Intervista/ Sonila Qato, drejtoresha e AKKP: Kthim-kompensimi i pronave jo më një “mision i pamundur”, brenda 10 vjetësh zgjidhje e plotë

Postuar në 23 Korrik, 2015 22:24

Leonard Veizi

 

A janë pronat në një kaos të pasgjidhshëm, apo përndryshe a vazhdon të jetë kthim-kompensimi i tyre një “mision i pamundur”? Kësaj pyetje fort të diskutueshme Sonila Qato i përgjigjet me optimizëm duke thënë se kjo punë tanimë po shkon drejt një zgjidhje të plotë. E sipas drejtoreshës së AKKP-së, jo pa qëllim në fundvitin 2013 çështja e pronave u klasifikua nga qeveria si një ndër 6 prioritet e saj për zgjidhje. Nëse gjithçka do të funksionojë ashtu siç duhet, brenda 10 viteve të ardhshëm terrori i kahershëm mbi fenomenin pronë merr fund. Në një intervistë për “Respublika” ajo shpjegon se ku ndodhet “themra e Akilit” që do të sjellë dhe rregullatorin e shumëkërkuar, ajo që do të bëjë të mundur kthimin apo kompensimin e pronës për pronarët e ligjshëm.

Respublika  - Kthim kompensimi i pronave i ka zhgënjyer vazhdimisht njerëzit që rrinin në rradhë pranë zyrave të AKKP...

Radhët e gjata në dyert e institucionit të AKKP-së nuk janë gjë tjetër veçse tregues i neglizhencës së madhe që është treguar në këto 23 vjet proces, i nisur për realizimin e kthimit dhe kompensimit të pronave në raport me pronarët. Fatkeqësisht, në çdo bisedë me njerëzit shfaqet dukshëm zhgënjimi i madh e i përjetuar nga përvoja e jetuar më parë në këtë agjenci.

Respublika  - Çfarë po ndodh aktualisht në po të njëjtat zyra?

Interesi i njerëzve për të mësuar për fatin e aplikimeve të tyre, për njohjen e pronës, apo i dosjeve me vendimmarrje kompensimi, u rrit shumë pas transparencës që mundëm me shumë vullnet të realizonim në agjenci një vit më parë, në korrik të 2014-s.

Aktualisht, qytetarët e interesuar për fatin e pronave të tyre marrin shërbim nga zyra jonë e marrëdhënieve me publikun, ku çdo ditë u shërbehet me angazhimin për t’i rikthyer fytyrën kësaj agjencie, deri dje jo shumë e hapur për informacionin ndaj publikut. Përmes faqes ëeb të AKKP-së, çdo ditë u kthehet përgjigje dhjetëra email-ve që na dërgohen. Qytetarët vijnë nga të katra anët e Shqipërisë dhe secili prej tyre mbart specifika të ndryshme dhe angazhim të posaçëm. Të gjithë në agjenci përpiqemi fort të forcojmë besimin e qytetarëve tek institucioni që drejtojmë. Personalisht më krijon gëzim dhe emocion çdo reagim i tyre pozitiv ndaj imazhit të ri, që me shumë mund po përpiqemi të ndërtojmë. Sigurisht që jemi ende larg imazhit ku duam të arrijmë, por jemi në rrugën e duhur!

Respublika  - Sapo keni prezantuar një reformë të cilësuar si “e thellë”. Ku konsiston...?

Objektivi i punës së agjencisë në këto dy vjet qeverisje ka qenë pikërisht reformimi i këtij procesi në dy nivele: në atë ligjor dhe në atë institucional. Reforma ligjore ka lidhje me normimin dhe rregullimin e një situate alarmante përsa i përket sidomos çështjeve të kompensimit të pronarëve. Për shembull: Në dhjetë vitet e fundit nga viti 2005 deri në vitin 2014 janë kompensuar pjesërisht nga 200 m² deri në 600 m² vetëm 850 vendime përfundimtare për kompensim. Ndërkohë presin të kompensohen 26 mijë vendime të tilla. Me këtë ritëm qeveria do mund ta mbyllë këtë proces pas minimumi 300 vitesh.

Respublika  - Si duhet përshpejtuar ky ritëm?

Reforma në ligj sjell angazhimin e plotë të qeverisë për të përmbyllur brenda një afati 10-vjeçar kompensimin e pronarëve sipas një skeme efektive përmes një shpërblimi të drejtë. Për herë të parë do u paraqitet pronarëve një formulë realiste, e cila sjell pritshmërinë e mbylljes së kësaj gangrene. Nga ana e saj qeveria bën transparente mundësinë efektive të saj për të mbyllur në 10 vjet procesin e kompensimit, duke vënë në dispozicion të gjitha burimet e mundshme financiare apo fizike për pronarët dhe nga ana tjetër pronarët do mund të gëzojnë të drejtat e fituara prej 23 vjetësh në aktet tashmë të zverdhura nga koha të vendimeve të tyre për kompensim.

Respublika  - A ka skepticizëm në këtë ndërrmarje?

Ndoshta jo pa të drejtë një ekspert ndërkombëtar i të drejtave të njeriut e quajti procesin e nisur nga ana jonë si “mision i pamundur”. Duke asistuar shpesh Shqipërinë në çështjet e pronave gjatë viteve të kaluara, skepticizmi i tij ndaj angazhimit tonë ishte i dukshëm. Por bashkëpunimi intensiv i grupit të punës për hartimin e kësaj reforme rrëzoi çdo dyshim, mbi kurajën dhe përgjegjësinë e finalizimit të një misioni jo të pamundur.

Respublika  - Çfarë përfitojnë pronarët nga reforma e prezantuar përmes projekt-ligjit të ri?

Në një proces të tejzgjatur vendimarrje për kthim dhe kompensim pronash nga viti 1993 deri në vitin 2013 për herë të parë merret përsipër nga qeveria realizimi i një reforme e cila ka për mision perfundimin e këtij procesi brenda 10 viteve. Deri më sot 96.6% e pronarëve janë shperblyer me 0 lek në këmbim të tokës së njohur e të vendosur për kompensim nga ky sistem. Reforma parashikon kompensimin e plotë financiar por edhe fizik për 100% të vendimeve për kompensim të dhëna që në vitin 1993. 75% të këtyre vendimeve kompensohen sipas pritshmerive 23 vjeçare të pronareve; kush ka pasur tokë bujqesore e cila edhe sot eshte e tillë dhe vendosur nga komisionet per kompesim do të përfitojë kompensim të plotë me çmimin e hartës së vlerës së prones aktuale apo në fuqi me miratimin e ligjit të ri. Për herë të parë me këtë reforme nis kompensimi i tokës bujqësore, pyje e kullota e vijon kompensimi i tokës truall, përmes formulës së re që ofron ky draft projekt ligj. Për herë të parë merret përsiper kthimi i pronës përmes kompensimit fizik brenda kufijve të prones së njohur për pronaret brenda një afati prekluziv 3 vjeçar. Menjëherë me miratimin e ligjit nis procesi i vendimarrjes për dosjet e patrajtuara deri më sot apo ato që do të aplikohen në vijim.

Respublika  - Keni marrë miratimin e Këshillit të Evropës për këtë draft-ligj?

Prezantimi publik i këtij draft-ligji u realizua mbas një konsultimi intensiv me ekspertet e misionit te KiE të caktuar për të ndjekur hapat e ndërtimit të këtij draft ligji. Ishte vet shefi i zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë i cili lexoi deklaratën e Komitetit të Ministrave pranë KiE ku inkurajohej qeveria shqiptare në finalizimin e këtij draft ligji duke konsideruar zgjidhjet e ofruara në këtë ligj si në përputhje me orjentimet e dhëna nga Këshilli i Evropës. Asistenca e KiE do të jetë edhe në vijim të hapave që presim të realizojme deri në miratimin e këtij ligji dhe fillimin e punës për implementimin e tij.

Respublika  - Pas kësaj a keni një mesazh për të gjithë pronarët?

Vërej me keqardhje që grupet e interesit nuk janë aspak të interesuar të lexojnë draft ligjin e prezantuar nga ana jonë, ashtu sikurse konstatoj një fushatë disinformimi të publikut nga ana e tyre. Manipulimi për interesa personale që po i bëhet këto ditë këtij drafti, nuk tregon gjë tjetër veçse dëshirën për të mos e përfunduar asnjëherë këtë proces! Kundërshtimi i hapur që po i bëhet sot zgjidhjes së ofruar, çon automatikisht drejt një zvarritje të mëtejshme të këtij procesi edhe për 300 vitet e ardhshme.

Qeveria është e vendosur të përfaqësojë përmes këtij draft ligji interesat e ligjshme të shumicës së pronareve, të cilët për shkak të sistemit klientelist dhe korrupsionit të shfaqur deri në muajin shtator të vitit 2013, nuk kanë arritur dot të gëzojnë frytet e të drejtave të tyre tashme të vendosura.

Respublika  - Sa problematik mbart AKKP si institucion?

Një gjë di të them me siguri: aty ku ka një regjim juridik të sigurt të tokës dhe si rrjedhim të pronës, aty garantohet edhe një zhvillim ekonomik i qëndrueshëm, investime të sigurta dhe qarkullim të të drejtave që rrjedhin nga pronësia. Çështja e kthimit dhe kompensimit të pronave në vendin tonë nuk është trajtuar asnjëherë me qëllimin për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare. Pronarët janë trajtuar gjithmonë si një shtresë shoqërore e mbajtur peng përmes një procesi i cili është tërhequr zvarrë për mbi 23 vjet, me premtime të një klase politike, e cila asnjëherë nuk ka bërë përpjekje serioze dhe të qëndrueshme për ta zgjidhur këtë gangrenë.

Respublika  - Sa efektiv ka qenë ligji i miratuar nga qeveria socialiste në vitin 2004?

Përpjekjet e vitit 2004 përmes miratimit të një ligji të ri aktualisht në fuqi, u shpërfytyruan nga dhjetëra ndryshime ligjore që iu bënë këtij ligji aq sa sot nuk është e mundur efektivisht zbatimi i tij. Ky ligj është karakterizuar nga një mungesë transparence në implementimin e tij dhe ka lënë vend për shumë raste korrupsioni, të cilat kanë prevaluar mbi të drejtën, duke prishur balancat dhe duke shkaktuar dëm të madh për të gjithë sistemin e ekonomisë individuale e shoqërore dhe regjimin e pronës. Kjo ishte në vija të përgjithshme gjendja e institucionit në tetor të vitit 2013. Një panoramë e trishtë e mosfunksionimit, çorganizimit, keqadministrimit të një prej fushave më të rëndësishme të qeverisjes.

Respublika  - Ku jeni me dixhitalizimin e arkivës?

Që në ditët e para të punës në agjenci morëm një vendim të rëndësishëm: dixhitalizimin e arkivës 25-vjeçare të kthimit dhe kompensimit të pronave përmes krijimit të Arkivës Teknike Shkencore. Dixhitalizimi ishte nisur në fakt, përmes një projekti të USAID në vitin 2005. Fillimi i këtij projekti kishte rëndësi të veçantë edhe në atë kohë, por fatkeqësisht zgjati vetëm 1 vit. Mungonte vullneti për të forcuar transparencën dhe luftuar korrupsionin.  Sot arkiva dixhitale ka grumbulluar, regjistruar dhe inventarizuar të gjitha dosjet e shpërndara nëpër arkivat e rretheve të ndryshme, ku qytetaret nga njëra anë sorollateshin për të gjetur dosjet, sa nëpër rrethe e sa në Tiranë, dhe agjencia nga ana tjetër ishte në padije të vendimeve të marra gjatë trajtimit dhe vendimmarrjes përkatëse. Kemi krijuar për herë të parë regjistrin e vendimmarrjes për të gjithë periudhën nga nisja e këtij procesi deri në ditët e sotme, një metadate e rëndësishme prej së cilës u mor në analizë i gjithë aktiviteti vendimmarrës në këtë fushë.

Respublika  - Çfarë u përfitua nga ky regjistër?

Rreth 5500 dosje të patrajtuara asnjëherë u nxorën nga pluhuri i arkivës për shqyrtim, për t’ju bashkuar rreth 4000 dosjeve që prisnin shqyrtimin në sektor. Ky vendim u mor pasi rinisja e procesit të shqyrtimit dhe vendimmarrja përkatëse duhej të bëhej në mënyrë të unifikuar, duke i trajtuar të gjitha dosjet në tërësi përmes vlerësimit të kufijve dhe dokumenteve arkivore në krahasim me vendimmarrjet e tjera të marra gjatë viteve.

Respublika  - Në historinë e pronësive cilat rrethe janë më problematike?

Jugu i Shqipërisë mbart problemet më të mëdha në këtë fushë. Sidomos në zonat turistike, si qarku i Vlorës. Në këto qytete janë kryer edhe masakrat më të mëdha në çështjet e pronësisë. Sistemi i krijuar ndër vite qysh nga fillimi i këtij procesi stimuloi korrupsionin e përdorimin e dokumenteve të falsifikuara. Gjatë vitit të fundit, AKKP ka bërë rreth 30 kallëzime penale për vendime kthim prone mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara e deri te rastet ku prona është regjistruar me vendime komisioni inekzistente ose më saktë të falsifikuara. Kjo situatë në jug të Shqipërisë, por sidomos në rrethin e Vlorës vjen edhe për shkak të faktit se pronarët nuk arrijnë dot të vërtetojnë origjinën e pronës dhe lidhjen me to deri në vitin 1945.

Respublika  - Cila është periudha më e vështirë për t’u trajtuar si më vete, në historikun e pronësive?

Në këndvështrimin tim, periudha më e vështirë është ajo e suprimimit të zyrave rajonale të kthimit dhe kompensimit të pronave në vitin 2010, fakt i cili ndikoi negativisht në fenomenin e frenimit të aktivitetit përsa i përket vendimmarrjes. Por kjo sa i takon anës organizative në procesin e njohjes së pronësisë. Në fakt unë do i konsideroja 10 vitet e fundit, si vitet e rrënimit të këtij procesi, nga i cili u krijua një sistem ku nga njëra anë prodhonte vendime njohje, kthimi apo kompensimi për pronat dhe nga ana tjetër prodhonte sistematikisht konflikte gjyqësore pa fund për pronarët e implikuar për shkak të mbivendosjeve.

Respublika  - Cila ishte kostoja e kësaj?

Rriste detyrimin e qeverisë përkundrejt mos ekzekutimit të gjatë dhe të pa rregulluar asnjëherë të kompensimit të tyre. Asnjë qeveri deri deri në vitit 2013 nuk kishte llogaritur ndonjëherë për kompensimin e pronarëve. Pikërisht ky ka qenë edhe shkaku se përse asnjëherë nuk u paraqitën masa konkrete dhe efektive për përmbylljen e këtij procesi.

Respublika  - Çfarë përmbledhje do t’i bënit punës tuaj të deritanishme?

Në dy vjet realizuam transparencën 23-vjeçare, realizuam projektin e hartës dixhitale të vendimmarrjes në qarkun e Vlorës, llogaritëm faturën 23-vjeçare të kompensimit, krijuam një formulë të re kompensimi, përcaktuam mekanizma të rinj të brendshëm për trajtimin e kërkesave të paraqitura në agjenci, draftuam një ligj të ri reformues të të gjithë sistemit të deritanishëm, përmes procedurave të lehta për aplikim, favorizuese për pronarët, ku barra më e madhe e përgjegjësisë i bie shtetit. Qëllimi është standardizimi dhe lehtësimi i procedurave, aplikimi i shërbimeve online për subjektet, dixhitalizimi i plotë i sistemit, shmangia e korrupsionit dhe vendosja e drejtësisë së munguar në trajtimin e çështjeve që mbulon kjo fushë, bazuar në parimin e sigurisë juridike, barazisë në trajtim, mos diskriminimit dhe transparencës me publikun.

 

Intervistoi: Leonard Veizi

 

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.