"Lulzim Basha nuk loboi vetë të takohej me Merkel". Ndriçim Kulla e kërkon arsyen te një këshillë e Bismarkut

Postuar në 10 Korrik, 2015 06:22

Angela Merkel erdhi, iku, por përrallat në Tiranë për pozën e munguar, apo takimin e parealizuar vazhdojnë. “Argumente” ka me bollëk, mjafton të rrëmosh mirë. Në ndihmë madje vjen edhe historia. Kështu Ndriçim Kulla, botues, analist dhe Ndihmës i Presidentit të Republikës, “sqaron” në një shkrim në gazetën “Mapo” se pse nuk u takua kreu i opozitës, Lulzim Basha, me kancelaren Merkel. Ja zbulimi i Kullës: “Është vetë lideri i opozitës ai që lobon në vendin përkatës, për të siguruar një takim me kryeministrin apo kryetarin e shtetit që do të vizitojë vendin e tij. Por Basha nuk loboi për këtë dhe bëri mirë. Se zonja Merkel, me gjithë fuqinë që ka, është një kancelare karriera e së cilës merr fund pas dy vjetësh, pas 12 vjetëve pa ndërprerje në detyrën e kancelares. Në 2017 mbahen zgjedhjet parlamentare në Gjermani dhe në Shqipëri. Merkel ka thënë se cilido që të jetë rezultati i këtyre zgjedhjeve, ajo nuk do të jetë kancelare e Gjermanisë për një mandat të ri. Pra zonja Merkel e mbyll karrierën si kancelare dhe madje edhe si politikane, me mbylljen e kësaj legjislature të Bundestagut gjerman,” shkruan Kulla. Po vetëm për këtë vallë Basha nuk loboi? Jo, thotë Kulla, me sigurinë e njeriut që ka informacion të brendshëm. “Nga këndvështrimi i rregullave të politikës europiane, Basha mund të kërkonte një takim me zonjën Merkel vetëm për sentimentalitet politik. Por siç thoshte Bismarku, që e quajtën kancelari i hekurt, një titull që disa e kanë përdorur sot edhe për zonjën Merkel, gabon ai që i dorëzohet sentimentalitetit në politikë. Kjo këshillë e Bismarkut, në kushtet e sotme do të thotë që Basha do të gabonte nëse do të kishte kërkuar një takim me Merkelin. Sipas këshillës së Bismarkut, Basha bëri më mirë që e shfrytëzoi vizitën e Merkel në Tiranë për të treguar kapjen prej tij të një standardi të lidershipit politik europian. Sigurisht që Basha ka një respekt të plotë për zonjën Merkel, por siç tregoi edhe sjellja e kësaj të fundit me Kolin, të cilit i detyrohej për karrierën e saj politike, politika nuk njeh sentimentalitet”, vijon Kulla. Pra, është vizioni bismarkian që në këtë rast e ka mbajtur larg Lulzim Bashën nga gabimi i një takimi me Merkel. A mund të hahet kjo vallë?
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.