Kujt i shërben strategjia e investimeve të huaja?

Postuar në 19 Qershor, 2015 08:10

Dy vjet ndoshta nuk mjaftojnë për të ndryshuar statistikat pesimiste të investimeve të huaja në Shqipëri, por nga ana tjetër është kohë më se mjaftueshme për të marrë sinjale se investitorët e huaj kanë kthyer vëmendjen nga ekonomia shqiptare.

Ardhja e kapitalit të huaj është basti që duhet të fitojë qeveria për të dalë nga trajektorja e një të kaluare me investime të huaja direkte minimale, që as për statistikë nuk i shërbejnë rritjes ekonomike dhe punësimit. Teorikisht rritja e pranisë së investimeve të e huaja është një objektiv i qeverisë, por nisur nga shifrat e dhëna nga vetë ministri Ekonomisë, Arben Ahmetaj, të paktën 1 vit ka kaluar kot dhe kjo është e vetëpranuar.

Ja se çfarë thotë për këtë çështje ministri Ahmetaj në një takim me investitorët e huaj: “Vitet e fundit investimet e huaja kanë njohur shifra relativisht më të mëdha se sa ka pasur 5 apo 10 vite më përpara. Është arritur gati në 1 miliardë dollarë krahasimisht 2013 me 2014, por unë besoj që megjithëse kjo shifër në referencë është e kënaqshme, është e pamjaftueshme për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm dhe cilësor të ekonomisë shqiptare, në mënyrë që të përkthehej rritja ekonomike në benefite të drejtpërdrejta për qytetarët. Thënë kjo, në 10 vitet e fundit Shqipëria ka parë një rënie të investimeve totale private. Ka qenë në vitin 2005 rreth 33 për qind e PBB dhe ka zbritur në vitin 2013 në 20.7 për qind e PBB. Ne mendojmë se në vitin 2014 do të ketë ngjitjen e parë modeste në 20.9 për qind të PBB”. Pra në 1 vit progresioni i investimeve të huaja u rrit me 0.2% të PBB-së, një shifër e papërfillshme.

Agjencia që shërben si ndërmjetëse mes investitorëve të huaj dhe shtetit shqiptar është AIDA, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit te Investimeve. Në faqen zyrtare të saj renditen sektorët potencialë ku të huajt mund të investojnë kapitalin e tyre si dhe avantazhet që ofron Shqipëria në këtë drejtim. Energjia e rinovueshme, industria minerare, turizmi, manifaktura, agrokultura, transporti dhe shërbimet IT sipas kësaj agjencie janë fusha me interes për bisnesin e huaj. Ndërsa si arsye për të investuar jepen krahu i lirë i punës, personeli i kualifikuar, infrastruktura dhe ajo që është më kryesorja sipas qeverisë, kuadri fiskal ose taksat e ulëta. Në lehtësitë që përmenden është se në Shqipëri nuk ka asnjë kufizim për përqindjen e kapitalit të huaj në një ndërmarrje; 100% e së drejtës së pronësisë është e mundur edhe nga kapitali i huaj; tatimi mbi fitimin është vetëm 15%; dhe regjistrimi i një biznesi të ri bëhet brenda 24 orëve. Por operacioni me taksat dhe kalimi nga tatimi i sheshtë në atë progresiv duket se nuk ka dhënë efektin e dëshiruar dhe perceptimi që kanë investitorët e huaj për nivelin e taksave në Shqipëri është i ndryshëm nga ai i qeverisë shqiptare.

Ja si i përgjigjet sekretari i shtetit në ministrinë e Ekonomisë të Renanisë Veriore-Vestfalisë, Günther Horzetzky pyetjes së “DË” për klimën e investimeve në Shqipëri. “Neve na nevojiten ligje korrekte, një ligj i arsyeshëm për tatimet dhe një drejtësi e sigurtë. Kur të jenë krijuar kushtet e tilla, atëherë përmirësohet klima për sipërmarrjet dhe atëherë edhe ne do të investojmë”. Kuadrin e disfavorshëm fiskal e videnton edhe ambasadori francez në Tiranë z.Bernard Fitoussi në një intervistë për revistën ekonomike “Monitor” në maj të këtij viti. “Nga kontaktet që ne kemi me ndërmarrjet franceze, më duket, pikë së pari, niveli i taksave ka shumë rëndësi, sidomos kur vende të tjera të rajonit ofrojnë tarifa fiskale më avantazhuese”.

Rezerva për politikat fiskale të qeverisë kanë shprehur edhe Dhoma Amerikane e Tregëtisë dhe Konfederata e Industrive. Struktura e ekonomisë shqiptare është e tillë ku 90 për qind e ndërmarrjeve janë SME ose ndërmarrje të vogla e të mesme dhe për të joshur investitorët e mëdhenj kërkohet një harmonizim i kuadrit fiskal.

Por aktualisht Shqipëria ka një model zhvillimi që shkon në drejtim të kundërt me ambicjen për investime të huaja, pasi grupet e mëdha interesohen për projekte të mëdha dhe kërkojnë tregje të strukturuara mirë. Nismat ligjore Në kuadër të strategjisë për investimet e huaja qeveria ka nisur të zbatojë një plan që lidhet me 4 nisma ligjore, ku një prej tyre është edhe ligji për konçesionet.

Ndryshimet e ligjit prekin kryesisht procedurën, gjë që sipas relacionit të ligjit e bën iniciativën e drejtpërdrejtë për partneritet publike privat që të jetë në avantazh dhe të vijë me projekte novative të plotë, për çfarë do lloj ideje që mund të ketë. Në korrik qeveria shqiptare do të presë oferta për 62 projekte ide të hedhura për të gjithë sektorët. Kjo qasje mund të sjellë investirorë të huaj, por në çdo rast ato do të prodhojnë shërbime dhe do të marrin përfitime nga taksat. Pra konsiderohen investime që nuk do të rrisin prodhimin dhe forcojnë ekonominë, por do të përmirësojnë shërbimet.

Por gjithsesi edhe për këtë hapje ka skepticizëm. Eksperienca e këtyre dy viteve ka treguar se marrëdhënia e krijuar me konçesionarët ose e ka çuar qeverinë drejt arbitrazhit ose ka ngritur dyshime të mëdha për afera korruptive. Vlen të përmendim konncesionin për skanimin në dogana, fituar nga kompania “Rapiscan”, për të cilin qeveria kontraktoi një studio të njohur ndërkombëtare, e cila në këmbim të 500 mijë eurove i këshilloi zgjidhjen e konfliktit me marrëveshje. Po ashtu dhënia me konçesion e shërbimit të Kontrollit Shëndetësor një firme vendase, që rezultoi se ishte pa eksperiencë në këtë fushë ngriti hije të mëdha për klientelizëm dhe favorizim në tender.

Për ambasadorin e Francës Bernand Fitousi “një investitor ose edhe një shitës ka nevojë të ndihet i sigurt. Ai nuk do që klauzolat e kontratës së tij të modifikohen gjatë realizimit të kontratës. Ai ka nevojë të ketë një kuadër ligjor solid, që nuk do të ndryshojë çdo 4 vjet. Ka nevojë të ketë përballë tij, vendimmarrës kompetentë dhe të ndershëm, në gjendje përt’ju përgjigjur shpejt kërkesave të tyre”.

Karem joshës për investimet e huaja konsiderohet edhe ligji për turizmin ku përfshihet dhënia e tokave me qira 1 euro për 99 vjet dhe ligji për zonat e lira ekonomike që është përkufizuar si parajsa fiskale për të huajt. Thithje investimesh, apo klientë në horizont?

Ligji i dytë dhe më i rëndësishmi i paketës së iniciuar nga ministria e Ekonomisë është ligji për investimet strategjike, i cili sipas relacionit i jep mundësi bizneseve me kategori të ndryshime investimesh të kenë një dritare unike shërbimi. Ky kuadër ka ekzistuar edhe në qeverisjet e mëparshme me ndonjë mangësi proceduriale nga propozimet e tanishme dhe nuk dhanë efektin e dëshiruar.

Ajo që ngre pikëpyetje është ideja e qeverisë për të shpronësuar tokat e privatëve në interes të një privati tjetër. Kjo është sanksionuar në nenin 26 të ligjit ku thuhet se “për të mundësuar zhvillimin dhe realizimin e projekteve investuese strategjike, të cilat kanë përfituar statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”, në zbatim të këtij ligji, si dhe të punëve dhe shërbimeve mbështetëse infrastrukturore, lejohet shpronësimi, për interes publik, i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private sipas rregullimeve në legjislacionin e aplikueshëm për shpronësimin për interes publik, nëse investitori nuk ka mundur ta zgjidhë pronësinë mbi pasurinë e paluajtshme me marrëveshje me pronarin e pasurisë së paluajtshme, mbasi janë kryer më parë përpjekjet përmes instrumenteve të lehtësimit të aksesit në tokë nga investitori dhe, ose ristrehimit nga shteti”.

Pra thënë me fjalë të thjeshta shteti i jep të drejtën vetes të shesë tokën e privatit një investitori të huaj. Kjo do të shoqërohet edhe me një ndryshim në ligj që quhet garancia juridike dhe që parashikon që kontratat me privatë ose me shtetin, në një shifër të caktuar e sipër, mund të kthehen në kontrata ku të votohen si ligje në parlament. Këtu lind një pyetje nisur nga fakti se deri më tani nuk ka patur një kërksë në rritje për investime të tilla, saqë të kërkojnë ndryshime ligjore të kësaj natyre: pse vallë qeveria përgatit një kuadër të tillë, që cënon të drejtën e pronësisë, kur ndërkohë kërkesa është për kuadrin fiskal e tatimor, si dhe gjyqësorin? Është ende herët për të folur, por me një ide mund të spekullohet. Ndoshta qeveria po krijon kuadër lehtësues për “klientë” ose ofertues që mund të rrezikojnë investimin në Shqipëri, vetëm nëse hyjnë të garantuar. Përndryshe do të ishte oferta dhe interesi ai që do të çonte në ndërhyrje legjislative.

Një tjetër ofertë që josh është ajo e prezantuar nga ministri Arben Ahmetaj biznesmenëve të diasporës, përfshirë edhe kjo në paketën e strategjisë për investimet e huaja. “Jemi duke skanuar tokat shtetërore në bregdet, të cilat do t’i afrojmë dhe vëmë në dispozicion për sipërmarrje si puna juaj. Shumë shpejt dhe ato do t’i nxjerrim në një garë ndërkombëtare ku jeni të ftuar të merrni pjesë dhe të garoni”.

Të presim e të shohim nëse viti 2016 do të jetë një vit spektakolar ekonomik siç ka deklaruar ministri Ahmetaj apo një spektakël qeveritar me konçesionet, tokat e lira ato në bregdet apo zonat e lira ekonomike.

l.mitro

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.