Franca kalon “Patriot Act” e vet. Përgjime pa lejen e gjykatës

Postuar në 26 Korrik, 2015 05:55

Duket se siguria, ashtu si ajo na sugjerohet nga autoritetet, po prevalon ndaj lirive. Madje duke pretenduar se përforcohet për të ruajtur pikëirsht këto liri. Pas SHBA-së që me “Patriot Act”, hapi spiralen e përgjimit masiv të qytetarëve, bazuar në kritere ligjore shumë të diskutueshme, është edhe Franca, ajo që e ndjek këtë rrugë. Së fundmi, Këshilli Kushtetues francez, ka miratuar ligjin e propozuar që i jep qeverisë të drejta të gjera për të përgjuar qytetarët. Dhe sërish, njësoj si në rastin e SHBA, kur goditjet e 11 shtatorit 2001 shërbyen për “Parriot Act”, janë ngjarjet e “Charlie Hebdot” ato që kanë nxitur këtë hap nga shteti francez. Dhe ky ligj ka kaluar pavarësisht reagimeve si ai i Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, që cilëson se ligji i jep shërbimeve franceze të drejta shumë të mëdha, për përgjime shumë të papërshtatshme, bazuar në “objektiva të gjera dhe shumë keq të përkufizuara”. “Amnesty International” deklaron se shteti francez po i jep të drejta ektstremisht të mëdha vetes, me fuqi ndërhyëse të zgjeruara. Bëhet fjalë për kontrollin e e-mailit, përgjimin telefonik, apo depërtimin komjuterik, pa një urdhër gjykate. Dhe këto të drejta, kryeministri francez i ka cilësuar si: “Strukturë sigurie kundër terrorizmit, që respekton liritë”(http://www.theguardian.com/world/2015/jul/24/france-big-brot...). Nuk dihet se cili do të jetë ndikimi i këtij ligji, por ai jep një shembull të keq për BE-në në tërësi, që ka kohë p.sh që kritikon një njeri si Victor Orban. Apo që bën thirrje dhe vë kushte për Ballkanin Perëndimor për të drejtat e njeriut dhe demokracinë. Le të mendojmë për një moment sesi ky shembull i Francës, një vend që gjithsesi ka mekanizma të konsoliduar demokratikë dhe një shoqëri që reagon, të merret si model në Shqipëri. U tentua nga qeveria aktuale që me një VKM të bëhej regjistrimi i numrave IMEI, por që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Sikur vetëm një incident sado minimal, me sfond kërcënimet terroriste, të shfaqet në Shqipëri, me siguri që qeveria do kalojë në këto masa. Së fundmi është folur për përpjekje për të blerë pajisje përgjimi, që teorikisht do të përdoreshin vetëm me leje të prokurorisë. Por këto hallka po i lë pas tashmë edhe Perëndimi, që predikon zbatimin e të drejtave. Çfarë mund të pritet në Shqipëri, një vend ku thuajse për çdo javë, dikush akuzon se në Parlament ka vrasës? Nga kush vallë do të na ruajnë këta? s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.