Përplasje në Asamblenë socialiste. Blushi pyet: Pse nuk është në program rizgjedhja e kryetarit? Rama e kundërshton

Postuar në 18 Korrik, 2015 04:30

Në Asamblenë Kombëtare të PS-së Rama tha: “fituam sfida me rëndësi , por kemi ende punë për të bërë”. Burime nga PS-ja bëjnë të ditur se po ashtu në program të punës së Asamblesë së PS-së është edhe ngritja e një grupi të posaçëm, i cili do të punojë për të përgatitur ndryshimet në statut. Sipas burimeve pranë PS-së, organizimi strukturor i saj do të marrë trajtën e ndarjes së re territoriale, ku do të ketë 61 kryetarë të PS-së në bashkitë e reja, të cilët do të jenë përgjegjës kryesorë për rrugën e partisë në këto zona. Po ashtu gjatë mbledhjes pritet të përcaktohen edhe sekretarët e rinj të partisë. Kjo, pasi disa prej tyre kanë përfunduar mandatin dhe të tjerë kanë marrë poste ministrore dhe nuk kanë pasur mundësi t’i mbulojnë të dyja pozicionet njëherësh. Ende nuk dihet nëse do të ketë ndonjë ndryshim statuor lidhur me çështjen e zgjedhjes së kryetarit të Partisë.

Por statusi i PS-së është shkelur sërish. Të paktën ky është pretendimi i një prej deputetëve socialist. Ben Blushi, i njohur për qëndrimin e tij kritik ndaj qeverisjes “Rama”, gjatë fjalës në Asamblenë e PS­së ka rishprehur shqetësimin për shkeljen e statutit të partisë. Mësohet se gjatë fjalës, Blushi ka kujtuar se statuti parashikon zgjedhjen një herë në 4 vjet të kryetarit të partisë, gjë që nuk është bërë. Por kryesocialisti Rama ka kundërshtuar deputetin Blushi. Blushi në qëndrimet e tij publike e ka shprehur edhe më herët këtë problem të funksionimit të partisë, ndërkohë që Rama e ka argumentuar këtë me fitore të zgjedhjeve, pas të cilave nuk ka pse të ketë rivotim për kryetarin. Madje Blushi shpesh herë ka ngritur zërin për zgjedhjen e kryetarit të ri, madje duke i thënë Ramës se ka marrë peng partinë, pasi nuk bën zgjedhje.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.