Për pronat flet Sonila Qato e AKKP-së: Pronarët janë mbajtur peng, çështja e kthimit dhe kompensimit nuk është trajtuar asnjëherë me qëllimin për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare

Postuar në 14 Korrik, 2015 03:39

Mision i mundur apo i pamundur kthimi dhe kompensimi i pronave për shqiptarët. Sonila Qato, që është dhe drejtoresha e AKKP-së, në një intervistë të gjatë për revistën Psikologji” rrëfen shumë nga detaje e kësaj pune. Ajo, si dhe disa gra të tjera,  prej thuajse dy vitesh është në krye të këtij institucioni,  si angazhim i projektit të të kryeministri Rama, i cili kërkon t’u japi rolit të femrës më shumë pika kyçe të adiministratës shtetërore.

Pyetjes së gazetares Orjona Tresa, që ka realizuar dhe intervistën në fjalë, se pranë zyrave të AKKP nuk kanë munguar asnjëherë rradhët e gjata të qytetarëve, Qato i përgjigjet: “Radhët e gjata në dyert e institucionit të AKKP-së nuk janë gjë tjetër veçse tregues i neglizhencës së madhe që është treguar në këto 23 vjet proces i nisur për realizimin e kthimit dhe kompensimit të pronave në raport me pronarët. Interesi i tyre për të mësuar për fatin e aplikimeve të tyre, për njohjen e pronës, apo i dosjeve me vendimmarrje kompensimi, u rrit shumë pas transparencës që mundëm me shumë vullnet të realizonim në Agjenci një vit më parë, në korrik të 2014-s”.

Dihet që AKKP ëshët një institucion problematik për vet specifikën që ka: kthimin apo dhe kompensimin e pronave të munguara të shqiptarëve, e më pas të grabitura, të mbivendosura, me letra të falsifikuara etj...  Duke folur për këtë pikë drejtioresha Qato thotë: “Çështja e kthimit dhe kompensimit të pronave ne vendin tonë nuk është trajtuar asnjëherë me qëllimin për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare. Pronarët janë trajtuar gjithmonë si një shtresë shoqërore e mbajtur peng përmes një procesi i cili është tërhequr zvarrë për mbi 23 vjet, me premtime të një klase politike, e cila asnjëherë nuk ka bërë përpjekje serioze dhe të qëndrueshme për ta zgjidhur këtë gangrenë. Përpjekjet e vitit 2004 përmes miratimit të një ligji të ri aktualisht në fuqi, u shpërfytyruan nga dhjetëra ndryshime ligjore që iu bënë këtij ligji aq sa sot nuk është e mundur efektivisht zbatimi i tij. Ky ligj është karakterizuar nga një mungesë transparence në implementimin e tij dhe ka lënë vend për shumë raste korrupsioni, të cilat kanë prevaluar mbi të drejtën, duke prishur balancat dhe duke shkaktuar dëm të madh për të gjithë sistemin e ekonomisë individuale e shoqërore dhe regjimin e pronës. Kjo ishte në vija të përgjithshme gjendja e institucionit në tetor të vitit 2013. Një panoramë e trishtë e mosfunksionimit, çorganizimit, keqadministrimit të një prej fushave më të rëndësishme të qeverisjes”.

Ndërkohë problemi i pronave ka jo vetëm pikat e saj më problematike por dhe vendet më të nxehta. Për drejtoreshën Qato, Jugu i Shqipërisë mbart problemet më të mëdha në këtë fushë. Sidomos në zonat turistike, si qarku i Vlorës. “Në këto qytete janë kryer edhe masakrat më të mëdah në çështjet e pronësisë. Sistemi i krijuar ndër vite qysh nga fillimi i këtij procesi stimuloi korrupsionin dhe përdorimin e dokumenteve të falsifikuara. Gjatë vitit të fundit AKKP ka bërë rreth 30 kallëzime penale për vendime kthim prone mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara e deri te rastet ku prona është regjistruar me vendime komisioni inekzistente ose më saktë të falsifikuara. Kjo situatë në jug të Shqipërisë, por sidomos në rrethin e Vlorës vjen edhe për shkak të faktit se pronarët nuk arrijnë dot të vërtetojnë origjinën e pronës dhe lidhjen me to deri në vitin 1945. Shkak është edhe kultura shoqërore e historike e këtyre zonave në regjistrimin e pronave të tyre, fakt i cili sot e vështirëson shumë procesin e vendimmarrjes për njohje pronësie në këto zona”, thotë  Sonila Qato për revistën “Psikologji”.

Më pas, pyetjes së gazetares Orjona Tresa se si do të mund të bëhet zgjidhja përfundimtare e këtij procesi, Qato i përgjigjet:  “Objektivi i punës së agjencisë në këto dy vjet qeverisje ka qenë pikërisht reformimi i këtij procesi në dy nivele: në atë ligjor dhe në atë institucional. Reforma ligjore ka lidhje me normimin dhe rregullimin e një situate alarmante përsa i përket sidomos çështjeve të kompensimit të pronarëve. Po ju jap një shembull: Në dhjetë vitet e fundit nga viti 2005 deri në vitin 2014 janë kompensuar pjesërisht nga 200 m2 deri në 600 m2 vetëm 850 vendime përfundimtare për kompensim. Ndërkohë presin të kompensohen 26 mijë vendime të tilla. Me këtë ritëm qeveria do mund ta mbyllë këtë proces pas minimumi 300 vitesh. Dihet se vendi ynë është vend bujqësor dhe është i ditur fakti që reformat e para të viteve ‘90 ndanë tokën bujqësore të ish-kooperativave me ligjin 7501. E gjithë toka bujqësore e ndarë me këtë ligj pritet t’u kompensohet pronarëve të origjinës së vjetër të tyre. Është i ditur gjithashtu fakti që asnjë toke bujqësore nuk është kompensuar asnjëherë nga asnjë qeveri deri më sot, ndërkohë që efektet e ligjit të Legalizimeve kanë shtuar kostot në kurriz të shtetit për kompensimin e pronarëve. Është e paimagjinueshme se si në 23 vjet proces nuk u mor asnjëherë përsipër trajtimi i pronarëve me kompensim financiar, fizik apo lloje të tjera kompensimi, siç i parashikon ligji. Është pikërisht kjo reformë që ne finalizuam në këto dy vjet çelësi i një zgjidhjeje reale në këtë fushë. Reforma në ligj sjell angazhimin e plotë të qeverisë për të përmbyllur brenda një afati 10-vjeçar kompensimin e pronarëve sipas një skeme efektive përmes një shpëblimi të drejtë. Për herë të parë do u paraqitet pronarëve një formulë realiste, e cila sjell pritshmërinë e mbylljes së kësaj gangrene. Nga ana e saj qeveria bën transparente mundësinë efektive të saj për të mbyllur në 10 vjet procesin e kompensimit, duke vënë në dispozicion të gjitha burimet e mundshme financiare apo fizike për pronarët dhe nga ana tjetër opronarët do mund të gëzojnë të drejtat e fituara prej 23 vjetësh në aktet tashmë të zverdhura nga koha të vendimeve të tyre për kompensim”.

 

Përgatiti: L.Veizi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.