“Edhe gjak për ty do të japim”, “Fjalët e tua shërojnë plagë”... ishin vetëm disa nga lëvdatat dhe elozhet që i ishin thurur para një muaji ministrit të arsimit, Ramë Buja, gjatë një takimi që kishte pasur me sindikalistët e arsimit. E aty ishin mbledhur për të shtruar çështjen e hapave që do t’i ndërmarrin për borxhin 5-milionësh që ua kishte Qeveria mbi 24 mijë mësimdhënësve. Me gjasë edhe vetë ministri Buja ishte ndjerë tepër keq me gjithë këto lavde dhe kur kishte parë se sindikalistët shtyheshin me “bërryla” se kush më shumë të “dëshmohej” për servilizëm. E kishte pritur të kundërtën, një reagim të “ashpër” për premtimin për rritje pagash që nuk e kishte realizuar.
Nuk është ky rasti i vetëm kur sindikalistët shpirtërisht e moralisht të shitur gjunjëzohen kështu para ministrave. Ka me dhjetëra e qindra raste të tilla. Udhëheqësit e sindikatave në Kosovë janë bërë vegël e politikës. Ata nuk merren me problemet reale të punëtorëve kosovarë, “mision” me të cilin gjoja janë ngarkuar. Brenga e vetme për ta është si t’i shërbehet më së miri politikës dhe si t’i afrohet sa më shumë asaj, në mënyrë që të përfitojnë diçka. Së paku ndonjë asht për ta lëpirë.
Re.Pu.

