Epoka e “deglobalizimit”?

Postuar në 06 Prill, 2014 04:30

Konfliktet e fundit që po ndodhin kudo, nga Ukraina në Lindjen e Mesme e deri në detin e jugut të Kinës na kujtojnë që (siç thotë Robert D. Kaplan) gjeografia ka ende rëndësi, edhe në këtë epokë të globalizmit. Politikisht, bota nuk është aspak e sheshtë. Shifrat më të fundit ekonomike tregojnë se sa “shkëmbore” po bëhet bota jonë, edhe ekonomikisht. Globalizimi përcaktohet shpesh herë si lëvizja e lirë e mallrave, njerëzve dhe parave përgjatë kufijve. Kohët e fundit, të gjithë këto janë kërcënuar – dhe jo vetëm prej sanksioneve që kufizojnë udhëtimin dhe rrjedhën e parave mes Rusisë, SHBA dhe Europës. Gjatë dy viteve të fundit, rritja e tregtisë globale ka qenë më e ulët se sa rritja globale e GDP. Eshtë e para herë që kjo gjë ndodh, qysh prej Luftës së Dytë Botërore, dhe kjo shënon një pikë kthese në ekonominë globale, me pasoja që prekin të gjithë, shtete, kompani dhe konsumatorë.

Ka shumë arsye përse tregtia globale po rritet më ngadalë se sa në të kaluarën. Europa po vazhdon të luftojë për t’i dhënë fund krizës së borxhit të saj, dhe tregjet në zhvillim po zgjerohen më ngadalë se sa më përpara. Por një prej faktorëve më të mëdhenj është se ekonomia amerikane po përjeton një ndryshim të thellë: SHBA nuk është më konsumatori i fundëm global. Siç ka deklaruar krye-ekonomisti i HSBC, Stephen King, gjatë një studimi të kohëve të fundit, gjatë rimëkëmbjeve të kaluara të pasluftës “ekonomia e SHBA vepronte si një sfungjer gjigand”, duke përthithur mallrat dhe shërbimet e tepërt që prodhonte pjesa tjetër e botës. Kishte fluska dhe më pas “plasje”; tregjet pësonin kolaps, por ringriheshin sërish. Dhe sa herë që e bënin, kishte siguri që amerikanët do të fillonin të shpenzonin përsëri, dhe si pasojë deficiti ynë tregtar – niveli me të cilin importet i kalojnë eksportet – do të rritej. Kjo gjë, tani po ndryshon. Pas pothuajse pesë vite rimëkëmbje, deficiti tregtar i SHBA nuk po rritet, por po tkurret. Në fakt, nga 2012 deri në 2013 u zvogëlua me 12%.

Kjo nuk është domosdoshmërisht një gjë e keqe për ne. Një pjesë e arsyes përse deficiti po tkurret është se bumi i naftës së shtresave argjilore dhe gazit nënkupton që Amerika po blen më pak lëndë djegëse nga jashtë dhe sektori ynë i prodhimit po rritet. Por një pjesë e të vërtetës është që pagat nuk janë rritur që nga fillimi i krizës, dhe shpenzimet konsumatorë vazhdojnë të ecin ngadalë. Që SHBA dhe ekonomia botërore të vazhdojnë të rriten, duhet që dikush të kompensojë blerjen e mallrave elektronikë, makinave dhe mallrave të tjerë që dikur i blinin amerikanët.

Fatkeqësisht, askush nuk po e bën këtë. Europianët, ende të mbërthyer në një krizë borxhi, ndoshta nuk do të shpenzojnë edhe për nja pesë vite. Ekonomitë në zhvillim, që janë në nivele të ndryshëm trazirash, po rriten me pothuajse gjysmën e ritmit që rriteshin para krizës. Kinezët, që morën përsipër një pjesë të madhe të barrës së shpenzimeve globale pas krizës financiare të 2008, tani janë për vete në mesin e një krize financiare. Japonia bëri pjesën e vet vitin që kaloi, por “Abenomiks” – plani i qeverisë për të nxitur shpenzimet, që ka marrë emrin e kryeministrit Shinzo Abe – po i mbaron energjia. Kudo, thotë Mohamed El Erian, krye-këshilltar ekonomik i gjigandit të sigurimeve Allianz “ka një mospërputhje mes vullnetit për të shpenzuar dhe kuletës”.  Me integrimin ekonomik global që duket të jetë në sprapsje, të paktën për momentin, shumë ekonomistë dhe ekspertë të tregtisë po fillojnë të flasin për një epokë të re të (de)globalizimit, gjatë të cilës shtetet do të mbyllen në vetvete. Disa prej pasojave janë shqetësuese. Ankesat në Organizatën Botërore të Tregtisë për proteksionizëm, vjedhje të pronësisë intelektuale dhe barriera tregtare po rriten. Vetë bisedimet për tregtinë nuk janë më globalë, por rajonalë dhe lokalë, duke rrezikuar të shkaktojnë një të ashtuquajtur “kullesë makaronash” të aleancave ekonomike konkuruese.

Megjithatë, deglobalizimi nuk është domosdoshmërisht gjë kaq e keqe. Siç tha përfaqësuesi tregtar i SHBA gjatë një samiti ekonomik në Uashington kohët e fundit, kjo nënkupton që kompanitë po shohin edhe “zinxhirët e zgjeruar të vlerës, zinxhirët e furnizimit, dhe po vendosin nëse duan të zhvendosin një pjesë të prodhimit në vendin e tyre”. Kjo gjë ka ndodhur tashmë në SHBA. Një studim i Boston Consulting Group zbuloi se 21 % e të gjithë kompanive prodhuese në SHBA me 1 miliardë apo më shumë shitje, janë duke u rikthyer në vend ndërkohë që 54% thonë se po e mendojnë këtë gjë.

Nëse këta vende pune do të ndihmojnë për rritjen e pagave apo kjo, kjo është dicka që Federal Reserve do ta shohë me kujdes. Një prej shenjave dalluese të 30 viteve të fundit të globalizimit ka qenë një mjedis, ku paraja fitohej lehtë. Siç tha Janet Yellen e Federal Reserve gjatë konferencës më të fundit për shtyp, ne po shkojmë drejt fundit të asaj epoke. Në këtë epokë të re ekonomike, jo të gjithë varkat do të ngrihen njësoj dhe pa probleme. Panorama jonë ekonomike, ashtu sikurse ajo politike, do të bëhet më e luhatshme dhe më pak e parashikueshme. Bëhuni gati për një “rrugë me gropa”. (Time magazine).

Marrë nga “bota.al”

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.