Shkurtohen 6.200 punonjës. Cani “mbyll” llogaritë me njësitë e qeverisjes vendore që shkrihen

Postuar në 02 Korrik, 2015 02:47

“Gazeta Shqiptare” thotë se ministri i Financave, Shkëlqim Cani ka firmosur një urdhrin për mbylljen e llogarive të njësive të qeverisjes vendore që do të shkrihen nga reforma territoriale. E për rrjedhojë, rreth 6200 persona mbeten pa punë dhe buxhetit të shtetit i kursehen rreth 6 miliardë lekë. Sipas “Gazeta Shqiptare” të larguar nga puna janë 4900 këshilltarë, të cilët paguheshin me 10% të pagës së kryetarit të Njësisë së Qeverisjes Vendore dhe rreth 1250 punonjës administrate. Burime zyrtare nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se ministri Shkëlqim Cani ka firmosur urdhrin për procedurat e mbylljes së llogarive të njësive të qeverisjes vendore që do të shkrihen, mbështetur në ligjin “Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në Republikën e Shqipërisë” dhe atë “Për buxhetin e vitit 2015″. Sipas këtij urdhri, transferta e pakushtëzuar e tremujorit III në masën 10% dhe ajo e tremujorit IV 10%, për njësitë e qeverisjes vendore që do të shkrihen në kuadrin e reformës territoriale, çelet në Sistemin Informatik Financiar të Qeverisë më datë 1 korrik 2015. Ministria e Financave sqaron se njësitë e qeverisjes vendore që do të shkrihen, duhet të paguajnë deri në datën 7 korrik 2015 shpenzimet, dokumentacioni i të cilave përmban datën deri më 30 qershor 2015. Po ashtu, njësitë e qeverisjes vendore duhet të likuidojnë shpenzimet për paga dhe të tjera të lidhura me to (si sigurimet shoqërore etj.), të muajit qershor, brenda datës 7 korrik 2015. Sipas urdhrit të ministrit të Financave, të ardhurat e njësive vendore të shkrira të papërdorura deri në datën 7 korrik 2015 do t’i trashëgohen njësisë së re vendore, ndërsa të ardhurat tatimore vendore, për të cilat vepron si agjent administrata tatimore qendrore dhe institucione të tjera qendrore, të cilat shërbejnë si agjent tatimor, do të rakordohen dhe alokohen deri më datë 7 korrik 2015. Fondet e papërdorura do t’i kalojnë njësisë së re vendore.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.