Bie me 38 % prodhimi i energjisë elektrike, KESH rinis importin

Postuar në 08 Tetor, 2014 04:01

Prodhimi i energjisë elektrike në hidrocentralet e vendit ka rënë me 38 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shifra është bërë publike nga Instituti i Statistikave në raportin për tremujorin e dytë të vitit 2014. Rendimenti poshtë potencialit i kaskadës së Drinit dhe prodhuesve të tjerë të energjisë në vend është konfirmuar edhe në analizën 6-mujore të Kroporatës Elektroenergjetike. Në këtë interval rënia e prodhimit të energjisë është edhe më e madhe, duke pësuar një ulje me 46.9%. Kjo situate ka detyruar KESH-in të nisë nga dje importin e energjisë elektrike për të mbuluar nevojat e brendshme. Blerja e energjisë e vështirëson edhe më shumë situatën financiare të kompanisë, e cila pritet t’i dërgojë Entit Rregullator të Energjisë propozimin e saj për çmimin e ri të energjisë elektrike. Ndërkaq në vështirësi financiare është edhe OSHEE (Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike), ose ish-CEZ Shperndarje. Burime zyrtare nga ky institucion thonë se përveç humbjeve në rrjet dhe faturave të prapambetura, problem mbetet mbledhja e borxheve nga institucionet shtetërore. Debitë e institucioneve shtetërore llogariten në 10 miliardë lekë, ndërsa drejtuesit e OSHEE-së flasin për rakordim të më shumë së gjysmës së këtyre borxheve, pa dhënë detaje se sa për qind e kësaj shume është disbursuar. Qeveria, e cila kishte premtuar uljen në 6% të tvsh-së për energjinë, ndodhet tani nën presionin e vazhdueshëm të institucioneve financiare ndërkombëtare për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, si e vetmja rrugë për të shpëtuar nga kolapsi sistemin energjetik. Banka Botërore miratoi së fundmi huanë prej 150 miliardë dollarësh për rimëkëmbjen e sistemit, duke propozuar rritjen me 15-20 % të çmimit të energjisë elektrike.

l.m

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.