A qëndron pretendimi i PD-së për pasojat e ndarjes territoriale në zgjedhje?

Postuar në 03 Korrik, 2015 06:17

Disa ditë pas zgjedhjeve, ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, shkruante për pasojat e reformës territoriale në rezultatin e procesit elektoral të 21 qershorit. Berisha e shihte ndarjen e re në funksion të pastër elektorale, në favor të mazhorancës, me vota dominuese në Jug. Dhe për këtë sillte një përllogaritje të thjeshtë: sipas tij, një kandidat i opozitës ka fituar me mesatarisht 48 mijë vota, kurse një kandidat i mazhorancës me afërsisht 48 mijë vota. Këtë llogari disa përfaqësues të PD-së e çojnë edhe më tej, kur analizojnë në këtë mënyrë: në garën për kandidatë mazhoranca mori rreth 840 mijë vota, kurse opozita 670 mijë vota. E konvertuar në mandate ky raport nuk përputhet, pasi mazhoranca ka 3 herë më shumë mandate se opozita.
Duke parë këto qëndrime është e pritshme që opozita të kontestojë bashkë me zgjedhjet edhe ndarjen e re territoriale. Mirëpo a beson realisht PD-ja te këto qasje, apo ato po hidhen si alibi për të zbutur presionin për humbjen? Të paktën pretendimi i dytë nuk qëndron: gara për kryetar i ngjan garës në mazhoritar të pastër, kur sikush mund të fitojë edhe me një votë. Edhe sikur kandidatët e opozitës të merrnin në çdo bashki vetëm një votë më pak se kandidatët e mazhorancës, pra në rang vendi vetëm 61 vota më pak, sërish fitues janë ata që kanë një votë më shumë. Kjo është në thelb kauzë e humbur, pasi përvoja na thotë se sado që të flitet për bastione, dinamika elektorale nuk frenohet. Përmeti dhe disa bashki tradicionalisht të majta, japin një provë sado të dobët për këtë. E pazakontë është fakti që PD-ja nuk ngre si problem të ndarjes, peshën e madhe të periferisë në raport me qendrat urbane, që kjo ndarje jep. Bashkimi i qyteteve të dikurshme me fshatrat përreth, krijon një shumicë sinkretike, që në praktikë anashkalon dallimin mes njësive që kanë qenë për shumë kohë të administruara më vete. Por edhe karakterizohen nga konsiderata apo sjellje të ndryshme komunitare. Saranda, Himara dhe ndoshta Lezha e provojnë këtë. Pra me ndarjen elektorale PD-ja ngre një kauzë për të cilën duhet të japë edhe rrugët sesi mendin të materializojë kontestimin, nëse do ta ndjekë atë deri në fund. Nëse në këto zgjedhje Mega nuk do të kishte marrë një njësi, do të kishim edhe problemin e përfaqësimit të minoritetit, që në disa vende sigurohet edhe përmes diskriminimit pozitiv dhe “zonave të lira”. Siç ndodh në Pustec.
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.