Propozohet traktat i ri miqësie mes Shqipërisë dhe Greqisë. Bushati i referohet Spinozës dhe Sofokliut. Kotzias: Zoti apo Allahu na caktoi afër-njëri tjetrit.

Postuar në 15 Korrik, 2015 06:26

3 memorandume për bujqësinë dhe turizmin janë hapi i parë për një ridimensionim të marrëdhënieve shqiptaro-greke. Të paktën ky ishte produkti në letër i takimit të ministrit të Jashtëm grek Nikos Kotzias me homologun e tij Ditmir Bushati në Tiranë. Ministri i Jashtëm shqiptar kishte zgjedhur thëniet e dy filozofëve, Sofokliut dhe Spinozës për të theksuar rëndësinë e forcimit të besimit në marërdhëniet mes dy vendeve.  

Nga ana e tij ministri Jashtëm grek teksa evidentoi zotësinë e studentëve shqiptarë për të dalë me rezultate të larta në universitetet greke tha se dy vendet duhet të luftojnë bashkarisht për të ardhmen, pasi Zoti apo Allahu siç tha ai i vuri të dy popujt të jetojnë afër njëri-tjetrit. Temat që priteshin me interes në konferencën për shtyp ishin, diskutimi për marrëveshjen e detit, ligji i luftës dhe çështja çame. Për të parën u tha se ka vullnet për ta zgjidhur në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe frymën europiane nëse palët nuk do të gjejnë mirëkuptimin.

Ministri Bushati tha se rasti i përcaktimit të shelfit kontinental mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk është i ngjashëm me atë të Italisë dhe Shqipërisë. “Sipas nesh(dy ministrave), kjo zgjidhje duhet të vijë nga ekspertë dhe grupe ekspertësh për të pasur një reflektim më të thellë në adresimin e çështjes. Dhe nëse dhe pas një punë të gjatë që mund të bëjnë grupet e ekspertëve nuk arrihet në një konkluzion të përshtatshëm e të pranueshëm për të dy palët, e drejta ndërkombëtare do të na orientonte drejt instrumenteve që do na japin një zgjidhje definitive”. 

Për çështjen e ligjit të luftës, dy palët u tha se ranë dakord për të riparë traktatin e miqësisë, ndërsa i pyetur për çështjen çame ministri i Jashtëm grek tha se çdo pretendim pronësie duhet zgjidhur në gjykata. “Ne besojmë se nuk ekziston një ligj lufte me Shqipërinë. Mendojmë se të gjitha marrëveshjet dhe deklaratat e bëra apo bashkëpunimi që kemi si anëtarë në NATO, jo vetëm na bëjnë miq, por dhe dy shtete partnerë dhe aleatë. Në të gjitha marrëveshjet e tjera që do të bëjmë në të ardhmen do të gjejmë mënyrën për të konfirmuar se nuk jemi në gjendje lufte. Çdo qytetar shqiptar mund t’i drejtohet gjykatave greke dhe i mbështetur mbi të drejtën të mund të pretendojë për kërkesat e tij. Ne nuk duam të minojmë miqësinë tonë. Duhet të mësojmë nga historia, të mos përsërisim gabimet e së shkuarës, por dhe të mos mbetemi të burgosur në këtë histori. Ne duam të ndërtojmë me Shqipërinë të ardhmen, e cila i përket të dyja vendeve dhe popujve, kryesisht në gjenerata tona të reja”- ka theksuar Kotzias.

l.m

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.