Cani flet për REUTERS: Do i shlyejmë biznesit 350 milionë USD brenda tre muajve

Postuar në 27 Mars, 2014 08:10

Qeveria e Shqipërisë do të paguajë 350 milionë dollarë borxhe të prapambetura, që janë afërsisht sa gjysma e borxhit që u ka bizneseve. Shlyerja do të kryhet në tre muajt e ardhshëm. Kjo është një nismë që shpreson të inkurajojë rritjen ekonomike, tha ministri i Financave Shkëlqim Cani, për agjencinë Reuters.

Borxhi i qeverisë ndaj bizneseve arrin në 720 milionë dollarë.

Ai daton qysh nga viti 2005 dhe është i barabartë me 5.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Pjesa më e madhe e këtij borxhi është ndaj kompanive që ndërtuan vepra publike si rrugë, shkolla ​​dhe spitale.

Qeveria, e udhëhequr nga socialistët, e nisi shlyerjen graduale në dhjetor.

Ministri Cani tha se pagesat do të ndahen me këste prej 35 milionë dollarësh çdo javë, duke filluar nga muaji prill.

Pjesa e mbetur prej 370 milionë dollarësh do të paguhet në vitet e ardhshme.

Ministri u shpreh se kabineti qeveritar ishte i vendosur të miratojë një marrëveshje kredie trevjeçare me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), me vlerë 331 milionë euro.

Cani tha se Shqipëria është duke pritur kredi të tjera të huaja këtë vit.

Kredia e FMN do të pasohet, sipas tij, nga 200 milionë dollarë financim nga Banka Botërore në maj.

Ndërkohë Shqipëria është gjithashtu duke negociuar një kredi 50 milionë dollarë me Komisionin Evropian.

“Ky injeksion valute në ekonomi, që likuidon borxhet, si dhe investimet që parashikohen në rreth 1 miliardë dollarë, do të kenë natyrshëm efekte në rritjen ekonomike”, tha Cani, i cili ka mbajtur më herët postin e ish- Guvernatorit të Bankës Qendrore.

“Efekti do të fillojë nga muaji në muaj prill, maj dhe qershor dhe sidomos në gjysmën e dytë të vitit, ekonomia do të njohë një bum të vërtetë, me një rritje vjetore prej 2.1%,” tha Cani.

Ekonomia e Shqipërisë vlerësohet të ketë shënuar rritje prej vetëm 0.7% vitin e kaluar, më e ulëta në më shumë se një dekadë. Ajo ishte rritur me rreth 5.5% çdo vit nga viti 2000 deri në vitin 2009, kur nisi edhe të humbasë fuqinë.

Borxhet e prapambetura kanë dobësuar besimin e investitorëve dhe janë faktorë në rritjen e kredive të këqija deri në 25% të totalit të kredisë. Kjo ka frenuar kreditimin.

Nxitimi për të shpejtuar shlyerjen e borxhit është i motivuar edhe nga vështirësitë ekonomike të vendeve fqinjë të Shqipërisë. Italia dhe Greqia janë partnerët e saj kryesorë tregtarë dhe komuniteti shqiptar atje dërgon remitancat, të cilat kanë njohur rënie.

Sipas marrëveshjes me FMN-në, Shqipëria pritet ta ulë raportin e borxhit publik nga rreth 70.5% të PBB-së në fund të vitit 2014, në nivelin e 60% në një periudhë afat-mesme.

Qeverika ka ngritur taksat për bizneset e mëdha dhe personat me të ardhura të lartë dhe i ka ulur taksat për biznesin e vogël.

“Dokumentet e FMN janë një pjesë e programit të qeverisë shqiptare. Unë po ju them sinqerisht se ne jemi edhe më agresive në disa fusha. Asgjë nuk mund të arrihet pa reforma dhe ne jemi të vendosur për të përballur me to,” shtoi Cani.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.