Debat për koncesionin e skanimit: 260 mln euro u dhanë në vlerë aksionesh për 490 lekë. Kompania kërkoi në arbitrazh 380 mln euro. A ishte vërtet e kopsitur ligjërisht marrëveshja?

Postuar në 16 Korrik, 2015 08:16

Sot në Parlament është diskutuar edhe për ligjin e ri të koncesioneve, që shihet nga mazhoranca si instrument zhvillimi. Në këtë kuadër është folur sërish për koncesionin e skanimit të mjeteve në dogana, koncesion i fituar nga kompania “Rapiscan”. Ministri aktual i Ekonomisë, Arben Ahmetaj e quajti skandaloz koncesionin në fjalë, kurse kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe u ndal disi më gjatë: “Keni miratuar edhe transferimin e aksioneve me urdhër të këtij ministri që është këtu. E keni shitur konçensionin prej 260 milion euro për vetëm 490 lekë (një redbull dhe dy bejkrolls). Politika juaj e privatizimit e konçensimit të pronës publike nuk ka qenë as korrekte e as ligjore”, tha Brace. Fjala është për kalimin e aksioneve që “Rapiscan” bëri në drejtim të një kompanie shqiptare, drejtuar nga shtetasi Olti Peçini, për vlerën e vetëm 490 lekëve. Kalimi bëhej me miratimin e autoritetit, pra qeverisë dhe ndodhte më 16 shtator 2013. Kjo shifër krijon premisa për disa pyetje: së pari, pse qeveria aktuale u tërhoq nga qëndrimi për të anulluar koncesionin, duke qenë se gjatë gjithë vitit 2014 ka deklaruar se ai është i pazbatueshëm? Në vitin 2014, CEO i kompanisë OSI, që ka si filial “Rapiscan”, Deepak Chopra, deklaronte në një takim me aksionerët se “ne jemi në kërkim të një zgjidhjeje miqësore”. Kjo ndërkohë që në arbitrazh kërkohej dëmshpërblim 380 milionë euro. A ishte i sigurtë për fitoren e vet kompania, kur drejtuesi i saj ishte për zgjidhje me mirëkuptim? Si është e mundur që një kompani aksionere të heqë dorë kaq lehtë nga 100 milionë euro? Pse qeveria nuk zbardh këshillimin e studios së Charie Blair që çoi në rishikim të marrëveshjes? Pyetjet për dëmshpërblimin e kërkuar dhe arbitrazhin lindin edhe nga fakti që përmend Braçe, pra që “Rapsican” ka kaluar aksionet për vetëm 490 lekë. Sa e bazuar ka qenë atëherë kërkesa për 380 mln euro dëmshpërblim, kur vetë kompania bën këtë vlerësim për aksionet? Të kujtojmë këtu që një javë më parë ministri i Financave e cilësoi marrëveshjen të kopsitur ligjërisht.
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.