Testi Kotzias, depresioni i Athinës përballë kurajos së Tiranës

Postuar në 14 Korrik, 2015 14:21

Mediat greke besojnë se vizita e ministrit të Jashtëm Nikolaos Kotzias në Tiranë nuk do të prodhojë një perspektivë më të mirë në marrëdhëniet mes dy vendeve, por do t'i shërbejë Greqisë për të nxjerrë disa konkluzione në funksion të rishikimit të strategjisë së saj ne Ballkan. Sipas tyre qeveria shqiptare do të mundohet të përfitojë nga "depresioni" i Greqisë për të kapitalizuar kërkesat e saj në çështje që nga Athina shihen si problematika që nxisin konfliktet në rajon dhe acarojnë klimën e tensionit mes dy vendeve. Kështu shkruan gazeta Ethnos teksa i referohet vizitës së pritshme në Tiranë të kryediplomatit grek, duke hequr një paralele mes qëndrimeve të Shqipërisë dhe Turqisë në raport me Greqinë. Kurajo e shtuar e qeverisë shqiptare sipas mediave greke vjen edhe nga vizita e fundit në Tiranë e kancelares Merkel dhe pozitave te Greqisë në raport me Berlinin. Duke iu referuar burimeve mediatike Kotzias vjen në Tiranë me një paketë propozimesh për zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull, në disa prej të cilave Athina ka vendosur të bëjë lëshime. E para dhe më kryesorja çështja e paktit detar me Shqipërinë, ku qeveria greke raportohet se do të kërkojë një korrigjim teknik të marrëveshjes së nënshkruar mes dy vendeve, por që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Qeveria shqiptare këmbëngul në një marrëveshje të re, qëndrim që nuk ka mirëkuptimin e të paktën partisë më të madhe të opozitës. Eksponentë të saj janë shprehur se trajtimi që e majta i bëri kësaj çështje ishte me prapavijë politike dhe s'kishtë të bëntë fare me parregullsitë teknike. Ish-ministri i Jashtëm demokrat, Tritan Shehu deklaroi në një intervistë për Ora News se qeveria shqiptare duhet t'i rikthehet marrëveshjes së mëparshme duke theksuar se normalizimi i marrëdhënieve me Greqinë është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Mediat greke thonë se në këmbim të një kompromisi ministri Kotzias do të premtojë abrogimin e ligjit të luftës dhe njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Megjithatë dosja greke zyrtarisht nuk është bërë e ditur dhe Ministria e Jashtme shqiptare nuk e ka konfirmuar një axhendë të tillë. Në një takim paraprak me gazetarët, këshilltarët e ministrit Bushati thanë se ministrit grek do t'i parashtrohet zgjidhja e çështjes çame ndërsa pritet të diskutohen pakti detar dhe heqja e ligjit të luftës. Ajo që kuptohet është se mes dy palëve kontaktet kanë qenë në pikën zero, qoftë edhe ato informale dhe me shumë gjasë Athina nuk do të këmbëngulë në pajtimin me palën shqiptare, por do të testojë predispozitën e Tiranës për të zgjidhur çështjet që mbeten pezull. Menjëherë pas turit në ballkan ministri i Jashtëm grek mësohet se ka thirrur Këshillin e Sigurisë për të diskutuar të gjitha konkluzionet e vizitës së tij në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri.
l.m

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.