Estrada e radhës në Komisionin e Ligjeve. M. e Transporteve përfaqësohet me një inxhinier. Fino ikën nga mbledhja, Xhafaj, përfaqësuesve të ministrisë: “Kur të vini këtu vishni ndonjë xhaketë”

Postuar në 29 Qershor, 2015 17:25

Dje Komisioni Parlamentar i Ligjeve u përfshi nga debate që çuan deri në largimin e Bashkim Finos nga mbledhja. Shkak u bë përfaqësimi i ulët, me një specialist-inxhinier, i Ministrisë së Transporteve, e cila kishte njoftuar se do të përfaqësohej me një drejtor. Kjo mungesë serioziteti, nëse mund të flitet për një gjë të tillë te qeveria aktuale, ka rënë në sy edhe të kreut të Komisionit, Fatmir Xhafaj, i cili qëkurse ka marrë këtë detyrë po përballet me një karagjozllëk që nuk është parë ndonjëherë në Parlament. Dhe ja debati, siç e përcjell gazeta “Mapo”:

Fatmir Xhafaj: "Kur njoftohet këtu se do të vijë drejtori, duhet të vijë drejtori. Niveli i përfaqësimit të ministrisë lë për të dëshiruar gjithmonë. Nuk kam gjë me ju personalisht, por nuk është korrekte…"

Bashkim Fino: "Unë kam shumë respekt për veten. Ulet shumë niveli i diskutimit të një marrëveshjeje të rëndësishme, me një inxhinier. Nuk kam gjë me inxhinierin, por në komisione parlamentare vijnë, ministra, zëvendësministra dhe drejtorë të përgjithshëm. Në qoftë se nuk kanë kohë ata, kemi kohë ne, të vijnë dhe t'i presim pasdite. Ta shtyjmë seancën për në orën 17.00. Ky është propozimi im".

Fatmri Xhafaj: "Dakord jam unë, por për arsye se kjo marrëveshje është për seancën e së enjtes, nuk kemi shumë kohë. Gjithë dita sot është me këtë axhentë dhe nuk gjejmë dot kohë tjetër".

Bashkim Fino: "Nuk më intereson fare. Bëj me inxhinierin. Gjithë ky komision, 15 burra, nuk sjell dot ministrin apo zëvendësministrin". (braktis mbledhjen)

Fatmir Xafaj: "Herë tjetër kur të vini këtu, vishni ndonjë xhaketë…" (ju drejtohet përfaqësuesve të ministrisë).

Dhe nuk është hera e parë. Kujtojmë këtu kur Xhafaj u tërhiqte vëmendjen para disa muajsh, përfaqësuesve të një ministrie, për cilësinë e dobët të materialeve të paraqitura. Skandal më vete ishte përballja me drejtoreshën e Lojërave të Fatit, Luneda Sufali, e cila refuzoi të dilte jashtë. Eprori i saj, formalisht i tillë, ministri i Financave, u justifikua se “po bëjmë shaka”. Dikush mund të thotë se në rastin e fundit, kemi të bëjmë me një ministri që drejtohet nga LSI. E megjithatë “çikërrima” të tilla duket se nuk do të mbarojnë me kalamajtë që i kanë hipur kalit të pushtetit tani. Të sjellim këtu në vëmendje atë se çfarë na thoshte para disa ditëve kryeministri, kur deklaronte me krenari se “ne kemi ndihmuar Bashkinë e Tiranës që të hartojë dokumentet për të aplikuar për projekte”. Mund të jetë edhe e vërtetë, sepse 2014 ka qenë vit mrekullish, por rastet si ky i djeshmi sikur japin një tjetër pamje. Pa folur këtu për ligjet e kthyera nga Gjykata Kushtetuese, apo VKM-në e famshme të pezullimit të lejeve të ndërtimit, të cilën “nuk kishte kandar ta mbante”. Përveç atij të kësaj qeverie, që me 1 milion shuplaka, mund t’i lejojë tashmë vetes edhe të budallallepset.
http://www.mapo.al/2015/06/pakenaqesi-ndaj-ministrit-te-lsi-...
s.z

Comments

Submitted by Rob (not verified) on

<p>Me mire inxhinjerin -- drejtoret militante nuk dine asgje. E kane katandisur sherbimin civil ne ate fare feje sa une nuk njoh njerez te mirekualifikuar qe do e linin privatin per shtetin -- kudo tjeter ndodh ndryshe.&nbsp;</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.