Komentatorët po heqin shumë për të shpjeguar vizitat e njëpasnjëshme të eksponentëve të politikës shqiptare në SHBA. Pse kaq shumë vizita? Pse në të njëjtën kohë? Janë të ftuar nga dikush në SHBA? Apo janë këta vetë që i kanë bërë të mundura me ndihmën e miqve të tyre? Janë vizita të rëndësishme? Apo janë vizita pa asnjë rëndësi?
Ne të respublica-s kemi mundur të flasim lidhur me këtë çështje me një “burim nga brenda ambasadës amerikane”, dhe ky i fundit hedh pak dritë (jo tërësisht në fakt; nuk ka dashur të thotë më shumë). Burimi na tha se, për të, njëkohshmëria e takimeve është aksidentale, dmth parada filloi me Bashën, e më pas kemi të bëjmë me një garë që të pestë (Basha, Spahiu, Rama, Meta, Berisha) janë duke bërë kundër njëri-tjetrit (vini re: nuk tha ‘me njëri-tjetrin’, por ‘kundër njëri-tjetrit’). Ai (dmth burimi) e përjashtoi versionin, që këto janë vizita të kopsitura nga ambasada amerikane, apo nga ambasadori Arvizu. Ky i fundit thjesht “ka inkurajuar Ramën e Spahiun që të bëjnë një vizitë në SHBA, e të takohen me zyrtarë amerikanë e me njerëz të tjerë”, në mënyrë që të shpjegojnë arsyet e tyre, qëndrimet e tyre, kauzën e tyre, gjë që do të ishte më e mirë se sa “t’i linin këto shpjegime në dorë të raporteve të Ambasadës amerikane në Tiranë”.
Nga komunikimi që patëm me burimin në fjalë, na rezulton se ky “inkurajim ambasadorial për Ramën e Spahiun për të bërë një vizitë në SHBA” është i vetmi kontribut amerikan në këtë festival vizitash. Burimi la të kuptohej, se vizitat në fjalë, të gjitha, janë çalltisje individuale. Sipas tij, aventura amerikane e Lulzim Bashës duhet të ketë pasur për synim prezantimin si një lider me të ardhme në politikën shqiptare (“up and coming leader”, ishte saktësisht termi i përdorur nga diplomati), ndërsa tre të tjerët, Rama, Spahiu, Meta, duhet të kenë patur për qëllim “të qartësojnë keqkuptime të ndryshme që mund të eksiztojnë me ta e për ta në Washington, apo të shpjegojnë pozicione të ndryshme të tyret”.
Sa për Berishën, diplomati amerikan që nuk don të identifikohet tha thjesht që “në dijeninë e tij, Berisha ka planifikuar të bëjë një vizitë në New York për të marrë pjesë në një konferencë të Vatrës, e një vizitë tjetër në Washington në muzeun e Holokaustit, dhe sipas shumë gjasash, njerëzit e miqtë e tij në SHBA janë duke eksploruar mundësitë për takime të tjera.” Dhe po aty lë të nënkuptohet, se “është e natyrshme; është që është në këto dy qytete, pse t’mos bëjë çfarë ka në dorë për të bërë ndonjë takim me zyrtarë amerikanë?”
Kjo është e gjitha. Sipas ambasadës amerikane.


