Dyshime për terrorizëm me ujësjellësin, arrestohen pesë persona në Prishtinë. Ndërpritet furnizimi me ujë në disa lagje të kryeqytetit

Postuar në 11 Korrik, 2015 08:51

Policia e Kosovës tha se ka arrestuar pesë persona nën dyshimet për përfshirje në veprime që ndërlidhen me terrorizëm. Tre prej tyre janë arrestuar gjatë natës në afërsi të liqenit të Badovcit rreth gjashtë kilometra në lindje të Prishtinës, që është një nga furnizuesit me ujë të kryeqytetit. Hetimeve u janë bashkuar edhe njësitë tjera përfshirë atë për luftë kundër terrorizmit dhe ndërkohë janë arrestuar edhe dy persona të tjerë të dyshuar, të cilët janë të ndërlidhur me tre të parët. Policia e Kosovës nuk ka dhënë më shumë hollësi rreth arrestimeve, pas të cilave kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” ndërpreu furnizimin me ujë në disa lagje të kryeqytetit, që furnizohen nga liqeni i Badovcit.

“Zëri i Amerikës” thotë se Kosova është përballur me sfidën e pengimit të ekstremizmit te dhunshëm dhe përfshirjes së qytetarëve të saj në luftërat në Lindjen e mesme. Në fund të muajit qershor Departamenti amerikan i shtetit tha se kërcënimi i ekstremizmit të dhunshëm islamik ka ardhur duke u rritur gradualisht në Kosovë, që pas konfliktit të vitit 1999, i ndihmuar pjesërisht edhe nga financimi i organizatave të huaja, që predikojnë ideologji ekstreme.

 Rreth 150 – 200 luftëtarë të huaj terroristë nga Kosova, kanë shkuar në Siri dhe Irak për të luftuar përkrah grupit Shtetit Islamik dhe Frontit al-Nusrah. Nga këta, rreth 20 janë vrarë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.