Prona, edhe njëherë përfitojnë realisht zaptuesit. Apo filozofia e zaptimit

Postuar në 21 Korrik, 2015 12:27

Është folur së fundmi shumë për reformën e pronësisë, sesi qeveria ka ndërmend ta mbyllë këtë problem të madh për një periudhë prej 10 vjetësh. Është hartuar edhe një projektligj, ndërkohë që kryeministri foli ndër të tjera edhe për paudhësitë e gjyqtarëve. Gjithsesi, për të trajtuar problemin në fjalë, kërkohet të përputhet ajo çfarë thotë Kushtetuta me ligjet respektive, që i faturojnë shoqërisë një kosto që moralisht e ka pranuar. Konkretisht Kushtetuta thotë në nenin 41 se: “E drejta e pronës private është e garantuar. Prona fitohet me dhurim, me trashëgimi, me blerje dhe me çdo mënyrë tjetër klasike të parashikuar në Kodin Civil. Ligji mund të parashikojë shpronësime ose kufizime në ushtrimin e së drejtës së pronës vetëm për interesa publikë”. Ndërkohë në nenin 42 sanksionohet se: “Liria, prona dhe të drejtat e njohura me Kushtetutë dhe me ligj nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor”. Fjalë të bukura, por që siç e dimë nga përvoja, mbeten në letër. Mjafton të kujtojmë këtu sesi qeveria e kaluar, me vetëm një VKM i dhuroi Kosovës një godinë për ambasadë, e cila ishte fituar nga pronarët e ligjshëm. Kur flitet për kosto që shoqëria ka pranuar t’i paguajë, kjo përfshin kostot financiare të kompensimit, që duhet të shoqërohen nga një sens drejtësie. Për ta kuptuar këtë shohim se çfarë thotë projektligji i tanishëm: “Të gjithë vendimet përfundimtare për kthim dhe kompensim prone, për përfundimin e procesit të kompensimit, do t’i nënshtrohen vlerësimit, si më poshtë:
a. vlerësohet prona e kthyer sipas zërit kadastral aktual të pronës dhe sipas zërit kadastral që ka patur, duke llogaritur kështu diferencën midis vlerës së kësaj prone sipas zërit kadastral aktual me vlerën që do të kishte prona sipas zërit kadastral që ka patur në momentin e shpronësimit.
b. vlerësohet prona e njohur për kompensim sipas zërit kadastral që ka patur dhe i zbritet diferenca e nxjerrë sipas shkronjës “a” të pikës 1 të këtij neni.
2. Kompensimi që do të përfitojnë subjektet e shpronësuar do të jetë vlera e llogaritur e pronës së njohur për kompensim minus diferencën e vlerës së tokës së kthyer.
3. Vendimet përfundimtare që kanë të njohur vetëm të drejtën e kompensimit kompensohen sipas zërit kadastral që ka patur prona në momentin e shpronësimit...”. Mjafton vetëm kaq për të kuptuar se asnjë nga parashikimet kushtetuese nuk respektohet. Shteti shqiptar, teksa njeh pronarët dhe të drejtën e tyre për kompensim, cakton në mënyrë arbitrare kriteret e kompensimit, çmimet dhe vlerën. Ndërkohë që do të zbatohej Kushtetuta do të ishte tregu ai që do ta përcaktonte çmimin. Të vihet re pika 3: “kthehet prona sipas zërit kadastral që ka patur në momentin e shpronësimit”. P.sh nëse dikujt i është shpronësuar tokë në Kamëz, dikur e regjistruar si tokë bujqësore arë, sot kompensohet sipas këtij kategorizimi, edhe pse ajo është tjetërsuar në Truall.

Padrejtësia bëhet dyfishe: së pari në kohën e shpronësimit, toka bujqësore kishte vlerën më të madhe, pasi ishte baza ekonomike e vendit, kurse sot, ajo qëndron poshtë truallit si vlerë. Këtu qeveria do të duhet të kishte bërë indeksim në çmim. Të shkojmë në Bregdet: toka ka qenë ose kullotë, ose tokë bujqësore si zë kadastral. A mund të pranojë dikush sot që të marrë kompensim mbi këtë kriter, kur vlera tokës aty është bërë shumëfish? Të kujtojmë nenin 42 të Kushtetutës që sanksionon se “prona nuk cenohet dot pa proces gjyqësor”.

Nga ana tjetër, aty ky shteti bën këtë kompensim, mund të rezultojë që aktualisht të jenë bërë ndërtime pa leje. Me ligjin më antipronë dhe më unik në histori, qeveritë shqiptare u njohin zaptuesve titullin e pronësisë aty ku pronarit i japin praktikisht një thërrime. Këtë se bëri as Enver Hoxha, i cili ankohej gjithë jetën se për çështjen e arit shqiptar të bllokuar nga britanikët donte edhe interesat. Aktualisht interesi i shkon vetëm atij që ka zaptuar. Përndryshe shteti këto lojërat me diferenca mund t’i aplikonte edhe ndaj kësaj kategorie, e cila ka përfituar tokë bujqësore sipas ligjit antinjerëzor nr. 7501, e kundrejt sipërfaqes së uzurpuar për ndërtim të bënte zbritjen e njësuar të sipërfaqes së pronës bujqësore. Me këtë rast do të përfitohej fond shtesë, por do të realizohej taksim i drejtpërdrejtë mbi ata që e lexojnë të drejtën e lëvizjes dhe të vendbanimit si të drejtë për zaptim. Vetëm me nismën e fundit, qeveria aktuale premton të legalizojë ndërtime nga ku përfitojnë 50 mijë familje.

Në fund një kosto e “fshehtë” të cilën ende nuk dihet sesi do të paguhet është shkelja e ligjit nga gjykatat. Kjo ka çuar në vendime nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg që e ka penalizuar shumë Shqipërinë financiarisht. Pra përvec aspektit të diskutueshëm legjislativ, kemi edhe vendimet e gjykatave që i shtojnë barrën shoqërisë. Është një gjë shumë e mirë që qeveri premton se do ta mbyllë këtë plagë, por kjo nuk mund të bëhet duke shkelur mbi njërën palë. Edhe kur përfaqësues të saj janë pjesë e kaosit të këtyre 25 viteve, si në rastin kur “ngulën hurin” edhe në amfiteatrin e Butrintit. Le të sjellim këtu një rast që dëshmon sesi absurditeti i ekzistencës së një gjoja shteti si ky shqiptar, çon në vendime që lënë pa mend edhe me indiferentin. Është rasti për Kakomenë dhe është konsumuar në Gjykatën e Tiranës(fotoja).
k.f

Comments

Submitted by Paul Tedeschini (not verified) on

<p>Prona private nuk respektohet ne Shqipnine &quot;postkomuniste&quot;. Zaptuesve u jepet prona e tjeterkuj per te perfitue vota ne zgjedhje ne kurrize te pronarve.&nbsp;</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.