credins
Data sot është 26-05-2013, ora 11:21

Media: On/Off


  • 700 pronarë që iu është zënë toka nga ndërtimet pa leje do të kompensohen financiarisht. Drejtori i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Cefa shpjegon për News24 se janë rreth 4.6 miliardë lekë të vjetra që do të vihen në dispozicion të këtyre pronarëve, në bazë të listës së miratuar nga Këshilli i Ministrave. Procesi i dorëzimit të kërkesave nga këtyre ish-pronarëve ka nisur këtë të hënë.

    “Duke filluar që sot, deri në një afat të palimituar sepse vendimi i Këshillit të Ministrave procedural nuk përcakton një afat të përfundimit të këtij aplikimi, pra i njeh të drejtën këtyre subjekteve që të aplikojnë në mënyrë të vazhdueshme në kohë për të përfituar këto para janë rreth 700 pasuri që Këshilli i Ministrave ka vendosur që të shpërblehen financiarisht për shkak se këto parcela trualli janë të zëna ndërtime informale dhe janë subjekt i ligjit për legalizimin e pasurive të paluajtshme”, tha Kryetari i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pornave, Elvis Cefa.

    Duke filluar nga dita e sotme, kjo kategori e ish pronarëve mund të dorëzojnë pranë agjencisë së kthimit dhe kompensimit të pronave dokumentacionin, për të përfituar kompensimin financiar.

    “Ne do vazhdojmë të pranojmë të gjitha kërkesat për aplikim. Dokumentacioni i cili kërkohet në fakt është thjeshtuar në maksimum. Atyre do tu kërkohet një dokument identifikimi, një prokurë në rastin kur janë më shumë se një pronar dhe një dëshmi pronësie kur njëri prej trashëgimtarëve nuk jeton, si dhe një numër i vlefshëm llogarie, ku të bëhet shpërndarja e parave”, shtoi Cefa.

    Sipas kreut të Agjencisë së Kthimit dhe kompensimit të pronave, Cefa pjesa më e madhe e ish-pronarëve që do të përfitojnë në këtë fazë janë nga Tirana.

    Marrë nga balkanweb.com

    Komente: (3)


  • Bashkia e Tiranës u kërkon tregtarëve, ambulantëve, të licensuar ose jo, të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre në trotuaret e qytetit, të fillojnë lirimin e hapësirave publike që ato kanë zënë, deri me datë 1 tetor të këtij viti.
    Nëpërmjet një deklarate për median, Bashkia e Tiranës, u bën thirrje pronarëve të lokaleve, bareve dhe restoranteve, të cilët kanë zënë trotuaret e qytetit dhe rrugët e kalimit me tavolina, të fillojnë lirimin e hapësirave publike deri më datën 1 tetor të këtij viti.
    "Bashkia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e këtyre subjekteve, pasi kjo masë merret në shërbim të qytetarëve të Tiranës dhe të krijimit të hapësirave dhe lehtësirave që u takojnë qytetarëve.
    Bashkia e Tiranës bën të ditur se nëse nuk do të respkektohen këto afate, atëherë Policia Bashkiake do të ndërhyjë për të zbatuar ligjin në mënyrë rigoroze", përfundon deklarata zyrtare e bashkisë së kryeqytetit.

    Marrë nga noa.al

    Komente: (3)


  • Superprocesi gjyqësor i tragjedisë së Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona, po i vjen fundit.

    Pas shqyrtimit të provave dhe dëgjimit të dëshmive, gjykata e Tiranës ka thirrur prokurorinë të prezantojë fjalën e saj të fundit për 29 të pandehurit, më 3 tetor.

    Shpërthimi i fabrikës së demontimit të municioneve Alba Demil, më 15 mars 2008, i mori jetën 26 personave, 300 të tjerë u plagosën, si dhe u shkatërruan mijëra banesa e godina biznesesh.

    Edhe pse shpërthimi ishte në këto përmasa tragjike, asnjë nga të pandehurit nuk gjendet prapa hekurave.

    Ish adminisratori i “Albademil”, Mihal Delijorgji, ish- drejtori i fabrikës, Dritan Mixholi, ish drejtor i MEICO-s, Ylli Pinari dhe ish-shefi i kontrollit të municioneve në Gërdec, Sokol Ngjesi, fituan lirinë pak muaj më parë pasi kishin përfunduar afatet e paraburgimit, dhe gjykimi ndaj tyre vazhdoi jashtë qelive të burgut.

    Të akuzuar në këtë proces janë dhe ish- drejtues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë por që edhe këta hetohen në gjëndje të lirë. Nga fillimi i procesit numërohen rreth 150 seanca gjyqësore mbi 200 dëshmitarë nga të cilët rreth 15 ekspertë.

    SEANCA SOT, AVOKATI KERKON NDRYSHIM TE TRUPIT GJYKUES
    Në seancën e sotme një prej avokatëve mbrojtës kërkoi shkarkimin e trupit gjykues, pas pretendimeve për një vendim të ndërmjetëm nga ana e trupës aktuale. Sipas ligjit një tjetër gjyqtar është i detyruar të marre në shqyrtim këtë kërkesë, dhe gjithcka mund të futet në kalendat greke nëse kërkesa merret parasysh. Por në historinë e këtij gjyqi ka patur mbi dhjetë kërkesa për ndryshimin e trupës gjyqësore të cilat janë hedhur të gjitha poshtë.

    Marrë nga balkanweb.com

    Komente: (7)


  •  

    Ashtu siç kishin paralajmëruar prej ditësh, minatorët e Bulqizës kanë hyrë sërish në grevë urie. Pasi nuk janë lejuar të hyjnë në galeri minatorët kanë nisur grevën pranë rrethimit të minierës dhe zyrave të kompanisë koncesionare “ACR” pasi këto të fundit mbahen nën kontroll nga policia.
     

    Sipas minatorëve ky vendim ka ardhur si rezultat i pritjes së gjatë të një përgjigje nga ana e “ACR” në lidhje me kërkesat e tyre.
    Një nga pikat me të cilën të dyja palët nuk bihen dakort është ajo e largimit të drejtorit të minierës.“ACR” e cilëson këtë kërkesë si artificiale dhe nuk bie dokort për largimin e tij. Nga ana tjetër minatorët janë të bindur se me largimin e drejtorit gjithçka do të ishte zgjidhur.
     

    Ndërkohë kompania “ACR”, ditë më parë i bëri sërish thirrje minatorëve të nisin punën në mënyrë që të kthehet normaliteti në minierë. Sipas kësaj kompanie, janë plotësuar të gjitha kërkesat e parashtruara nga minatorët, që kanë të bëjnë me rritjen e pagës, fillimin e investimeve që do të përmirësojnë kushtet e punës si edhe realizimin e këtyre investimeve duke informuar minatorët.
     

    Gjithashtu “ACR” ka deklaruar se ka ofruar zgjidhje financiare edhe për ditët e grevës së paligjshme, kjo sipas saj për t`ju ardhur në ndihmë minatorëve në situatën e vështirë financiare në të cilën ndodhen. “Rifillimi i punës në minierë mbahet peng e një kërkese absurde për shkarkimin e administratorit”, kanë theksuar përfaqësuesit e kësaj kompanie.

    Sipas “ACR”, kjo kërkesë është jashtë kompetencave të punës së minatorëve dhe kompania e ka përsëritur disa herë që kjo kërkesë nuk do merret parasysh . 

    Marrë nga ora-news.com


  •  

    Dëshmia e një bashkëpunëtori të drejtësisë ka ndihmuar prokurorinë që të çojë në fund hetimet dhjetë mujore për një kompani fantazmë që i ka shkaktuar shtetit 16 milionë lekë të reja dëm. Kompania fantazmë e drejtuar nga i dyshuari Besnik Murataj akuzohet për mos shlyerje të detyrimeve tatimore, akcizës, tatimit mbi fitimin, tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe mos pagim i sigurimeve shoqërore. Murataj është inspektor në portin e Durrësit ndërsa kompania me të cilën ai kishte bashkëpunuar është “Stream Oil” ku aksioner dhe përfaqësues ligjor është Arian Tartari, njeriu që bashkëjeton me deputeten e PD-së, Albana Vokshin. Tartari është edhe babai i dy fëmijëve të saj.

    “Prokuroria e Fier më 12 Nëntor 2010, ka regjistruar procedimin penal për pastrim parash, falsifikim dokumentesh dhe mashtrim. Gjatë hetimeve disa mujore u konstatua se i dyshuari Besnik Murataj, me detyrë inspektor në Drejtorinë e Shërbimeve Operacionale pranë Autoritetit Portual Durrës në bashkëpunim me Ervis Sinanaj me profesion ekonomist dhe shtetasin Dyleman Qerimi me profesion shofer, kanë hapur një shoqëri tregtare “Guaskë”, inekzistente, të cilën e kanë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR), në emër të administratorit S.Doçi, duke i vendosur emrin shoqërisë “Mobil Albania”,- thuhet në dosjen e prokurorisë që “Shekulli” ka siguruar një kopje.

    Kjo kompani, kishte si objekt të veprimtarisë së saj private në fushën e tregtisë me shumicë e pakicë, import eksporte të prodhimit të mobilieve, mallrave të ndryshëm industrialë, mobilie zyrash, prodhim dhe tregtim materialesh ndërtimi. Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se kjo shoqëri, kishte si qëllim futjen në qarkullim dhe “pastrimin” e 50 milion lekëve që do të siguroheshin nga blerja e naftës bruto nga muaji Maj – Gusht të vitit 2010 tek subjekti “Stream Oil Gas L.T.D”.

    “Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se Dylejman Qerimi është përdorur nga i dyshuari kryesor i këtij “mashtrimi” Besnik Murataj, si ndërmjetës mes tij dhe shtetasit S.Doçi, emrin e të cilit e kanë përdorur në regjistrimin e kompanisë si administrator. Qerimi, kishte dijeni se Doçi ishte në gjendje të vështirë ekonomike, çka e ka bindur që në emër të tij të regjistrohej një biznes kundrejt pagesës mujore prej 10 mijë lekëve të reja. Pas këtij propozimi, Doçi ka pranuar pa pasur dijeni se çfarë bëhej konkretisht. Ndërkaq, Ervin Sinanaj, ka qenë personi që bënte të gjitha procedurat ligjore dhe transaksionet bankare të kompanisë që drejtohej në hije nga Murataj, por me letra ndodhej emri i S.Doçit, pasi në njërën nga bankat në Fier ishte drejtori i vëllai i tij”,- thuhet në dosjen e prokurorisë.

    Po sipas tyre, Murataj ka përdorur edhe dy shoferë, Vangjel Profkën dhe Sotiraq Sallaku, si transportues të naftës bruto të blerë tek kompania “Streaim Oil Gas” l.t.d.. Ndaj tre të dyshuarve Murataj, Sinanaj dhe Qerimi me kërkesë të prokurorisë Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” ndërsa për dy shoferët Profka dhe Sallaku togat e zeza kanë caktuar masën shtrënguese “detyrim për paraqitjeje”. Për zbardhjen e këtij mashtrimi, falsifikimi dhe pastrimi të parave, sipas prokurorisë, ka ndikuar edhe dëshmia e dhënë nga shtetasi S.Doçi emri i të cilit është përdorur si administrator i shoqërisë “Mobil Albania”.

     

    Pjesë nga dosja e prokurorisë

    “Shoqëria “Mobil Albania” rezulton se ka kryer blerje të naftës bruto tek shoqëria “Stream Oil Gas, l.td” nga muaji Maj – Gusht të vitit 2010 dhe kap shifrën prej rreth 34 milion lekë të reja. Çmimi i blerjes së naftës referuar aktit të konstatimit është 23 lekë/kg. Subjekti “Mobil Albania” ka shitur 210.181 m3 naftë, me çmimin 46 lekë/l, që kap vlerën 9.668.331 lekë. Ndërkohë që rezulton që ky subjekt nuk ka deklaruar shitje sasinë prej 1.266.562 ton. Shoqëria “Mobil Albania” ka shmangur të gjitha detyrimet tatimore, të detyrueshme për tu paguar. Kështu nuk rezulton të jetë paguar akciza e pagueshme për lëndën djegëse. Po kështu, kjo shoqëri nuk ka paguar as TVSH-ën, Tatimin mbi të ardhurat apo sigurimet shoqërore, duke shmangur në këtë mënyrë të gjitha detyrimet ligjore, që kapin shumën 15.986.415 lekë. Kjo shoqëri, është krijuar për të shmangur të gjitha detyrimet tatimore, të cilat kapin vlerën 15.986.415 lekë (fshehje akcize + tatim fitimi + TVSH + sigurime shoqërore)”-thuhet në një pjesë të dosjes hetimore.

     

    Të akuzuar

    1. Besnik Murataj, i dyshuar për veprat penale të pastrimit të produkteve të veprës, në bashkëpunim, mashtrimit

    2. Dylejman Qerimi, i dyshuar për veprat penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, në bashkëpunim, mashtrimit

    3. Ervis Sinanaj, i dyshuar për veprat penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve

    4. Vangjel Profka i dyshuar për veprat penale të moskallëzimit të krimit, falsifikimit të formularëve vulave dhe stampave, dhe deklarimit të rremë përpara prokurorit

    5. Sotiraq Sollaku, i dyshuar për veprat penale të moskallëzimit të krimit, falsifikimit të formularëve vulave dhe stampave, dhe deklarimit të rremë përpara prokurorit

     

    Si u mor me qira emri i S. Doçit

    Shoqëria “Mobil Albania” rezulton e regjistruar në emër shtetasit S. Doçi, i cili në të vërtetë nuk kishte asnjë dijeni për këtë gjë. Pak kohë më parë ai ishte takuar me të akuzuarit, të cilët i kishin ofruar një “ujdi të leverdishme”. Ai ishte në gjendje të vështirë ekonomike dhe “mashtruesit: i kërkuan ti merrnin emrin me qira duke e paguar 100 mijë lekë të vjetra në çdo muaj. Vetë Doçi nuk kishte dijeni se çfarë ishte bërë me emrin e tij, por ai kishte rënë dakord që herë pas here të firmoste disa dokumente dhe çdo muaj të merrte 100 mijë lekshin.

    Kur prokuroria ra në gjurmë të mashtrimit, i vetmi emër që figuronte në dosje ishte ai i S. Doçit si pronari i shoqërisë “Mobil Albania”. Hetuesit shkuan në shtëpinë e tij dhe prisnin që të takonin “bosin”, por në të vërtetë i doli përpara një njeri i varfër. Ai nuk kishte idenë për ato që i thoshin hetuesit dhe për këtë arsye tregoi historinë se si kishte dhënë emrin me qira. Nga kjo dëshmi prokurorët zbardhën pjesën tjetër të dosjes. 

    Marrë nga Shekulli


  • Në prag të sesionit të 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork, Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun, i dha mbështetjen e tij Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në të gjithë vendin.
    Në takimin që pati sot delegacionin shtetëror të Kosovës, Ki-Moon ripërsëriti mbështetjen e tij ndaj procesit për vendosjen e rendit dhe ligjit në tërë territorin duke kërkuar vazhdimin e dialogut me Serbinë.
    Delegacioni shtetëror i Kosovës, i përbërë nga presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, gjatë takimit me Sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki-Moon folën për zhvillimet më të fundit në veri të vendit dhe tensionin e shkaktuar nga serbët lokalë pas vendosjes së policëve dhe doganierëve të Kosovës në dy pikat kufitare në veri.
    Në këtë takim autoritetet e larta të Kosovës informuan Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së se doganierët e Kosovës u dërguan në veri të vendit në bashkëpunim me EULEX-in dhe KFOR-in, me qëllimin për të vendosur rendin dhe ligjin edhe në këtë pjesë të vendit e banuar nga shumicë serbe.
    Delegacioni shtetëror i Kosovës i kërkoi Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së përkrahjen e tij ndaj institucioneve legjitime të Kosovës për ta shtrirë rendin dhe ligjin në veri.
    Ata kërkuan që Ki-Moon t'i bëjë presion Serbisë që të heqë dorë nga mbështetja që po u jep strukturave paralele serbe në veri.

    Marrë nga noa.al

    Komente: (3)


  • Rikthimi i votimit të fshehtë në Parlamentin shqiptar do të jetë prova kryesore e konsensusit rreth faktit nëse reformat e shumëpërfolura do të bëhen realitet. Duke marrë shkas nga informacionet zyrtare të Partisë Socialiste, e cila përmes deputetit të saj, Ditmir Bushati ka dhënë disa hollësi për sugjerimet e veta, si moment kyç pritet të jetë rikthimi i Rregullores së Kuvendit në variantin e vitit 2009, që nënkupton në thelb sidomos riintegrimin e parimit të votës së fshehtë. Eliminimi i kësaj të fundit ka bërë që mjaft votime nominale, për anëtarë të gjykatave të larta të vendit të bëhen hapur, duke imponuar deri-diku vullnetin politik mbi gjykimin individual. Që këtej rrjedhin edhe të drejtat e kufizuara në Parlament të opozitës shqiptare, e cila për më tepër vuan edhe drejtimin unik të seancave nga Kryetarja aktuale, Jozefina Topalli, dy herë e vënë nën procesin e shkarkimit. Po në këtë frymë, socialistët kërkojnë kalimin drejt normës së dikurshme të nisjes së seancave plenare me 60 minuta diskutime të lira, që me ndryshimet që janë tani në fuqi, vihen në dispozicion në fund. Një element jo pa rëndësi në draftin e selisë rozë është edhe fitimi i së drejtës së dikurshme për replikë ndaj fjalës së Kryeministrit nga kreu opozitar në sallë. Në fakt, kjo e drejtë është kufizuar shumë nga dispozitat aktuale, të plotësuara mirë me mënyrën e drejtimit dhe komunikimit që Topalli ka sanksionuar tanimë me deputetët opozitarë. E drejta për replikë, në kushtet kur edhe diskutimet për çështje thellësisht teknike, shfrytëzohen nga kreu i qeverisë për të propaganduar me talentin e monologuesit arritje apo për të artikuluar akuza të shumta, të cilat kanë atrofizuar vendimmarrjen dhe sidomos debatin. E gjithë paketa do të depozitohet në Kuvend në dy faza dhe vetë Bushati ka bërë të ditur se kërkesa për rregulloren është një hap që do të testojë vullnetin e shumicës në pushtet. Më vonë, sipas draftit të zbardhur dje nga mediat, PS-ja do të sugjerojë nisma që synojnë një riadministrim të përbashkët politik të problemeve që lidhen me integrimin, duke kaluar madje drejt krijimit të një komisioni të përbashkët për problemet e hasura ndaj BE-së. Politikisht, drafti i socialistëve i shërben sa normalizimit të jetës parlamentare dhe garantimit për të shprehur mesazhin ndaj opinionit nga opozita, aq edhe i konformohet një prej rekomandimeve bazë të Bashkimit Europian, që kërkon një “Parlament funksional”. Bojkoti i dikurshëm i PS-së e penalizoi këtë qasje, por fakt është se rregullat e reja kanë synuar të formalizojnë prezencën e opozitës, pa i lejuar asaj oponencë efektive ndaj nismave të qeverisë. Për t’u rikthyer te rregullorja, pritet që PS-ja të kërkojë edhe normime të qarta për buxhetin dhe administrimin e tij, burimet njerëzore, stafin dhe logjistikën, në mënyrë që e gjithë veprimtaria e Parlamentit, por edhe ajo e deputetit, t’i afrohet standardeve të BE-së. Propozimet e përmendura do të depozitohen në Kuvend ditën e hënë.

    Marrë nga Shqip


  • Debati për librat shkollorë të historisë në Kosovë, ka zgjuar interes edhe në Turqi. Në numrin e sotëm të “Sunday’s Zaman”, Erhard Turbedar merret versionin e tij turk të historisë së shqiptarëve në epokën osmane. Ai është analist për politikë të jashtme në Fondacionin e Turqisë për Hulumtimin e Politikave Ekonomike (TEPAV). Artikullin e tij, të titulluar “Imazhi osman në Ballkan: rasti i Kosovës”, do ta botojmë të plotë.

    Një nga temat që ka lënë gjurmë në agjendën e brendshme të Kosovës në gusht 2011 – por që ende vazhdon – është debati mbi imazhin turk dhe osman në librat kosovar të historisë.

    Ajo çka nxiti debat ishte deklarata e ministrit turk të Arsimit, Omer Dinçer, i cili vizitoi Kosovën gushtin e kaluar dhe i cili tha se duhet të fshihen nga librat kosovar të historisë, shprehjet negative në lidhje me osmanët dhe turqit. Kjo çoi në shkrimin e shumë artikujve mbi raportet turko-shqiptare, ndërsa çështja është diskutuar edhe në disa transmetime televizive.

    Edhe pse ka pasur disa vlerësime të favorshme për statusin e shqiptarëve në shtetin osman, skenën e mbizotëruan ata me idetë e gabuara historike në lidhje me osmanët.

    Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutollu, i cili bëri një vizitë zyrtare në Kosovë më 26-27 gusht, tha se historianët e Kosovës duhet ta lirojnë veten nga historiografia ideologjike e Luftës së Ftohtë.

    Shqiptarët kishin status të privilegjuar në shtetin osman. Interesat e tyre përputheshin dhe harmonizoheshin me ato të osmanëve, që nga pranimi i islamit. Sipas Bilal Simsir, 28 vezirë të Perandorisë Osmane ishin me prejardhje shqiptare. Historian Dennis P. Hupchick tërheq vëmendjen te fakti se nuk ka pasur rrethana në epokën osmane që ta bëjnë të nevojshme kryengritjen e përgjithshme shqiptare.

    Historiani i njohur i Ballkanit, Noel Malcolm, pretendon se ishin shqiptarët jashtë vendit ata të cilët në periudhën para vitit 1878 kërkuan krijimin e një shteti të pavarur shqiptar. Charles dhe Barbara Jelavich thonë se shqiptarët nuk kishin asnjë kërkesë për pavarësi nga osmanët, deri në vitin 1912, dhe se ata u përcaktuan vetëm për autonomi. Ata besojnë se shqiptarët kishin frikë nga pushtimi i tokave të tyre nga vendet fqinje, ndaj i druheshin copëtimit të Perandorisë Osmane.

    Në fakt, shqiptarët ishin në mesin e më të goditurve gjatë procesit të shpërbërjes së shtetit osman. Kur formësimi i identitetit perëndimor shqiptar u bë i domosdoshme gjatë procesit të ndërtimit të shtetit modern shqiptar, shqiptarët nisën ta shkruajnë historinë e tyre duke lustruar të kaluarën e saj osmane. Kjo çoi në shfaqjen e elementeve anti-osmane dhe anti-turke në librat shqiptar të historisë. Siç ka thënë Malcolm, historianët shqiptarë paraqitën vetëm disa etapa të kryengritjeve – të bëra vetëm për të kundërshtuar rritjen e taksave, bashkë me zyrtarët shtypës osmanë – si pjesë e luftës së pavarësisë kundër administratës osmane.

    Bërja e historisë, në të njëjtën mënyrë, vazhdoi edhe gjatë epokës komuniste, kur librat shkollorë përdoreshin për të shërbyer qëllimet e establishmentit, për politikat dhe ideologjitë e tij.

    Është ende e mundur të shohësh sot – në botimet e Akademisë Shqiptare të Shkencave – artikuj dhe tekste që kualifikojnë osmanët si fanatikë dhe jotolerantë. Pikëpamja e gjerë e pranuar është se shqiptarët ishin të dërrmuar nga taksat e rënda nën administratën osmane dhe se ishin të privuar nga të drejtat elementare të njeriut.

    Kjo mënyrë e të shkruarit të historisë duket se është miratuar edhe në Kosovë.

    Sa u përket fakteve, paraqitja e historisë osmane është e njëanshme, e gabuar dhe jo e plotë, jo vetëm në tekstet shqiptare por te të gjitha vendet e Ballkanit. Derisa historiografia turke tenton të portretizojë periudhën osmane si “epokën e artë” të Ballkanit, e cila më vonë u trazua nga lëvizjet nacionaliste (një qasje po ashtu e diskutueshme për shumë historianë), popujt e Ballkanit dhe qeveritë janë të prira për ta perceptuar këtë histori të përbashkët në një mënyrë të ndryshme. Kontrastet mund të shënohen në mënyrën se si nacionalistët e caktuar në Ballkan fajësojnë epokën osmane për të gjitha të këqijat dhe fatkeqësitë e vendeve të tyre.

    Është e mundur të shpjegohen paragjykimet kundër shtetit osman me dy faktorë kryesor. E para është se popujt e Ballkanit në shekullin e XIX ishin të ekspozuar ndaj romantizmit dhe nacionalizmit etnik perëndimor. Nacional-romantikët e Ballkanit jo vetëm që kanë luajtur një rol të suksesshëm në formimin e identiteteve nacionale dhe në nxitjen e dëshirës për pavarësi, por edhe kanë shtruar themelet që historia osmane të interpretohet duke qethur faktet objektive.

    E dyta është se kujtesa kolektive e shoqërive nuk ka shkuar shumë larg mbrapa. Popujt e Ballkanit mund të thuhet se kujtojnë epokën osmane kryesisht me zhvillimet gjatë shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit XX. Megjithatë, këto ishin periudhat kur trazirat dhe parregullsitë administrative, si dhe trazirat e brendshme janë harlisur në të gjitha vendet e territoreve osmane, përfshirë edhe Anadollin.

    Një analizë e teksteve shkollore në vendet e Ballkanit sot dëshmon se mënyrat me të cilën osmanët trajtohen janë të pjesshme, se nuk ka hapësirë për pikëpamjet alternative në disa tema të diskutueshme dhe se tekstet janë të mbushura me diskursin nacionalist që ndonjëherë përmban edhe gjuhë fyese. Është gjithashtu e mundur që nëpër libra të ndjehen shqetësimet ideologjike dhe politike të autorëve.

    Ajo që është gjithashtu e rëndësishme në këtë drejtim është se librat flasin – në pjesën më të madhe – për aspektet ushtarake dhe politike të shtetit osman, duke lënë shumë pak hapësirë për ngjyrimet sociale, kulturore dhe fetare të perandorisë.

    Sidoqoftë, një pikëpamje më objektive e historisë osmane kërkon një ekzaminim të plotë të Ballkanit të atyre viteve, të jetës shoqërore dhe kulturore, të strukturës familjare, sistemit arsimor, marrëdhënieve midis grupeve shoqërore, institucioneve fetare dhe komuniteteve. Për sa kohë shteti osman shihet nga perspektiva e ushtrisë dhe e politikës, njerëzit në Ballkan vështirë mund të mësojnë disa faktorë të rëndësisë jetike, siç ishte toleranca fetare e shtetit osman dhe kontributet e tij në restaurimin e kishave.

    Historia osmane dhe sundimi mbi Ballkan është shumë më kompleks dhe historianët e Ballkanit duhet të gërmojnë më thellë e të bëjnë një lexim më komplet – të tërë periudhës së historisë osmane – për të pasur një pikëpamje më të balancuar.

    Marrë nga Tema


  • Pesë shtetas, janë marrë nën hetim nga prokuroria e Fierit pasi dyshohen se janë përfshirë në një skemë mashtrimi finaciar me një shoqeri tregtare.
    Lajmi është bërë i ditur sot nga burime zyrtare të Prokurorise së Përgjithshme dhe Policia e Shtetit, nga të cilat konfirmohet se, prokuroria e Fierit, në bashkëpunim me Policinë e Përgjithshme të Shtetit, gjatë operacionit të koduar "Kompania guaskë" bënë të mundur arrestimin e shtetasve, Besnik Murataj 37 vjeç, Dylejman Qerimi 58 vjeç, Ervis Sinanaj 32 vjeç, dhe detyrim paraqitje për Vangjel Profka 58 vjeç dhe Sotiraq Sollaku 51-vjeç.

    Sipas organit qëndror të akuzës të ndaluarit dyshohen për veprat penale të "pastrimit të produkteve të veprës", dhe "mashtrimit", në bashkëpunim, "fallsifikimit të dokumentave", për "moskallëzimit të krimit", "falsifikimit të formularëve vulave dhe stampave", si dhe për "deklarimit të rremë përpara prokurorit".
    Sipas prokurorise, në muajin Prill të vitit 2010, shtetasi Murataj, në bashkëpunim me Ervis Sinanaj dhe Dylejman Qerimi, kanë krijuar një shoqëri tregtare “Guaskë”, inekzistente, të cilën e kanë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, me administrator Selman Doçin, dhe emrin e shoqërisë “Mobil Albania", me objekt veprimtarie private në fushën e tregtisë me shumicë e pakicë, import eksporte të prodhimit të mobiljeve, mallrave të ndryshëm industrialë etj.
    Sipas hetimeve rezulton se, kjo shoqëri është krijuar prej tyre me qëllim futjen në qarkullim dhe mbulimin e natyrës së krijimit të shumës se lekëve prej 50.000.000 lekë të reja. Gjithçka është bërë e mundur të realizohet prej tyre, vetëm pasi kanë siguruar një person të papunë dhe në gjëndje tepër të vështirë ekonomike, shtetasin Selman Doçi, të cilit i kanë premtuar një rrogë mujore prej 100.000 lekësh.

    Shoqëria “Mobil Albania”, rezulton të ketë kryer blerje te naftës bruto te shoqëria "Stream Oil Gas l", si dhe me pas shitjen e saj. Ndërkohë që, nga hetimet rezulton që ky subjekt nuk ka deklaruar shitje sasinë prej 1266.562 ton.
    Shoqëria Mobil Albania ka shmangur të gjitha detyrimet tatimore, ndërsa nuk ka paguar as TVSH-ën, Tatimin mbi të ardhurat apo sigurimet shoqërore, duke shmangur në këtë mënyrë të gjitha detyrimet ligjore, që kapin shumën 15.986.415 lekë. Hetimet kane konkluduar se, Dylejman Qerimi ka shërbyer si ndërmjetës kryesor për të lidhur Besnik Murataj me Selman Doçi.

    Po ashtu i gjithë dokumentacioni është përpiluar nga shtetasi Ervis Sinanaj, me profesion ekonomist dhe me njohuritë e duhura ligjore si dhe të gjitha transaksionet bankare, ndërkohë që janë nënshkruar nga ana e shtetasit Selman Doçi.
    Shtetasi Ervis Sinanaj, veprimet bankare i ka kryer ne BNT, duke u ndihmuar nga fakti se drejtor i kësaj banke ishte vëllai i tij, shtetasi Ilir Sinanaj. 

    Zedhenesja e Policise se Shtetit, Kledja Plangarica beri te ditur sot pasdite ne nje konference per shtyp se po hetohet edhe për 11 persona te tjere, pasi dyshohen si të përfshirë në këtë veprimtari te paligjshme.

    Marrë nga balkanweb.com


  •  

    Drejtori i Gjendjes Civile, Arman Teliti tha sot se vendimi i dhënë nga Gjykata Kushtetuese për kombësinë nuk ka lidhje me procesin e censusit (regjistrimin e popullsisë.)

    Në një deklaratë për mediat, Teliti sqaroi se të dhënat të cilat gjatë censusit do të deklarohen me vullnet të lirë nga shtetasit shqiptar nuk do të hidhen në regjistrat e gjendjes civile.

    Dy ditë më parë, gjykata Kushtetuese ka hequr termin “kombësi” nga ligji “Për Gjendjen Civile”.

    Përmes një votimi 6 me 2, trupa e gjyqtarëve vendosi ta cilësojë, në kundërshtim me Kushtetutën, nenet 6, 8, 42/2, 58 të ligjit “Për Gjendjen Civile”, që bien ndesh me nenet 19 dhe 20 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenet 9,14 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Në këtë mënyrë, termi “kombësi” nuk do të shkruhet më në dokumentet e gjendjes civile, si certifikatë apo kartë identiteti apo pasaportë.

    Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese rrëzon automatikisht vetëdeklarimin e kombësisë së shtetasve e, për pasojë, dhe përpjekjet për ndryshimin e saj, fenomen shumë i përhapur në qytetet Sarandë, Korçë, Përmet dhe Shkodër.

    Kërkesa për shpalljen antikushtetues të neneve të ligjit “Për Gjendjen Civile” erdhi fillimisht nga gjyqtari i rrethit Sarandë, Alltun Çela e më pas dhe gjyqtarë të Përmetit dhe të Shkodrës, nisur nga kërkesat e mëdha për ndryshimin e kombësisë të shtetasve shqiptarë, nga shqiptare në greke apo serbe.

    Marrë nga Panorama

    Komente: (3)