credins
Data sot është 19-05-2013, ora 15:51

NANO NEWS

23 Dhj 2011 - 16:28
Lexojini këto të dhëna, që kanë të bëjnë me TVSH-në (jo me Taksën e Vlerës së Shtuar, por me Televizionin Shqiptar): Në lajmet e këtij televizioni gjatë muajit qershor kreu i shtetit është shfaqur 1.91% të kohës, kryeministri 22,36% të kohës, qeveria 33,48% të kohës, PD-ja 17,77% të kohës dhe PS-ja 6,82%. E kështu janë të gjithë muajt me radhë, deri në nëntorin e festave nacionale, ku Presidenti ka marrë 1,37% të kohës, kryeministri 44%, qeveria 25%, PD-ja 7% dhe PS-ja 5%. Kush ka parë lajmet e TVSH-së më 28 nëntor, do ketë marrë vesh se veprimtaria presidenciale atë ditë ka qenë zero. Mirëpo s’ka qenë hiç kështu. Thjesht rrugaçët e TVSH-së i kanë dhënë dum punës t’mos e nxjerrin portretin e tij në ekran.Dhe të kuptohemi, nuk janë rrugaçë, ngaqë nuk nxjerrin fytyrën e Presidentit në ekran. Jo, s’është fare e thënë që çdo ditë të jepen ‘lajme me President’. Janë rrugaçë sepse kohën informative në televizionin publik e lënë në dipozicion të presidentit, të kryeministrit, të qeverisë e të partive. Janë kryerrugaçë pastaj, kur 50% të kësaj kohe ia lënë boss-it të tyre, kryeministrit.Si zor të gjendet këtyre anëve institucion publik më i pistë se sa TVSH-ja. Është më i pistë se sa Garda e Republikës. 
22 Dhj 2011 - 00:05
“Do të vendosim edhe ne çmime reference për mallrat shqiptare që hyjnë në Kosovë”, bën me dije nga Prishtina Mimoza Kusari-Lila, ministrja e Tregëtisë dhe Industrisë. Për ata që nuk e kanë idenë, çmimi i referencës për një mall të caktuar që importohet nuk është gjë tjetër, veçse çmimi  që doganat e një vendi (nënkupto: ministria e financave) vë apriori mbi mallra të caktuara me synimin për të shkurajuar hilet e tregëtarëve që paraqiten në dogana me mallra të blera shumë lirë, gjë që ata mund ta provojnë dhe në pikëpamje dokumentare. Prapa këtij synimi të caktuar ‘zyrtar e të fisëm”, rëndom qëndrojnë interesa të caktuara biznesesh, të cilat, të frikësuara nga konkurenca e gara në tregun e lirë, shfrytëzojnë lidhjet e sbhkurtëra që kanë me ente qeveritare, dhe tok me to merren vesh për të vendosur çmime reference. Në këtë rastin e dytë synimi është penalizimi ‘në rrugë ligjore’ i tregëtarëve që punojnë për hesap të tyre e prishin situata monopol. Kosova është e pafajshme në këtë mes. Ajo po bëhet gati ta marrë këtë vendim, pasi Tirana nuk po respekton një marrëveshje të lidhur në qershor, e cila i obligonte palët (Tiranën e Prishtinën pra) të mos përdornin çmime reference. Por Tirana nuk i ka qëndruar kësaj marrëveshjeje, dhe ka caktuar çmime reference për mallra që vinë nga Kosova, si patatja, qumështi, vera, etj.Pse e ka bërë këtë? Mendja të shkon se qeveria ka dashur të marrë në mbrojtje biznese që i ka xhan, të cilat janë ndjerë të kërcënuara nga kjo marrëveshje. Ndërsa Prishtina po e bën gjithçka për reciprocitet. Do të arrijë puna deri këtu? Apo Tirana do të fillojë të respektojë marrëveshjen?  
20 Dhj 2011 - 17:48
Kastriot Islami ka dalë në një konferencë për shtypin, dhe ka komentuar vendimin që PS-ja ka marrë për përjashtimin e tij nga Partia. Ai denoncoi projektin ‘Rama’, i cili “nënkupton përdorimin e partisë për interesa personale të kryetarit”, dhe shpalli “projektin e së majtës së bashkuar për integrimin e Shqipërisë në Europë”, i cili “do t’i përfshijë dhe motivojë të gjithë socialistët, kudo që janë”. Dhe kështu, kjo histori mund të quhet e mbyllur. Dy gjëra, mes shumë të tjerash, të bëjnë përshtypje në këtë fabulë politike, që sot mori përthyerjen e fortë të divorcit. Së pari, është braktisja që i kanë bërë Islamit miqtë e tij, me të cilët ka bërë opozitën ndaj projektit ‘Rama’ brenda opozitës për muaj e muaj me radhë. Malaj u mjaftua me votën kundër përjashtimit, dhe kaq; nuk është dëgjuar të ngrejë zërin kundër përjashtimit të Islamit nga partia, apo kundër përjashtimit si filozofi e si praktikë. Blushi, Harasani, Bello, etj, ose kanë abstenuar, ose s’kanë marrë pjesë në votim. Dhe nuk kanë bërë asnjë koment. Thjesht e kanë përcjellë me heshtje çdo gjë. As nuk e kanë dënuar sjelljen e Islamit (siç kanë bërë të shumtit), as nuk kanë marrë në mbrojtje Islamin, as nuk kanë marrë në mbrojtje të drejtën e Islamit për të qenë në një parti për aq kohë sa vetë Islami ka dëshirë të rrijë. Gjëja e dytë që të bën përshtypje është se Islami vetë nuk ka shfaqur asnjë lloj zemërimi me këta të fundit. Nuk u vë faj. Nuk i përmend. Sikur s’ekzistojnë. Ose sikur ka mirëkuptimin më të plotë me qëndrimin e tyre.  
16 Dhj 2011 - 12:49
PS-ja bëri një garë me synimin për të përcaktuar kandidatin për postin e Avokatit të Popullit, i cili praktikisht është Avokat (mbi bazën e marrëveshjes së bërë mes PD-së e PS-së), dhe fitues doli Igli Totozani. Është interesant fakti se një numër pjesëmarrësish në garë, të pyetur nga Panorama, nuk kanë rënë dakord me përzgjedhjen e bërë nga Komisioni, dhe kanë lënë të kuptohet se fituesi ka qenë i paracaktuar. Ja përgjigjet e tyre: Dëshira Subashi: “Unë i plotësoja të gjitha kërkesat që PS publikoi për këtë vend pune, kisha të gjithë përvojën e duhur për ta bërë këtë detyrë, isha një person publik, që për aftësitë profesionale nuk kishte kush të më gjykonte, dhe përgatitja për këtë post ishte mjaft serioze”. Blerta Kraja: “Gjatë procesit të konkurrimit, pra që kur u shpallën emrat e 33 aplikantëve, pati një lojë të pabukur nga disa gazeta, që vetëdeklarohen opozitare, duke pompuar fort një emër dhe duke hedhur baltë mbi të tjerët. Kjo pjesë ia zvetënoi bukurinë garës dhe ne që jemi avokatë e i dallojmë mashtrimet që larg, na shtonte hije dyshimi se diçka po ndodhte”. Besnik Dervishi: “Është një precedent [gara e bërë. Red] që duhet mbështetur.... Nga ana tjetër, e them me bindje të plotë që Partia Socialiste duhet të jetë më e vendosur dhe e pakompleksuar në mbështetjen e aseteve të saj”. Sokol Hazizaj: “Kandidati [fitues] hapi 30 adresa twitter dhe dërgonte mesazhe me emrat “Pelikani”, “Atdhetari” etj. Mendoj se një ndihmesë të madhe në këtë përzgjedhje ka dhënë vetë kryetari i PS-së dhe një miku i tij. Do ta konsideroja si një produkt i përbashkët i kryetarit dhe shoqërisë civile”. Përparim Kabo: “Avokati i Popullit është një person që ka të bëjë jo me forcat politike. Komisioni që i mori në pyetje 12 kandidatët ishte një komision politik partiak.... Midis nëntë juristëve të tjerë, ky ishte më i miri? Mbi ç’kritere? Nëse edhe kriter është impresioni i jurisë, le ta pranojmë si hapin e parë që do t’i hapë rrugë një procesi që do vijë duke u konsoliduar”. Siç shihet janë reagime të njerëzve që s’dinë të humbasin (duke përjashtuar deri diku Dervishin dhe Kabon). Nuk kanë asnjë vërejtje esenciale mbi procedurën, gjë që duket; thjesht e qortojnë, pasi nuk nxorri fitues ata.  
15 Dhj 2011 - 20:20
Para ca orësh, ministri ynë i jashtëm, Edmond Haxhinasto, u bëri thirrje në parlament deputetëve të opozitës “që të tregohen të matur, të mos spekulojnë e t’mos u referohen mediave, sepse dëmtohet prestigji i vendit”. Ky apel u bë prej tij në përgjigje në akuzave të bëra nga deputeti Taulant Balla pas scoop-it të Top-channel-it, në të cilin flitej për ambasadën tonë në Pragë që ka vënë makinat në dispozicion të trafikantëve të drogës, gjë që dëshmohej edhe nga Jakup Fridrish, zyrtar i lartë i policisë çeke. Pritej një reagim më serioz i kryediplomatit shqiptar pas këtij denoncimi të Top-channel-it (të hidhte poshtë me fakte një e nga një akuzat), por ai ishte zhgënjyes. U mjaftua me këtë apel “prej burri të urtë e të shtruar”. Por ish edhe më zhgënjyes, teksa mori përsipër të mbronte nepotizmin skandaloz në diplomaci. “Ejani në Ministrinë e Jashtme dhe verifikojini, sepse të gjitha emërimet janë sipas normave”, tha ai. Dua t’ju sfidoj, zoti ministër; dua të vij në Ministrinë e Jashtme e të bëj verifikimet e nevojshme si gazetar (ngaqë thoni “ejani”); në mos, ju ftoj të dokumentoni vërtetësinë e kësaj që keni thënë; ju ftoj të na tregoni, se mbi cilat norma është zgjedhur – po kufizohem vetëm tek një rast – dhëndërri i Jozefina Topallit në postin e një atasheu në Ambasadën tonë në Paris. E pranoni sfidën?  
15 Dhj 2011 - 16:08
Fatos Nano ia arriti qëllimit që kish për t’u futur në fokus të debatit publik shqiptar. Ai u vet-ofrua për postin e Presidentit, dhe këtë e bëri me anë të një interviste për televizionin më të rëndësishëm nacional, Top-channel, të dhënë nga një prej qendrave universitare më të rëndësishme të botës, London School of Economics, ku pretendoi se ndodhej me një ftesë të bërë (u mor vesh më pas se nuk kish asnjë ftesë; ai ish atje në një aktivitet krejt pa rëndësi). Lidhur me vet-ofrimin e tij presidencial kanë shkruar një numër komentatorësh e kanë folur një numër socialistësh, të cilët janë të ndarë lidhur me këtë ide, e do berishianë që nuk janë kundër. Dje e tha të vetën dhe Servet Pëllumbi, i cili bëri një refuzim të natyrës etike. “Nuk më pëlqejnë ata që vetkandidohen”, tha ai. Sot u shpreh Meta, dhe me qëndrimin e tij i bëri fresk Berishës: “nuk shprehemi pa u konsultuar me PD-në’. Por Nano nuk është i interesuar vetëm për të provokuar një bujë. Ai ka një interes shumë më të madh. Don të zgjidhet President. Mund t’ia arrijë këtij qëllimi? Kjo do varet nga momenti politik parapresidencial. Nëse Berishës i rezulton se në atë moment zgjedhja e Nanos në këtë post mbjell përçarje në PS, ai do ta bëjë. Qejfi i Topallit për të njëjtin post, në kundërshtim me çfarë mund të mendohet tek-tuk, nuk futet fare në kokëçarjet e Berishës. Topalli është, ashtu si eksponentët e tjerë të PD-së, thjesht një gur në duart e Berishës.  
14 Dhj 2011 - 16:18
Dje Rama ka qenë në Durrës, dhe në pjesën më të madhe të kohës ka folur si aparatçik partie, gjë që duket nga frazat “t’u japim një peshë më të madhe anëtarëve të partisë e jetës së brendshme”, “asambleja e qarkut apo e rrethit duhet vënë në funksion të plotë”, “forumet duhet të mblidhen sistematikisht”, “të arrijmë kohezionin që na duhet”, “ta kthejmë jetën e partisë në një jetë aktive”, etj, etj. Por nuk harroi të thosh diçka konkrete, që përbën lajmin për ne gazetarët e që i bën njerëzit e zakonshëm të mbajnë veshët ngritur, s’ka gjë se nuk është hera e parë që e thotë: “Jemi në kushtet e një regjimi fashist; duhet të jemi bashkë, sepse ka vend për të gjithë; por nuk ka vend për Metën, pasi ky është me Saliun, tek Saliu, për Saliun”. Në kohën kur Rama fliste në Durrës, në Tiranë ndodhte diçka tjetër, jo retorike, tepër praktike. Nard Ndoka, kryetari një partie që i merr nja 50 mijë vota në çdo moment elektoral, ka zënë t’i vardiset Berishës; ose anasjelltas, Berisha ka zënë t’i vardiset Ndokës. Kjo do të thotë se kundërshtari i Ramës, Berisha, po vijon të të bëjë ‘Realpolitik’ e të mbledhë ç’të mundet e kë të mundet rreth vetes pa patur asnjë skrupull moral. A mund të fitohet me frymë, rerotikë e moralizime përballë alkimistit Berisha? Kjo është pyetja e madhe e këtyre kohëve.    
13 Dhj 2011 - 00:14
Lajmin e parë dhe të dytë të site-it tonë lidhur me kolapsin fizik të Sali Berishës në festën e përvjetorit të themelimit të PD-së e lidhëm natyrshëm me shpejtësinë e reagimit të mediave në një rrethanë të tillë, kur lajmi kish ndodhur faqe botës e në prani të të gjithë gazetarëve të Tiranës. Lajmet u hartuan në ngut e sipër, e për këtë arsye, pasaktësitë tona janë të kuptueshme; fjala vjen, janë përmendur disa media e janë injoruar disa të tjera; ose lajmet janë bazuar në një kqyrje të versioneve online, e ndërkohë është dhënë përshtypja se ka qenë një kqyrje tërësore e botës së medias. Kërkojmë ndjesë për këto pasaktësira, e për keqkuptimin që kemi krijuar. Por thelbi i vëzhgimit, me ndonjë përjashtim, mbetet i paqortueshëm. Reagimi mediatik ka qenë në përgjithësi i ngathët e i drojtur; e tek-tuk binte në sy kontrolli editorial i lajmit, në themel të të cilit ka qenë logjika e kujdesit në këtë situatë ‘delikate’ dhe e merakut ‘për të qenë politikisht korrekt’ (ndërkohë, që në rrethana të tilla, media duhet të jetë cinike dhe e pamëshirshme; ajo thjesht informon, dhe kaq). Ky rast nxori në evidencë faktin që bota shqiptare online nuk është në gjendje të japë në çdo rast informacion të freskët, të përditësuar, të sekondës së fundit. Lajmin mbi gjendjen e keqe shëndetësore të Berishës e gjeje vetëm tek Tema, tek balkanweb.com-i, e tek ndonjë tjetër. Shekulli doli me lajmin, pastaj u ra faqja, dhe më pas u vonuan shumë. Atyre të Panoramës iu desh gjysmë ore për ta dhënë si lajm, ndërkohë që fjalën e Berishës e jepnin të plotë. Ndërsa në reagimin e televizioneve lexohej fillimisht një shushatje dhe ngecje, aq sa jepej përshtypja se tok me Berishën pësuan kolaps dhe mediat. Për nja dhjetë minuta gazetarët nuk kanë ditur ç’të bëjnë me një lajm që e panë me sytë e tyre, dhe ishin në pritje të ndonjë sinjali. Më tej u vu re përpjekja editoriale për ta pilotuar si lajm. Klani, ABC-ja e TVSH-ja e shkëputën lidhjen direkte, dhe zunë të merreshin me gjë tjetër. Kanë informuar shumë vonë, atëherë kur doli njoftimi kryeministror që thosh se kryeministri e kaloi të keqen. Është një gjë e pafalshme, por merret vesh pse e bëjnë. Televizioni Ora News e dha lajmin në kohë, por më pas heshti për minuta të tëra. News 24 vonoi pakëz, por pastaj qëndroi i fokusuar non stop tek ky lajm. Ndërsa Top-media e Vizion Plus kanë reaguar në kohë reale, e më pas janë ndihmuar dhe nga fakti që orarin e lajmeve e kishin në prag. Në këtë vëzhgim mungojnë shumë operatorë e site-e të tjerë, të cilat nuk kemi pasur kohë t’i ndjekim. Re.Pu.
9 Dhj 2011 - 17:09
Eduard Kukan, europarlamentar i kampit konservator, dmth shok “armësh” i Joseph Daul-it, i pyetur në Tiranë mbi deklaratën e këtij të fundit në forumin e Partive Popullore në Marsejë (është raportuar se ka thënë, që “Edi Rama është pak i sëmurë mendor”), është vënë në rolin e atij që nuk e beson se një gjë e tillë mund të ketë ndodhur. Dikush që ka qenë i pranishëm në takimin e Marsejës, e ka garantuar se nuk është dëgjuar që Daul ta ketë thënë një gjë të tillë. Por kësaj dëshmie, Kukan i ka shtuar dhe një konsideratë personale: “Ai nuk përdor atë gjuhë; …. është e vështirë të besoj që ai e ka thënë një gjë të tillë…. Jam i sigurtë që e vërteta do të dalë së shpejti….”, është shprehur ai, duke lënë të kuptohet se Daul-i do të dalë i panjollë nga kjo mesele. Në këtë mes, ka dy opcione. 1. Këtë lajm, e ka nxjerrë Berisha me të vetët, dhe kjo gjë do përbënte skandal, dhe 2. Këtë e ka thënë Daul që ç’ke me të, dhe Kukan e merr në mbrojtje kotmëkot. Eurodeputeti francez nuk e ka mohuar në një “sqarim” që ka patur në facebook me shqiptarë të skandalizuar prej kësaj deklarate. Ai thjesht ka thënë në facebook, se “kërkon falje nëse ka fyer ndokënd”. Në fakt, secili prej këtyre opcioneve mund të jetë i vërtetë, pasi edhe Berisha i bën gjëra të tilla, edhe Daul nuk duket të jetë aq gentleman sa e bën Kukan. Duhet të presim për të marrë vesh se cila është e vërteta.