Në burg! Radhën e ka biznesi: kujt nuk përdor kasën, qeveria i vë byrzylykët

Postuar në 02 Gusht, 2015 16:10

Qeveria mendon t’u rikthehet masave ndëshkimore drastike, por kësaj radhe ndaj biznesit. Në parim, lufta kundër informalitetit u njoftua nga kryeministri, që foli për goditje të ashpra. Po ku konsistojnë masat? Raportohet se një nga sanksionet e parashikuara të jetë burgosja e administratorëve të subjekteve private nëse inspektimi tatimor do të konstatojë mungesën e kasës fiskale. “Çdo biznes, i cili nuk ka kasë fiskale, ose kapet pa dhënë kuponin tatimor, do t’i sekuestrohet malli që herën e parë. Nëse i njëjti rast përsëritet, atëherë pronari ose administratori i firmës do të shkojë në burg. Në variantin e parë të depozituar në qeveri, ministria e Financave kishte propozuar rritje të masave ndëshkimore dhe gjobave, por jo ndjekje penale për bizneset. Burime konfidenciale për Vizion Plus sqarojnë se këto ndryshime janë bërë më pas nga ministria e Marrëdhënieve me Parlamentin, e cila drejtohet nga Ermonela Felaj, dhe me shumë gjasa, qeveria do të miratojë këtë variant. Rregullat e reja kanë krijuar madje edhe një debat mes të dy ministrive, asaj të Financave dhe asaj të Marrëdhënieve me Parlamentin, për faktin se financat argumentonin se nuk mund të çojnë për ndjekje penale bizneset të cilët bëjnë shkelje administrative”, raporton “Vizion Plus”. Po të shihet argumenti i Ministrisë së Financave duket se ekziston opsioni i vlerësimit të kushtetueshmërisë së kësaj nisme ligjore e cila pritet të miratohet muajin e ardhshëm. Nuk mund të mos bjerë në sy roli i një ish-deputeteje si Ermonela Felaj, e gatshme të sanksionojë si normë ligjore, metoda represive, të cilat janë të vetmet që shihen si efikase nga kryeministri. Të gjitha këto masa vijnë në kushtet kur është deklaruar një boshllëk i madh në mbledhjen e të ardhurave, kur qeveria ka ndryshuar skemën e rimbursimit të TVSH-së dhe kur ekonomia nuk po jep sinjale të mira. T’i japësh inspektimit tatimor të drejta të tilla, si burgosja e njerëzve, minimalisht do të çojë në rritje të korrupsionit, si kosto shtesë e të bërit biznes. Nuk dihet ku çon kjo rrugë, por ajo dëshmon në një pikëpamje, dëshpërimin e kësaj qeverije.
http://vizionplus.al/kush-kapet-pa-kase-rrezikon-edhe-burgun/
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.