Letra e Nexhmije Hoxhës, armiqësi me Liljana Hoxhën. Por edhe politikë: “Askush nuk më ka shkruar letra më të poshtra se ajo kur isha në burg”

Postuar në 03 Korrik, 2015 16:27

Gazeta “Dita” botonte në numrin e saj të sotshëm atë që e quan “Testamenti i Nexhmije Hoxhës”. Bëhet fjalë për një letër të bashkëshortes së Enver Hoxhës, shkruar në vitin 2008, por që në fakt i ngjan një testamenti familjar. Ndonëse i tillë, elementë të kësaj letre, të cilës nuk i mungon fryma e mërisë tradicionale nuse-vjehrrë, japin edhe një të dhënë shtesë për kronikën e Bllokut, që nuk është vetëm kuriozitet. Nexhmije Hoxha duket se ka edhe në këto vite të fundit të jetës një “armik” personal: kjo është Liljana Hoxha, që nëpër rreshta, si për ta evidentuar si mish të huaj për familjen Hoxha” e cilëson me emrin e saj të vajzërisë: Ilirjana Shella-Sotiri. “Koha tregoi se ti, Ilir, kishe bërë një zgjedhje të mirë për shoqen e jetës. Se gruaja mund të bëjë të lumtur, ajo mund edhe të ta nxijë jetën. Një shembëlltyrë e tillë i ndodhi djalit tjetër tim, Sokolit, për fatkeqësinë e tij e të familjes sonë, u lidh me një grua jo vetëm të sëmurë nga nervat, por të sëmurë nga koka e të ligë nga shpirti. Siç tregoi koha, ajo kish qenë mish i huaj që kur hyri në shtëpinë tonë, po që me ndryshimin e klimës politike në vend erdhi në dekompozim e degradimin e fundit politiko-moral”, shkruan Nexhmije Hoxha. Madje e veja e Enver Hoxhës shton edhe një hollësi pikante që dëshmon për një urrejtje që ndan këto dy gra të familjes Hoxha. “Por shpërthimet e humorit të saj të paekuilibruar me pjesëtarë të familjes ku haptazi, ku gjysmë të fshehta, ishin ndjerë edhe më parë. Duke qenë në burg, askush s’më ka shkruar letra aq të poshtra sa ajo”, vijon Hoxha. Në stilin e njohur të një zyrtareje të ish-nomenklaturës, që nuk revizionon asgjë në pikëpamjet dhe qasjet e veta, Nexhmije Hoxha, përcjell kështu, edhe në raportin familjar një komunikim të “higjenizuar” ideologjik e klasor, teksa shkruan për ballistë, zogistë e bashkëpunëtorë të nazizmit. I vetmi pra aspekt i përbashkët me të zakonshmen njerëzore është “bekimi i nënës”.
http://www.gazetadita.al/amaneti-i-nexhmije-hoxhes-kujdes-ng...
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.