Në fund të korrikut, kryetarët e bashkive gati të marrin detyrën. Bledi Çuçi: Gjithçka gati, por janë disa afate procedurale që duhen respektuar

Postuar në 13 Korrik, 2015 00:35

Vendimi i zgjedhjeve të 21 qershorit, tashmë është marrë dhe rezultatet paraprake kanë dalë tashmë, por ashtu siç shpjegon ministri i Pushtetit Vendor, Bledi Çuçi, për “Vizion Plus”, janë disa afate procedurale që duhen respektuar. Për disa nga bashkitë e vendit, ku tashmë futet edhe Bashkia e Tiranës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka marrë vendimin për të shpallur Erion Veliaj kryetar bashkie, por janë ankimet e partive që ngadalësojnë procesin e marrjes së detyrës.

Megjithatë në fund të muajit korrik, apo maksimumi në fillim të gushtit, të gjithë kryetarët e rinj, të 61 bashkive në vend do të duhet të jenë në krye të detyrave. Ministri Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, sqaroi për “Vizion Plus”, afatet e përcaktuara që duhen respektuar. “Ka disa afate procedurale pas shpalljes së rezultatit përfundimtar. Janë 5 ditë afat që u lihen subjekteve për t’u ankuar dhe pasi skadon ky afat pa pasur ankesa, atëherë kryetarit të tij i lind e drejta që të shkojë në gjykatë për verifikim mandati. Vetë gjykata ka 15 ditë afat për ta shqyrtuar kërkesën e kryetarit për verifikim mandati dhe menjëherë pasi merr vendimin e gjykatës është gati për t’u bërë mbledhja e parë e këshillit, që është mbledhja e konstituimit të këshillit të ri bashkiak dhe betimi i kryetarit që është edhe dita e parë e punës”, sqaroi ministri Çuçi.

Drejtuesit e rinj të 61 bashkive u thirrën pak ditë më parë në një takim me kryeministrin e vendit, Edi Rama, ku i shpërnda edhe një udhëzues praktik, ku përfshihen të gjitha aspektet ligjore dhe administrative, që duhen pasur në konsideratë në procesin e tranzicionit në një pushtet vendor me 61 bashki.I pyetur në lidhje me fillimin e punës, nga kryetari i bashkisë së kryeqytetit, Erion Veliaj, Çuçi shprehet: “Nga fundi i korrikut çdo gjë do të jetë gati për marrjen e detyrës nga ana e kryetarit të ri të bashkisë”. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.