Rikthimi i Greqisë në Ballkan. Të majtët radikalë të Athinës konfirmojnë kursin europian

Postuar në 25 Korrik, 2015 15:03

Në përfundim të takimit me Këshillin Kombëtar të Politikës së Jashtme, të përbërë nga përfaqësues të partive politike, ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias tha se turi i tij ne 7 vende të rajonit shënon rikthimin e Greqisë në Ballkan.
"Greqia rikthehet në Ballkan dhe politika jonë bazohet në dy shtylla. E para të mbështesim bashkëpunimin me çdo vend dhe perspektivën europiane të tyre dhe e dyta të gjejmë mënyrën për të rindërtuar Ballkanin, zhvillim që do të lehtësojë pozitat e këtyre vendeve në Bashkimin Evropian"-theksoi Kotzias.
Ministri i Jashtëm grek u shpreh po ashtu se gjatë turit të tij në Ballkan u konfirmuan marrëdhëniet strategjike të Greqisë me Bullgarinë dhe politika që Athina do të ndjekë lidhur me çështjen e Kosovës.
"Gjatë bisedave që pata u bë e qartë se për Kosovën po vazhdojmë një politikë që nuk e kemi vendosur tani, por që është vendosur në të kaluarën dhe bazohet në një marrëveshje të vitit 2012 për hapjen e një zyre të Kosovës në Greqi. Është një politikë që mbështet rrugën europiane të këtyre vendeve, e vendosur që në samitin e Selanikut të vitit 2003"-deklaroi Kotzias.
Sipas ministrit të jashtëm grek, Greqia pavarësisht dobësive të karakterit ekonomik mbetet vendi me mundësitë më të mëdha në Ballkan dhe se falë kulturës, aftësive politike dhe përvojës në çështjet europiane do të kontribuojë për një të nesërme më të mirë të vendeve të Ballkanit.
l.m

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.