Destinacionet ekzotike: Si të shkoni në Maldive, Tajlandë, Karaibe, Kubë…

Postuar në 18 Korrik, 2015 06:23

Nga Elona Bedalli

Me një grup miqsh dëshironim të realizonim një palë pushime vërtet unike dhe të paharruara. E kështu nisëm kërkimet duke bërë një listë destinacionesh që na i kishte ënda. Por, nuk mjaftonte vetëm dëshira sepse të panjohurat ishin të shumta. Për çfarë do të shpenzonim më shumë, për hotelin, ushqimin, udhëtimin, argëtimin. Bëhet fjalë për destinacione të largëta e që nuk të bie rasti t’i vizitosh shpesh, pasi nuk është si të udhëtosh në Europë, ku më të shumtën e herës nuk ke nevojë fare të lidhesh me agjenci. Mjafton të futesh në faqen e duhur e që mund të jetë booking.com, ku përvojat tregojnë se nuk ka shumë vend për zhgënjim. Aty mund të keni mundësi pa fund zgjedhjeje. Mund të shikoni edhe opinionet te Tripadvisor për çdo detaj që mund të keni nevojë. E nëse nuk e keni buxhetin të kufizuar, atëherë drejtojuni agjencive dhe merrni më të mirën pa e vrarë shumë mendjen. Por, le t’i marrim gjërat me radhë për të krijuar një ide pak më të qartë se si mund të arrihen këto destinacione.

Vendet ekzotike duan viza

Ka një sërë vendesh ku për të shkuar, shqiptarët duhet më parë që t’i nënshtrohen regjimit të vizave, si për shembull: në Barbados, në Afrikën e Jugut, në Brazil, në Bregun e Fildishtë, në Indi, në Indonezi, në Ishujt Fixhi, Maldive, Marok, etj.

Pjesa më e madhe e këtyre vizave mund të merren në ambasadën e vendit përkatës në Romë (Itali), por edhe në Londër, Athinë e Bukuresht. Viza me koston më të lartë është ajo irakiane (71 euro) dhe merret në Stamboll (Turqi). Kushton rreth 11 euro viza me Marokun (mund të merret në Paris), me Tunizinë (mund të merret në Athinë, Paris), ndërsa me Tajlandën mund të merret edhe në Tiranë. Nëse do të zgjidhni t’i organizoni pushimet me agjenci, atëherë do të jetë ajo që do të mendojë për vizën tuaj, në të kundërt, duhet të mendoni vetë për këtë detaj të rëndësishëm.

Vështirësitë më të mëdha paraqiten nëse do të zgjidhni ato vende ku viza merret në Londër, pasi do të duhet të pajiseni dhe me vizë angleze. Kjo ndodh në rastin e destinacioneve, si: Maldive, Barbados, Belize, Bregu i Fildishtë apo dhe Ishujt Fixhi (shko tabelën e vizave në fund).

“Bëje vetë”

Në fillim menduam për Tajlandën. Kishim dëgjuar shpesh për këtë vend dhe na ngjalli kërshëri, duke qenë se viza mund të merret edhe në Tiranë. Nisëm të kërkonim për biletat e avionit, për çmimin e hoteleve a pensioneve, por gjithçka nga Shqipëria ishte shumë e shtrenjtë. Një mikeshë na sugjeroi Maltën që gjithashtu ka vende shumë të bukura e që nga Italia (kryesisht Pisa) mund të arrihet me çmime të favorshme fluturime që nisin nga rreth 50 euro e arrijnë në 70 euro në pikun e sezonit veror.

Dikush tjetër hodhi idenë për të vizituar Republikën Dominikane, Karaibet më konkretisht. Agjencitë jashtë kanë oferta më të mira për dy javë qëndrime, në hotele me akomodime ‘all inclusive’ që llogariten deri edhe në rreth 1,200 euro për person.

Nga shteti ku mund të bëni prenotimin mund të bëni edhe transitin, kostos së përgjithshme duhet t’i shtoni edhe atë të biletave nga Aeroporti i Tiranës.

Monedha me të cilën punohet është dollari ose pesos. Mund të bëni prenotimin e ekskursioneve jashtë, ushqimit, etj.

Një nga vendet më të bukura të Republikës Dominikane është Punta Cana, që konsiderohet edhe destinacioni më i shtrenjtë.

Arsyeja se përse europianët zgjedhin këtë destinacion është se qëndrimi kushton shumë herë më lirë për dy javë sesa mund të kushtonte le të themi, në Greqi.

Në listë ishin edhe destinacione si Bali e Maldive. Për të arritur në këto vende udhëtimi kushton, por duhet të merret në konsideratë fakti se qëndrimi aty është i lirë dhe po kështu edhe ushqimi. Ata që kanë përvoja me pushimet në Azinë Juglindore sugjerojnë që për hotelet të konsultohet portali agoda.com. Në Bali mund të gjeni resorte (Sol Beach House Benoa) duke filluar nga 80 euro nata, apo Komaneka në Tanggayuda (300 euro nata për person). Në Bali gjenden mbi 1,000 hotele që iu përshtaten buxheteve të ndryshme.

Për në Maldive, mund të provoni itinerarin Romë – Maldive dhe më pas kthimin ta bëni për në aeroportin e Frankfurtit. Falë kompanive ajrore si EasyJet apo edhe Ryanair, mund të gjeni bileta që nisin nga 380 euro për person. Sugjerohet që të vizitoni kryeqytetin e Maldiveve, Malen, pasi e konsiderojnë si një vend surreal. Mund të bëni zhytje në ujërat koralorë, të shkoni për pazar, si dhe të shijoni ushqimin, kryesisht atë të detit, pasi ishujt e Maldives janë parajsa të vërteta.

Nëse dëshironi të vizitoni Afrikën Jugore, atëherë mund të gjeni tarifa të favorshme, duke filluar nga data 17 gusht e deri më 17 dhjetor, nga aeroporte si ai i Barcelonës apo Amsterdamit për çmime që fillojnë nga 318 euro për person. Për të bërë krahasime të ndryshme të çmimeve të biletave, ne ju rekomandojmë që të konsultoheni me portalin Skyscanner.

Disa këshilla

Sot ekzistojnë shumë destinacione turistike për ne ende të panjohura e janë edhe ekonomike. Mos përjashtoni edhe mundësinë për t’u nisur nga aeroporte si Prishtina apo Shkupi, edhe pse duhet të ndërroni më shumë avionë deri në mbërritjen e destinacionit final.

Gjëja më kryesore që duhet të mbani në konsideratë është që të mos i rezervoni biletat e avionit dhe hotelin në momentin e fundit, por dy-tre muaj më herët.

Po ju sjellim shembullin e një udhëtimi për në Las Palmas de Gran Canarias:

Biletat e avionit Prishtinë-Basel (vajtje-ardhje) me EasyJet dhe të rezervuara në internet në sitin www.easyjet.com kushtojnë rreth 60 euro/personi.

Biletat e avionit Basel-Las Palmas (vajtje-ardhje) këtë radhë me Rayan Air të rezervuara në sitin www.rayanair.com janë 35 euro/personi.

Apartamenti me kapacitet dy persona i rezervuar në sitin www.housetrip.com për dy javë kushton rreth 100 euro/personi.

Llogarisni dhe 150 euro për ushqimin dhe lokalet (më të lira se në Dhërmi) dhe kjo është gjithçka ju duhet të shpenzoni.

Kjo është thjesht një nga mundësitë e panumërta që ofrohen në internet për udhëtime dhe pushime në destinacione të reja.

Agjencitë, paketa tërheqëse

Sigurisht, më shumë për vanitet sesa për ndonjë shije shumë të veçantë prej turisti, nuk mungojnë asnjëherë edhe pushuesit ekzotikë. Janë ata që kur bëhet fjalë për det, plazhe, rërë të bardhë, diell e palma e hedhin spirancën diku në Maldive, Karaibe, Abu Dabi e Dubai, apo të tjera copa tropiku. Vetëm se këto destinacione nuk përkojnë me sezonin tonë të lartë.

Ata që iu drejtohen agjencive turistike për destinacionet ekzotike janë padyshim të rinjtë, veçanërisht të sapomartuarit që dëshirojnë të bëjnë një muaj mjalti të paharrueshëm. Natyrisht këto janë paketa të personalizuara që agjencitë i përshtatin në bazë të kërkesave të klientëve. Çfarë u ofrojnë resortet dhe hotelet jashtë vendit atyre që janë në muaj mjalti? “Sapo shkon në hotel ke një shishe shampanjë, një tufë me lule dhe dhomat janë arreduar në mënyrë të veçantë”, shpjegojnë punonjës të agjencive turistike.

Idetë dhe destinacionet janë të pafundme. Sekreti: mjafton të zgjidhni një vend që nuk mund ta harroni përgjatë gjithë jetës.

Në Ibiza, agjencitë në Tiranë ofrojnë udhëtime që nisin në muajin shtator për qëndrime në hotele me tre yje për rreth 830 euro për person për pesë ditë qëndrimi.

Për destinacione si Mauritius qëndrimi për 7 ditë në hotele nga tre në pesë yje kushton nga 600 euro në rreth 4,600 euro.

Një tjetër parajsë janë ishujt koralorë të Seishellit, që gjenden në perëndim të Oqeanit Indian. Mund të bëni sërf, zhytje, peshkim, lundrim etj. Me pak fjalë, gjithçka që përfshijnë pushimet ideale. Agjencitë ofrojnë paketa për qëndrime në hotele me katër e pesë yje, për çmime për 7 ditë qëndrimi që nisin nga 1900 euro deri në 3,900 euro për person.

Për në Maldive, çmimet e paketave për 7 ditë në hotele me katër apo pesë yje nisin nga 1,200 euro në 3,380 euro për person.

Më të kërkuarat, por edhe ekonomike

Kur ju parashtroni gjithë shpenzimet, si udhëtimi, ushqimi, plazhet ideja për të udhëtuar në cepa të ndryshëm të botës mund të ngjajë me një aventurë shumë të kushtueshme. Lajmi i mirë është se disa vende ekzotike mund të kthehen në përvoja fantastike dhe jo shumë të kushtueshme. Ndaj, përpara se të niseni me pushime, lexoni se çfarë kanë shkruar për këto përvoja turistë të ndryshëm.

Kamboxhia

E besoni apo jo, Azia Juglindore mund të jetë një destinacion tepër ekonomik. Kamboxhia është vendi ku mund të gjeni shtretër me 2 dollarë dhe ushqim e birrë për 50 cent e kjo sipas HostelBookers. Edhe në brigjet e Angkor Wat që vlerësohet si destinacioni më i shtrenjtë ju do të shpenzoni maksimumi 20 dollarë në ditë.

Kur turisti Wes Rogers ndërmori një udhëtim në Kamboxhia, ai shpenzoi për fjetjen 5 dollarë në natë, ndërsa ushqimi ishte edhe më i lirë. “Arrita në përfundimin se kushtonte më pak që të haja në Azi se në shtëpinë time”, tha Rogers. Sipas tij, jeta, në disa vende ekzotike ku mund të kalosh ditën me 10 euro, është vërtet fantastike.

Laos

Ky është një tjetër destinacion tepër ekonomik në Azinë Juglindore. Sipas HostelBookers, në të ju mund të gjeni hotele ku dhoma ju kushton 1 deri në 2 dollarë nata dhe ushqimi më pak se 10 dollarë. Turistët thonë se në këto vende mund të gjenden shtëpi pushimi që janë më të këndshme dhe më komode se hotelet.

Xhamajka

Turistët e vlerësojnë Xhamajkën për mundësitë e shumta që ofron, për lokalitetet ku mund të qëndrohet me 5-10 dollarë. Në opinionet e tyre ata shkruajnë se duhet të zgjidhen ato destinacione që ju japin mundësi që të blini gjëra që janë tradicionale të lokaliteteve, pra fruta dhe perime të freskëta e që më pas mund të përgatiten në vendin e akomodimit.

Kina

Sipas Thrillist, qytetet kineze janë destinacione me mundësi të shumta ku mund të akomodoheni për më pak se 20 dollarë apo të gjeni ushqime për 2-5 dollarë.

Brett War menaxhon apartamente me qira në Shenzhen për më pak se 5 dollarë në ditë dhe rekomandon që të qëndrohet në vendet e zhvilluara, si Shangai ose Hong Kongu nëse buxheti është i kufizuar. Sipas tij, në Kinë, ndryshe nga çfarë ndodh në Perëndim çmimet janë të negociueshme, asgjë nuk është fikse.

Fixhi

Fixhi ka rreth 300 ishuj, reputacioni i të cilave është se janë destinacione të shtrenjta. HostelBookers rekomandon që të mënjanohen resortet ku nata kushton 1,000 euro personi dhe të kërkohen hostele që kanë çmime deri në 25 dollarë në natë. Në këta ishuj, plazhet janë falas.

Nikaragua

Nuk ka asnjë dyshim që Kosta Rika është shumë tërheqëse, por e njëjta gjë mund të thuhet edhe për vendin fqinj, Nikaragua. Me më pak se 10 dollarë mund të siguroni ushqim të shijshëm, pastaj mund të shijoni sërfin dhe plazhet e mrekullueshme.

Tajlanda

Sipas Thrillist, Tajlanda ofron shumë aktivitete që mund t’i realizoni për 15 dollarë, dhoma hoteli me 6 dollarë nata, ushqim me 5 dollarë dhe birra të ftohta me 2 dollarë. Shumë vende të mahnitshme në Tajlandë mund të zbulohen me një buxhet të vogël.

Tajlandezët janë shumë miqësorë e nëse nuk gjeni meny në gjuhën angleze, ata do t’ju ndihmojnë me dashamirësi.

Bali

I pozicionuar në mes të oqeaneve Indian dhe Paqësor, Azisë dhe Australisë, ishulli indonezian i Balit është një destinacion ekzotik shumë i lakmueshëm nga turistët. Sipas Clayton B. Cornell, një udhëtar me kohë të plotë që aventurat i publikon në blogun e tij, SpartanTraveler, në Bali, shpenzimet ditore mund të shkojnë deri në 20 dollarë. Në këtë destinacion mund të merrni bujtina me qira që kushtojnë rreth 10 dollarë nata ose të konsumoni vakte që llogariten nga 1.5 – 3 dollarë.

Vietnami

Perëndimorët po rizbulojnë Vietnamin si një destinacion i rëndësishëm kulturor dhe historik që nuk duhet të neglizhohet. Nga Halong Bay, në Ho Chi Minh City, udhëtarët po tërhiqen nga plazhet, parqet kombëtare, muzetë dhe kuzhina autentike.

“Çelësi i kursimit të parave është të udhëtoni si një lokal”, – thotë Rocky Horan i BookingGuru.org. Kjo përfshin marrjen e një autobusi lokal kundrejt atij që mund t’ju rezervojë një agjent udhëtimesh. Kur të mbërrini në destinacionin tuaj, shikoni për dhoma me qira dhe hotele të menaxhuara në nivel lokal. Shpesh në destinacione plazhi, vendasit japin me qira dhoma për më pak se 5 dollarë nata.

Dhe mos harroni bagazhet…

E pasi të keni vendosur dhe bërë gati gjithçka, mos harroni të lexoni këshillat e ekspertëve për paketimit e bagazheve. Ndoshta nuk ju ofrojnë zgjidhje për çdo situatë, por për një pjesë të mirë të tyre, po. Gjithsesi, valixhet jeni gjithmonë ju që duhet t’i bëni gati! Nëse nuk e ngrini dot çantën apo valixhen, keni marrë me vete më shumë se ç’duhet! Fillimisht bëni një listë të gjërave që do të merrni me vete, të cilën mundësisht hartojeni ditë përpara, kështu do të keni kohë për ta riparë apo për të bërë blerjet e fundit. Paketoni më parë gjërat më të mëdha e pastaj ato më të vogla. Përdorni çantat organizuese apo të tualetit. Nëse udhëtoni me një shok/shoqe me të cilin/cilën do të ndani edhe dhomën, disa gjëra nuk është nevoja t’i merrni të dy palët. Vlerësoni mundësinë e vendosjes së gjysmës së gjërave të njërit person, në çantën e personit tjetër. Kështu, jeni të mbrojtur edhe nga humbja e ndonjë bagazhi. Lini gjithmonë pak vend për suvenirët, apo gjërat e ngjashme, që mund të keni në kthim. Nëse keni për të marrë me vete këpucë, futni secilën palë më vete, në qese këpucësh, apo diçka që e gjeni më lehtë në shtëpi. Më pas, mund edhe t’i bashkoni me ndihmën e një llastiku gome (parash). Këpucët apo sandalet janë zakonisht më të vështirat, për shkak të formës apo madhësisë, ndaj, para se t’i merrni me vete, gjithmonë mendohuni mirë: Ju duhen vërtet të gjitha?! Shfrytëzoni hapësirën brenda këpucëve apo atleteve, për të futur vogëlsira të ndryshme, sende që mund të dëmtohen lehtë, etj., të cilat, gjithsesi, duhen mbështjellë më përpara. Vishni gjithmonë, nëse mundeni, këpucët apo sandalet, që ju zënë më shumë vend në çantë. Gjërat që mund t’ju duhen gjatë rrugës, p.sh. kapele, shall, çadër shiu, triko, etj., vendosini gjithmonë në një xhep të veçantë e të arritshëm lehtësisht. Nëse keni fëmijë dhe janë të rritur mjaftueshëm, mësojini me kënaqësinë dhe përgjegjësinë e udhëtimit. Kjo do të thotë “çantë me vete” edhe për ta. Për t’u mbushur dhe për t’u ngritur. Vlen, në të njëjtën mënyrë, edhe rregulli i peshës: nëse nuk e mbyllin apo ngrenë lehtësisht, disa lodra duhen hequr. Gjithsesi pesha e çantave të tyre nuk duhet të kalojë 10% të peshës së trupit. Valixhet me rrota janë një shpikje brilante, por jo gjithmonë të përshtatshme. Mënyra e paketimit të sendeve të lëngshme (shampove, balsamit, kremrave të ndryshme, etj.) është po ashtu e rëndësishme. Në këtë rast disa shishe më të vogla do të zgjidhnin shumë punë. Në fund të fundit, nuk ju nevojitet një shishe shampo e plotë, për 10 ditë pushime. Prandaj ose hidheni në shishe më të vogla, ose blini versionin e udhëtimit.

"Monitor"

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

<p>Me se fundi dikush mendon per njerzit e thjeshte, na mbyti politika, na mbyti xhaja i rrjedhur....</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.