi, ose dritë në, një moment, ngjarje ose fenomen. Censusi i fundit për shembull mund të konsiderohet njëfarë fotografimi i gjendjes dhe statusit demografik të Republikës së Shqipërisë. Censusi ‘ka shkruar’ mbi këtë peizazh, por jo ‘me dritë’: duket se errësira dhe konfuzioni janë shtuar. Numrat e fotografuar nga censusi kanë qenë bizarë deri diku, por edhe më të tillë i kanë bërë interpretimet. Fotografisë mediatike të pascensusit megjithatë i është hequr portreti i Genc Pollos, ministrit të Teknologjisë dhe Inovacionit, emri i të cilit para se numërimi të fillonte ‘nxinte’ për sa e sa arsye e mosarsye nga anatema lokale që mundohej të paraqitej si e përgjithshme.

    Por, censusi, imperfekt siç është, ka hedhur dritë edhe mbi anatemën dhe anatemuesit. I ka nxjerrë ata, si të thuash në një dritë të re. Ngakundërshtarë të paepur të censusit janë shndërruar në mjelës të tij. Numrat e kanë këtë: ata janë tekanjozë dhe gjithmonë thonë diçka, edhe kur shpërfillen si thjesht konvencione. Refuzimi i procesit të ndërtimit të numrave, i fotografimit, të shkruarit me dritë, është zëvendësuar me fabrikimin e një enumeracioni që prodhon miklim dhe vetësugjestionim. E gjithë kjo është përqendruar te një 14 përqindësh neutral. Për motive politike ky 14 përqindësh po lexohet, sigurisht nga formacione që ende janë në terr sa i takon mbështetjes popullore, duke qenë se nuk kanë marrë pjesë në asnjë garë, përveç kontestit me veten në pasqyrë, si ‘elektorati ynë ’. Anketimet dhe ligjëratën politike i ka shqetësuar shumë, sidomos përgjatë postmodernizmit, elektorati gri, ajo pjesë e luhatur votuesish, që në momentin e fundit ose abstenojnë, ose zgjedhin njërën apo tjetrën forcë politike. Ky lloj votuesi nuk është fanatik, nuk është ideologjik, dhe aq më pak është ai i lexueshëm.

    Pse atëherë kërkojnë ta lexojnë, të shkruajnë pikërisht mbi atë pjesë që fotografimi ka lënë në terr? Në radhë të parë është një fyerje për inteligjencën e atij 14 përqindëshi inteligjent. Abstenimi i tyre ka qenë pikërisht ky: mosdëshirë për të përkitur, për t’u grupuar, për t’u emërtuar, për t’u përdorur. E vetmja markë së cilës nuk kanë dashur t’i ikin ka qenë gjuha: ata kanë deklaruar shqipen si gjuhë amtare. Elementë të tjerë që mund të bëhen shteg politizimi, kanë parapëlqyer t’i lënë ‘pa zbardhur’: fenë dhe etninë. Kjo lidhet me njëfarë aversioni që homo albanicus mund të ketë krijuar kundrejt homo politicus. Në të njëjtën kohë, kjo ka shërbyer edhe atë se çfarë, antropologjikisht, është një shqiptar: gjuha e tij.

    Por, çfarë ka atëherë kaq jokomode te kjo masë 99 për qind shqipfolëse, që bash me gjuhën dhe me asgjë më shumë, identifikohet, që i shtyn ata që deri dje ishin kundër censusit ta kërkojnë cicën e tij? Është kompleksi, në fakt, gjendja natyrale e hienës që i sillet një gjirafe me shpresën se do të dalë një llokmë, pasi ta ketë rrëzuar, përmbi madhështinë e saj, ndonjë luan gjithashtu madhështor.

    Por, 99 për qind që kanë zgjedhur shqipen si kartë identifikimi ia kanë bërë edhe më të lartë, edhe më të bukur qafën gjirafës. Censusi, pavarësisht të metave, e solli këtë të mirë. Ministri i shumësulmuar Pollo, që u identifikua si ‘frankenshtajni i censusit’ mund ta ketë buzëqeshjen e fundit. Censusi i tij ka fotografuar, shkruar me dritë, një numër totalitar, por të bukur: 99.

    Mapo

  • Më ka hutuar në fillim me emrat e Tij. Kjo ndoshta sepse prezantimi me Të u përcoll nga e folmja ende e mbyllur e kohës kur Shqipëria u hap dhe Ai erdhi me emër e figurë përmes kanonit zyrtar si Arbër Xhaferri. Nuk e di pse dhe kur, ndoshta pas luftës në Maqedoni, që u bë politikë dite me firmosjen e Marrëveshjes së Ohrit, në të cilin Ai pat rol kryesor, por emri i Tij u zhvendos drejt Arbën ose Arben.

    E doja Arbër-ishten tek emri dhe personaliteti i Tij, por në përdorim e sipër u pajtova me Arbën, ndoshta sepse kuptova se ishte gegnishtja e Arbër.

    Ky është një shkrim në vetë të parë, dhe më vjen keq për këtë e kërkoj ndjesë, por është i tillë sepse vdekja është diçka intime. Dhe, mes meje e Arbën Xheferrit ka hyrë vdekja: e terrtë, e plotfuqishme, ndarëse si një kamë përmes mishit e gjithë historisë. Ky çast intim ku Ai ikën, arbërisht, nëpër vdekjen e Tij, plotësohet me mua që nëpër rreshtat e këtij profili dua të gjej të përbotshmen, të përshqiptarshmen, të përshpirtshmen e Arbnit.

    Nuk mund t’ia filloj me një curriculum vitae. Megjithatë, e dini çfarë: Arbën Xhaferrit, më shumë se kujtdo, do i kishte shkuar përkora latine e këtyre dy fjalëve. I tillë qe Ai: i rrallë dhe i papërsëritshëm si një gjuhë e vdekur, si latinishtja e Mark Antonit, Senekës e Virgjilit.

    Kjo rrallësi, ky latinicitet, e bën edhe më të pazëvendësueshme humbjen e Tij. Nëpër këtë rrallësi Ai erdhi e u bë pol. Ç’tjetër njeri i botës shqiptare mund të mëtojë për vete atë që Arbën Xhaferri ishte: një institucion politik, një citadel që priste të gjitha shigjetat e u bënte strehë të gjitha shpresave; një far që lëshonte të gjithë dritën rreth së cilës pështilleshin fluturat e mendimit shqiptar në Maqedoni e përtej.

    Shpesh, kur na paraqitet nevoja e një standardi, kur duam të evokojmë kohë burrash të mëdhenj e shqiptarësh që u bënë etër themelues të kombit, përmendim Rilindësit. Gjithherë ata ia brendavendosim përfytyrimit të një shekulli të shkuar (nuk e di pse numri 1878 i shkon për së mbari figurës së një Rilindësi.)

    Na duhet, ta rishkruajmë historinë, qasjen tonë personale, sepse mes nesh, me mjekrën por pa pretendimin; me dritën por pa breroren; me mendimin por pa kolanën; kemi pasur një bashkëkohës si Rilindës. E kemi pasur, nuk e kemi më, por do ta kemi: në atë vend ku Rilindësit futen pa pyetur për renditjet zyrtare, përmendoret, historicizmin, por me historinë e tyre të intimitetit me mendimin.

    E kam takuar Arbën Xhaferrin, pranverën e kahershme të vitit 2000, në selinë e PDSH në Tetovë. Ç’e sjell një gazetar rishtar në Tetovë? më pyeti aq butë sikur pyetjet të ishin thika që nxirrnin gjak. Ju dhe Elita 5, i thashë. I hodhi sytë nga dritarja përtej së cilës pështillej në mesditë qytet-shteti i tij, dhe si në pëshpërimë tha se i pëlqente Elita 5. Bota shqiptare e tillë ka qenë përherë, shtoi. Nuk kemi funksionuar si galaksi, por yje të shndritshëm sigurisht që kemi pasur.

    Sigurisht që po, Arbën. Ti, padyshim, je një prej yjeve.

  • Qytetet amerikane të prezantohen me gjithëfuqinë e madhështisë së qiellgërvishtësve dhe, sikur arkitekti të kish qenë i njëjti për të gjithë, ata shfaqen buzë apo në krye të një autostrade ndërqytetëse a ndërshtetërore që i skajon duke e lënë të pashlyer përshtypjen e tyre edhe sikur të mos ndalesh e të mos i vizitosh kurrë. Qytetet shqiptare m’anë tjetër janë kryesisht të strukura; ato nuk të godasin, nuk të thonë ja ku jam; nuk vetëprezantohen. Qytetet shqiptare duhet t’i kërkosh; diku përtej tabelave të imëta blu ku shtrihen në të bardhë emrat e tyre; të rrëmosh për to nëpër guida turistike të huaja a të vendit dhe, pasi t’i kesh gjetur, të kqyrësh vëmendshëm për shtresat e shekujve mbi e nën to. Qytetet shqiptare, më shumë se flagrancë e triumfit historik janë shtresëzim i historisë, humbje pas humbjeje, pushtim pas pushtimi e qytetërim pas qytetërimi. Që do të thotë se, për sa kohë që betoni shqiptar nuk mund të jetë aq qiellor dhe arrogant sa ai amerikan, ne nuk e kemi luksin e shkatërrimit të këtyre shtresëzimeve për shkak të dëshirës së babëzisë për pallate 7 katëshe.

    ***

    Vlora, për shembull, një nga qytetet, për nga natyra, më të bukur të Shqipërisë, ka një lufte të egër për të humbur: atë mes detit e betonit. Ky i fundit ka mundur ndërkohë edhe një rival tjetër: monumentet e kulturës. Pjesë e kësaj beteje ndërkohë të humbur duket se po bëhet një pjesë e vjetër dhe sharmante e qytetit, lagjia Muradije. Kjo lagje, kur i afrohesh qendrës së qytetit me xhaminë dhe kodrën e bukur përballë, ku ndodhet Kuz Babaja, e nxjerr Vlorën prej
    gërdisë që të jep takimi me hyrjen e saj. Muradija, xhamia dhe Kuz Babaja janë shenja elegante të historisë dhe karakterit të qytetit ku përzihet otomanja e vonë me stilin e fillimshekullit 20. Ato janë kundrapesha e arkitekturës së re të pallateve të banimit, forma monotone e të cilave të kujton ngrehinat që, në vendet e zhvilluara, shteti i ngre për të strehuar shtresat sociale në nevojë (projects).

    Shembulli përmes kontrastit është ndoshta më ilustrativi. Lagjia Muradije vjen përmes një serie fotosh të shkrepura të dielën që shkoi (shihni fotot në slide show, poshtë lajmit kryesor). I keni të dyja në një: Muradijen e vjetër të shtëpive karakteristike dy-tre katëshe dhe shemrin prepotent në formën e një pallati të ri. Si në legjendën e lashtë kur muret e mëdha kërkonin flijime të mëdha, edhe ngrehinat e sotme vijnë e shtyhen, kacafyten deri kur u marrin frymën e i shtyjnë në varr simbolet e së kaluarës. Por mjafton fotoja e fundit për t’u kujtuar se me shtëpitë karakeristike nuk është i lidhur vetëm imazhi i qyteteve dhe historia jonë e përbashkët, por edhe historitë familjare, brezat e trashëgimia personale.

    “Rroftë Shpëtim Gjika që e varrosi përfundimisht familjen Metaj! shkruhet në një banderolë të madhe që varet në ballkonin e një shtëpie të lagjes Muradije, e cila do të shtyhet e shtyhet me pallatin e ri përmbi krye për ta humbur përfundimisht luftën.