Nis diskutimi i marrëveshjes me FMN në Kuvend. Relacioni i qeverisë shqiptare zbardh kushtet e kredisë

Postuar në 31 Mars, 2014 13:37

Në Kuvend këto ditë pritet të mbizotërojnë diskutimet dhe debatet për marrëveshjen që qeveria shqiptare ka nënshkruar me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Marrëveshja, që ndër të tjera parashikon një serë detyrimesh që duhen përmbushur nga pala shqiptare, ka të bashkëlidhur edhe një program financimi për 3 vitet e ardhshme. Kredia 330 milionë euro që do t’i akordohet me 9 këste Shqipërisë, do t’i adresohet fillimisht shlyerjes së detyrimeve të papaguara, çka pritet të ketë efekt pozitiv zinxhir në ekonomi. Nga ana tjetër, program parashikon një serë vendimmarrjesh dhe reformash nga pala shqiptare, që duket se kanë nisur të zbatohen menjëherë, me qëllim që fondi i FMN-së i injektuar në ekonomi të japë efektin e pritshëm.

Megjithatë, në dokumentin e FMN-së është lënë i hapur opsioni i rritjes së disa taksave, çka duket se do të shërbejë si argument i fortë për opozitën. Kjo e fundit, ka paralajmëruar se do të marrë pjesë në punimet e Kuvendit për këtë diskutim, edhe pse një javë më parë braktisi sallën. Debat për marrëveshjen e re me FMN ka pasur edhe një javë më parë në sallën e Kuvendit, ku opozita akuzoi mazhorancën se nuk ishte konsultuar për nënshkrimin e saj. Shkak për këtë debat u bë publikimi i raportit nga ana e FMN-së dhe fakti se ende nuk ishte bërë i njohur në Shqipëri dokumenti zyrtar i firmosur. Por si e argumenton qeveria shqiptare dokumentin që ka dorëzuar në Kuvend për miratim? “Instrumenti kyç i këtij programi, i cili mundëson efektivisht këtë balancim optimal midis reduktimit të borxhit publik, nga njëra anë, dhe përshpejtimit që prej këtij viti të rritjes ekonomike, nga ana tjetër, është pagesa e borxheve të prapambetura të qeverisë ndaj biznesit nëpërmjet injektimit të flukseve të huaja të kapitalit prej institucioneve ndërkombëtare” shkruhet në relacion. Në rast se efektet nuk do të jenë ato të pritshme në ekonomi, në relacion qeveria shkruan se “në program është paracaktuar lehtësimi i trajektores konsoliduese dhe njëkohësisht rritja e mbështetjes financiare të nevojshme nga FMN-ja”.

 

Relacioni zyrtar i marrëveshjes së huamarrjes:

Ky projektligj ka për qëllim miratimin e huamarrjes prej 295 420 000 (dyqind e nëntëdhjetë e pesë milionë e katërqind e njëzet mijë) SDR-sh, që Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i akordon Shqipërisë për programin 36 - mujor të ndihmës (EFF).

Rëndësia e programit

 Ekonomia shqiptare është ngadalësuar ndjeshëm fillimisht nën trysninë e krizës globale, por së fundi edhe prej dobësimit të kërkesës së brendshme. Ndërkohë që ekonomia e eurozonës duket se ka filluar të dalë prej recensionit të saj kërkesa e brendshme ka ende nevojë për nxitje. Një prej faktorëve që ka ndikuar negativisht kërkesën e brendshme ka qenë mospagesa në kohë e detyrimeve publike. Shlyerja e këtyre detyrimeve brenda një periudhe të shkurtër është mjaft e rëndësishme për të dhënë impulsin pozitiv që i nevojitet kërkesës së brendshme për të përshpejtuar rimëkëmbjen ekonomike. Niveli i lartë i borxhit publik e bën të vështirë financimin e këtyre pagesave duke u mbështetur vetëm në insturmentet e tregut, pa rritur rrezikun dhe koston e borxhit që do të ndikonte negativisht në pritshmëritë për të ardhmen.  Bashkëpunimi me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) mbështet pikërisht programin për rimëkëmbjen e ekonomisë, duke ruajtur në të njëjtën kohë ekuilibrat makroekonomikë që kjo rimëkëmbje të jetë e qëndrueshme. Ai është e bazuar mbi një program të qartë reformash e politikash adekuate ekonomike dhe synon rikthimin në një kohë sa më të shpejtë të ekonomisë në ritme të larta e të qëndrueshme. Ky bashkëpunim mundëson në mënyrë optimale, nga njëra anë, uljen graduale e të sigurt të borxhit publik, duke konsoliduar stabilitetin makroekonomik të vendit, ndërsa nga ana tjetër shmang trysninë e fortë afatshkurtër mbi ekonominë.

Madje ky program është në nxitje të rritjes ekonomike që prej vitit të parë të implementimit të tij. Programi me FMN-në parashikon që rritja ekonomike të fillojë përshpejtimin e saj që prej këtij viti në rreth 2% dhe për të arritur nivelin prej 4.2% në vitin 2016 e 4.5% në vitin 2017. Ndërkohë që gjatë vitit 2014 programi parashikon materializimin e reformave dhe masave që përgatitin shtratin për një konsolidim fiskal efektiv, borxhi publik parashikohet të hyjë në trajektoren e tij rënëse në vitin 2015, për të vijuar reduktimin në vitet e tjera. Instrumenti kyç i këtij programi, i cili mundëson efektivisht këtë balancim optimal midis reduktimit të borxhit publik, nga njëra anë, dhe përshpejtimit që prej këtij viti të rritjes ekonomike, nga ana tjetër, është pagesa e borxheve të prapambetura të qeverisë ndaj biznesit nëpërmjet injektimit të flukseve të huaja të kapitalit prej institucioneve ndërkombëtare. Pagesa e detyrimeve të prapambetura drejt sektorit privat parashikohet të fillojë menjëherë brenda tremujorit të parë të vitit. Gjatë vitit 2014 parashikohet të paguhet gati gjysma e totalit të vlerësuar të këtyre detyrimeve, konkretisht 2.5% e PBB nga rreth 5.3% të PBB, të vlerësuara në total. Pagesa e detyrimeve drejt sektorit privat me këtë intensitet të lartë, siç është parashikuar në programin me FMN-në, do të ndihmojë për të eliminuar me shpejtësi një prej pengesave më negative aktualisht në ekonominë e vendit.

Kjo pritet të përmirësojë ndjeshëm pozicionet financiare si të bizneseve, ashtu edhe ato të bankave. Pritet që duke filluar prej gjysmës së dytë të vitit 2014 të ndihet një impuls pozitiv domethënës në kërkesën e brendshme private të ekonomisë. Më tej pritet që ky përmirësim i pozicioneve financiare dhe rritja e kërkesës së brendshme të ndikojë pozitivisht si në ofertën, ashtu edhe në kërkesën për kredi në ekonomi. Krahas një sërë reformash të tjera strukturore të parashikuara në program, kjo do të mundësonte që sektori privat të rifillojë të angazhohet në plane investimesh. Rifillimi i rritjes së përvitshme të investimeve private në ekonomi është faktor përcaktues për të arritur në nivele të larta (mbi 4%) e të qëndrueshme të rritjes ekonomike. Programi i ndihmës së FMN-së, përveç akordimit të një huaje prej rreth 330 milionë eurosh në tre vjet me terma mjaft të favorshëm nga ky institucion, është premisë e rëndësishme për të mundësuar një fluks tjetër të konsiderueshëm kapitali të huaj nga Banka Botërore, si dhe një grant nga Komisioni Evropian. Kushtet e programit janë në linjë me programin e qeverisë.

Shtyllat kryesore të këtij programi janë:

 i) konsolidimi fiskal;

ii) përmirësimi i menaxhimit të financave publike që të mos krijohen më detyrime të prapambetura në të ardhmen;

iii) masa për uljen e kredive me probleme në sektorin bankar.

 Të gjitha këto janë masa të domosdoshme për të arritur një rritje të qëndrueshme ekonomike. Programi i dakordësuar me FMN-në është një premisë pozitive që ndihmon zgjidhjen e krizës së likuiditeteve për financimin e buxhetit, lehtëson pagimin e borxheve të trashëguara dhe uljen e kredive me

probleme. E rëndësishme është se ky program me FMN-në jep një ndihmesë esenciale në rikthimin e kredibilitetit të humbur të vendit gjatë viteve të fundit për shkak të ngadalësimit të rritjes ekonomike dhe trajektores së paqëndrueshme të financave publike. Rritja e kredibilitetit do të ndihmonte jo vetëm në uljen kostove të borxhit, por do të çonte gjithashtu në rritjen e investimeve të huaja. Këto lloj investimesh janë të rëndësishme jo vetëm për të mbështetur një rritje të lartë e të qëndrueshme të ekonomisë, por edhe për efektet pozitive që ato sjellin në strukturën e rritjes ekonomike. Mbështetja financiare si pjesë e këtij programi afatmesëm vjen në kohën e duhur, në fillim të vitit të parë buxhetor të një mandati qeverisës. Programi i dakordësuar me FMN-në, përveç se mundëson injektimin në ekonomi të një fluksi të konsiderueshëm kapitali të huaj, parashikon gjithashtu një fleksibilitet të lartë sa i takon trajektores së konsolidimit fiskal, në varësi të ciklit që do të shfaqë ekonomia.

Në rast se, për çfarëdo arsyeje të mundshme, do të vërehen shenja se ekonomia nuk po performon në linjë me trendin e rritjes së parashikuar në skenarin bazë të programit, atëherë në program është paracaktuar lehtësimi i trajektores konsoliduese dhe njëkohësisht rritja e mbështetjes financiare të nevojshme nga FMN-ja. Fleksibiliteti i dakordësuar në programin me FMN-në është tejet i rëndësishëm për të siguruar zbatimin e plotë të të gjitha reformave që parashikohen në program me qëllim arritjen e synimit madhor, rimëkëmbjen e ekonomisë në një afat të mesëm drejt ritmeve të larta e të qëndrueshme në kohë. Shuma e kredisë prej 295 420 000 SDR-sh do të disbursohet në 9 këste, nga të cilat, i pari do të disbursohet brenda muajit mars 2014 në një shumë prej 23 550 000 SDR-sh. Norma e interesit është e lidhur me normën e interesit për SDR, që aktualisht është 1.13 %. Ky interes do të paguhet për shumën e kredisë së tërhequr dhe të pashlyer deri në masën 180 000 000 SDR (që përbën 300% të kuotës së anëtarësisë). Për pjesën e huasë së tërhequr dhe të pashlyer mbi shumën e mësipërme aplikohet një interes i barabartë me normën bazë + 200 bp. Në rastet kur shuma e kredisë së tërhequr dhe të pashlyer kalon vlerën 180 000 000 SDR për një periudhe mbi tre vjet, norma shtesë që aplikohet mbi normën bazë të referencës rritet në 300 bp.

Komisioni i angazhimit, aplikohet në çdo fillim periudhe 12-mujore nga data e aprovimit të huasë në bordin e FMN-së, mbi shumat që parashikohet të tërhiqen gjatë kësaj periudhe. Norma e këtij komisioni është 15 bp (0.15%) për shuma të angazhuara që nuk e kalojnë vlerën prej 120 000 000 SDR-sh (që përbën 200 %të kuotave të anëtarësisë së Shqipërisë në FMN), ndërsa për shuma të angazhuara që e kalojnë këtë vlerë norma e komisionit rritet në 30 bp (0.3%). Ky komision i rimbursohet vendit në rast se tërhiqet e gjithë shuma e huasë së angazhuar brenda afatit të parashikuar. Komisioni i shërbimit aplikohet mbi çdo shumë që tërhiqet nga huaja dhe është në masën 50 bp (0.5%). Maturimi i huasë është 13 vjet dhe përfshin një grace-periode prej 4 vjetësh. Nisur nga rëndësia strategjike e këtij financimi, disbursimi i parë i të cilit duhet të kryhet brenda muajit mars 2014, paraqitet për shqyrtim dhe miratim, me procedurë të përshpejtuar, projektligji, si dhe kërkohet të përmbajë klauzolën e hyrjes në fuqi menjëherë.  

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.