A PO SHKON EKONOMIA SHQIPTARE DREJT GREMINËS?

Postuar në 10 Qershor, 2015 07:45

Leximi i të dhënave të fundit të publikuara nga INSTAT dhe FMN mbi ecurinë ekonomike të Shqipërisë është një “lumë uji” që rrëmben me vete çdo retorik të propagandës institucionale ku ekonomia shqiptare po ecën në rrugën e duhur dhe po del përfundimisht nga qorrsokaku i mëparshëm.

Nga një analizë paraprake e të dhënave del se ecuria ekonomike e vendit është plot me kontraste e në kompleks tregon një vend në vështirësi ekonomike, me probleme serioze “shëndeti” dhe shumë larg nga prespektiva për një rimëkëmbje të mirfilltë në periudhën afatshkurtër. E mbi të gjitha, analiza e disa prej treguesve që do paraqiten pak më poshtë çertifikojnë një faliment të pastër të masave të marra nga qeveria shqiptare, e këshilluar nga FMN-ja për t'i dhënë një hov ekonomisë shqiptare. duke ristrukturuar ekonominë e duke luftuar papunësinë dhe varfërinë që mbretëron në çdo skaj të vendit. Le ti marrim me radhë;

 

Statistikat e tregut të punës po na informojnë për një fenomen socio-ekonomik i ri. Numri i të papunëve po rritet shumë më tepër se vendet e punës së humbura së fundmi. Për të shpjeguar këtë fenomen duhet bërë shumë kujdes.

Në fakt statistikat e tregut të punës shpesh manipulojnë dhe vetë statisticientët, duke i çuar ata të interpretojnë në mënyrë të gabuar fenomene makroskopike. Motivi është shumë i thjeshtë: statistikat dhe treguesit e tregut të punës nuk masin vetëm flukset e të punësuarve dhe të papunëve (apo anasjelltas), por masin edhe “forcën e punës” (shumën e të punësuarve dhe të papunëve), “pasivët”, pra ata që nuk punojnë por duke qënë se nuk kërkojnë një punë pasi i kanë humbur shpresat, konsiderohen si të papunë.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT-it në dy vitet fundit llogaritet se janë hapur rreth 91000 vende të reja pune. Por duke ju referuar të njëjtit burim, për grupmoshat 15-64 për meshkuj dhe femra papunësia nga 16.4% që ishte në tre-mujorin e dytë e 2013-ës, ka kaluar në 18% në tre-mujorin e katërt të 2014. Pra nga këto të dhëna të thjeshta vërehet se po mbyllen shumë më tepër vende pune nga ato që po hapen të reja.

Dy të dhënat e fundit të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve duket se e verifikojnë këtë afirmim, pra falimentimi i rreth 200 bizneseve në sektorin e ndërtimeve dhe rritja e numrit të sipërmarrjeve që janë debitorë ndaj administratës tatimore arriti ne 16037. Krahasuar me një vit më parë ky numër është rritur me 3.5 herë dhe me 15% vetëm në këtë vit.

Kalojmë tani te borxhi publik, ky i fundit  dy vjet më parë ishte rreth 64% e PBB-së dhe Banka Botërore me të drejtë vuri alarmin se financat publike të vendit po hynin në një zonë shumë të rrezikshme. Aktualisht sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Financave, borxhi publik i vendit po kap një rekord historik, rreth 1 trilionë lekë ose rreth 73% e PBB-së.

Vitin e kaluar borxhi publik rritej mesatarisht me rreth 2.5 milionë euro në ditë kurse këtë vit rritja e stokut të borxhit po kap vlerën e 3.5 milionë eurove në ditë. Për më tepër presupozohet se në pesë vjeçarin e ardhshëm banka do të disbursojë rreth 1 miliardë euro të tjera borxh, ku pothuajse gjysma e tij do të shkojë për një financim të drejtpërdrejtë të defiçitit të qeverisë; kjo gjë është në kundër sens me atë çfarë kishte parashikuar programi i bashkëpunimit me FMN-në dhe BB-në që kërkonin një disiplinim të financave publike.

Ky borxh justifikohet me faktin se do të financohen reformat e ndërmarra nga qeveria të cilat konsiderohen të nevojshme për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe për të zbutur varfërinë.

Nëse vërejmë disa të dhëna bazë të mirëqenies, shohim se rritja e indeksit të çmimeve sipas të dhënave të fundit të INSTAT ka qenë 4 % kurse shërbimet dhe arsimimi ka kapur kuotën e 10%. Për më tepër, nëse krahasojmë rritjen e borxhit me rritjen e PBB-së, vërejmë se rritja e borxhit ka qënë shumë më e lartë nga rritja e PBB-së. Kjo tregon se ky borxh është shpenzuar keq dhe ka patur një rendiment shumë të ulët.  

Nëse llogarisim pagën mesatare reale në ekonomi në raport me vitin e kaluar, vërejmë një rënie me të paktën 5%. Kjo tregon se të gjithë ata që kanë si burim të vetëm pagën e marrë nga puna, janë 5% më të varfër se një vit më parë. Ky përkeqësim i të ardhurave reale tregon se në dukje kemi një rritje të varfërisë dhe aspak një rritje të mirëqenies dhe cilësisë së jetës siç pretendojnë institucionet që mbështesin rritjen e këtij borxhi.

Të dhënat e fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë dhe FMN-ja tregojnë gjithashtu se me siguri rritja e ekonomisë do jetë më pak se 3% që ishte parashikuar vitin e kaluar. Në të tilla kushte duket mëse evidente që nevojitet një kthim i fortë i kursit të politikës ekonomike të qeverisë ndryshe për Shqipërinë do ketë vërtet shumë “dhimbje e vuajtje” në vitet në vijim.

Ulja e nivelit të të ardhurave reale dëmton konsumin dhe mirqënien të cilat ndikojnë në mënyrë direkte te ulja e kërkesës për produkte, kjo e fundit ndikon në mënyrë direkte në uljen e investimeve dhe në rritjen e papunësisë. Pra ekonomia futet në një rreth vicioz “shkak-efekt” dhe nuk gjenerohet më zhvillim.

Kjo verifikohet deri diku edhe me faktin e rënies së vazhdueshme të të ardhurave fiskale.

 

Çfarë mund të bëhet në të tilla kushte?

Fakti është se rimëkëmbja e punësimit dhe përmirësimi i cilësisë së jetës të individëve, nuk mund të derivojnë kurrsesi nga hapja në masë e fasonerisë që jep rroga nën nivelin e minimumit të jetesës aq më tepër duke promovuar vendin te investitorët e huaj me argumentin se Shqipëria nuk ka sindikata. Fasoneria ka treguar se nuk sjell zhvillim, mjafton të mendojmë për Etiopinë apo Bangladeshin. Po ashtu edhe liberalizimi i kontratave të punës (mungesa e sindikatave) është treguar më së miri në Spanjë e deri diku tashmë në Itali se nuk sjell zhvillim apo rritje të punësimit.

Për të pasur zhvillim nevojiten reforma strukturore horizontale të orientuara nga kërkesa, ndërhyrje publike në ekonomi dhe politika fiskale ekspansive. Koha e politikave austerity të këshilluara nga BB dhe FMN ka marrë fund, vetë Blanchard e pranoi se këto politika thellojnë varfërinë dhe nuk gjenerojnë zhvillim.

Për të pasur zhvillim kemi nevojë për modele zhvillimi të integruar duke u bazuar në potencialet e secilit rajon dhe mbi të gjitha të integruar në të gjitha sferat sociale dhe produktive të vendit.

Nevojitet po ashtu të bëhet një analizë e detajuar e konsumit e më vonë të nxiten apo stimulohen investimet në ato fusha ku tregu vendas ka nevojë. Nga ana tjetër institucionet duhet të promovojnë ndërlidhjet pozitive ndërmjet sferave të ndryshme sociale dhe të mbështesin transformimin e njohurive dhe eksperiencës duke kontribuar kështu në një përmirësim të kapacitetit prodhues të ndërmarrjeve lokale.

Po ashtu Shqipëria mori statusin e vendit kandidat po në të vërtet sipas disa të dhënave paraprake, ka shumë gjasa që ne si vend të kemi një rënie të shumës së përfituar nga fondet e BE-së. Nëse deri në momentin kur morëm statusin, fondet e përfituara nga BE-ja shkonin diku te 250-300 milionë euro në vit, tashmë fondet nga BE-ja kanë rënë për arsye se duke pasur statusin e vendit kandidat, fondet merren në bazë të aftësisë së shtetit që aplikon për këto fonde pra futet në lojë konkurenca ndërmjet vendeve dhe jo si më përpara që ishin të përcaktuara. Tashmë për të thithur fonde dhe për të përfituar nga statusi i vendit kandidat nevojiten persona të kualifikuar në administratën publike që të shkruajnë projekte të nevojshme dhe të jenë më cilësorë se ato të prezantuara nga vendet e tjera kandidatë.

Për të konkluduar, nevojitet më tepër cilësi në administratën publike. Është e pa konceptueshme që në 2015 policat me sebepin për të vendosur ligj ndodh që të të  ndalojnë dhe të të çojnë në polici edhe pse janë pa uniformë e aq më keq me veshje sportive. Të gjithë duam rend dhe qetësi po me siguri asnjëri nga ne nuk do policë në versionin komunist.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

<p>faktet e paraqitura ne kete shkrim qendrojne ne shumicen e rasteve, por autori i ka qepur aq keq faktet sa edhe nje ekonomist me kurs fillestar do te qeshte me shkrimin...</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.