Casual politikë me frymëzim të majtë dhe orientim nga qendra

Postuar në 22 Korrik, 2015 14:22

 “Fiton kur je në qendër, kur je tërheqës për një masë përfaqësuese  të publikut, fiton kur mbështet biznesin por edhe sindikatat; nuk fiton nëse mbështetesh në një platformë tradicionale të majtë. Të artikulosh idenë e modernizimit të Partisë Laburiste nuk është tradhti ndaj parimeve tona; në fakt është e vetmja mënyrë për të zbatuar parimet në botën moderne”. Kështu u është drejtuar Tony Blair anëtarëve të partisë së tij që në Maj të këtij viti pësuan disfatën më të madhe përballë konservatorëve që prej vitit 1987. 

Këto këshilla të Tony Blair për anëtarët e partisë së tij ngjajnë të kenë frymëzuar edhe kryeministrin Edi Rama që në fakt  paguan për të marrë këshilla nga Tony Blair. Edi Rama e gjen frymëzimin te populli, sepse siç thotë ai, "qeveris populli, ndërsa qeveria dhe ai bashkë janë shërbëtorët e tij".  

Por në praktikë shembujt janë me bollëk se kush vendos dhe si vendos për paratë që hyjnë dhe dalin nga xhepi i popullit në arkat e shtetit dhe më pas në llogaritë e pushtetit. Pak a shumë është filozofia përtej së majtës e së djathtës që Edi Rama e ka artikuluar që në vitin 2009, por që nga viti 2013 ka mundësinë ta përkthejë në program referomash të qeverisë së tij. 

Ky lloj pozicionimi ka çelur edhe diskutimin nëse taksa progresive e aplikuar nga qeveria e Partisë Socialiste, është reformë e majtë apo e djathtë, rritja e çmimit të energjisë apo mesatarizimi siç parapëlqen ta thotë kryeministri është masë për të lehtësuar shtresat e mesme dhe të varfra, apo për të favorizuar konsumatorët VIP, barazimi i kostove të studimit në universitetet shtetërore dhe ato private është politikë që u jep më pak mundësi të varfërve sesa të pasurve? Tërheqja nga premtimi për të ulur tvsh-në për mallrat e shportës rëndon mbi shtresat në nevojë apo  te  individët me të ardhura të larta?

Në fakt kjo qasje për ta orientuar Partinë Socialiste drejt Qendrës nuk është prototipike e Tony Blair. 

I të njëjtit këndvështrim është edhe profesori i Partisë Socialiste, Servet Pëllumbi që i ka shpalosur këto ide në vitin 2012 në një intervistë për gazetën "Panorama". “Unë përgjithësisht orientohem drejt mesit, e parapëlqej atë, madje vazhdoj të besoj se në thelbin e vet një zhvillim i lirë politik ekonomik me natyrë politike neutrale, madje e thënë ndryshe, ideologjikisht i pangjyrë është më normal dhe logjik”http://www.panorama.com.al/rexhep-meidani-taksa-progresive-nuk-eshte-shpikje-e-rames-e-ka-aplikuar-ps-deri-ne-2005/

Reformat e qeverisë Rama  ndoshta gjejnë përgjigje të këshillat e Tony Blair që për t’u përshtatur me nevojat e kohës ka filluar të aplikojë edhe veshjen casual dhe pa kravatë, të cilën ka nisur ta parapëlqejë së fundmi edhe kryeministri Rama. E rastësishme apo jo, fakt është që politikanët "e rinj" të së majtës, po i largohen debatit ideologjik, për të adoptuar kauza momentale dhe qasje prej showmani ndaj publikut. l.m

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.