Zbardhen dokumentet, ja si iu refuzuan Nishanit vilat e qeveritare të Vlorës dhe Dhërmiut

Postuar në 28 Korrik, 2015 01:53

Në numrin e sotëm të gazetës “Panorama” shkruhet se janë zbuluar dokumentat me të cilat iu refuzuan presidentit Bujar Nishani vilat qeveritare të Vlorës dhe të Dhërmiut. Që prej datës 27 prill e deri më 19 qershor 2015, mes Presidencës, Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare dhe Kryeministrisë është shkëmbyer një korrespondencë intensive në lidhje me përcaktimin e rezidencës qeveritare se ku mund t’i kalojë 21 ditët e pushimeve verore kreu i shtetit, Bujar Nishani dhe familja e tij. Fillimisht përmes një shkrese të datës 27 prill, të firmosur nga sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Florjan Nuri, i kërkohet Drejtoreshës së Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, Kamelia Vojka që të vërë në dispozicion Vilën qeveritare të Dhërmiut për Presidentin Nishani dhe familjen e tij nga 11­31 korrik. Drejtoresha Vojka përgjigjet po atë ditë se Vila e Dhërmiut është e amortizuar dhe në pritje të një rikonstruksioni, shkruhet në “Panorama”. Në një shkresë të dytë, Presidenca kërkon që rikonstruksioni të mos bëhet gjatë periudhës së verës, por më vonë. Më 2 qershor, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare njofton se ka nisur rikonstruksionin e Vilës së Dhërmiut dhe i kërkon Presidencës të përzgjedhë një tjetër ambient që i përcakton ligji për të kaluar pushimet e zotit Nishani. Në përgjigje, Presidenca përmes sekretarit të Përgjithshëm, Nuri, kërkon që Presidenti Nishani dhe familja e tij të pushojnë pranë Vilës Nr.1 Vlorë, e rikonstruktuar pak vite më parë. Por, Drejtoria Qeveritare i kujton Presidencës se kreu i shtetit mund të shkojë në çdo kohë në vilat qeveritare të Durrësit, Pogradecit dhe Vilën nr.6 në Vlorë. Por, Presidenca nuk është e kënaqur me këtë përgjigje dhe i drejtohet kabinetit të Kryeministrit që të ndërhyjë. Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, në përgjigje të korrespondencës me Presidencës, shprehet se Vila qeveritare Nr. 1 në Vlorë do të përdoret nga Kryeministri sepse ai gjatë pushimeve zhvillon dhe aktivitet zyrtar dhe takime në këtë vilë, pasi vetëm kjo ka ambientet e përshtatshme për të zhvilluar këtë aktivitet, duke i kujtuar Presidentit të Republikës se janë dhe tri vila të tjera ku ai mund të pushojë, shkruan “Panorama”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.