BB seri reformash për Shqipërinë, shkak kriza greke

Postuar në 17 Korrik, 2015 13:21

Shqipëria, ashtu sikurse vende të tjera të rajonit të Ballkanit, ka lidhje biznesi dhe financiare me Greqinë, pra, ekzistojnë kanale të shumëfishta që bëjnë që gjendja e ekonomisë greke mund të ndjehet në Shqipëri. “Grupi i Bankës Botërore ka miratuar një program të ri për Shqipërinë, i quajtur Diagnoza Sistematike e Vendit, i cili përfshin një seri reformash, që mund ta ndihmojnë ekonominë shqiptare të shënojë rritje më të shpejtë në afat të mesëm dhe të gjatë”- kështu u shpreh në një intervistë për Zërin e Amerikës, Patrizio Pagano, Drejtor Ekzekutiv në Bordin e Drejtorëve të Bankës Botërore për Italinë, Portugalinë, Shqipërinë, Greqinë, Maltën, San Marinon dhe Timorin Lindor. Pyetjes së gazetares Laura Konda se, kriza greke nuk është thjesht një problem i Greqisë, por se ajo mund të vazhdojë të ndikojë tek vendet e tjera fqinje, përfshirë Shqipërinë, Pagano iu përgjigje se:

¨Shqipëria, ashtu sikurse vende të tjera të rajonit të Ballkanit, ka shumë lidhje me Greqinë, para së gjithash, me remitancat, që sjellin në vend shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Greqi; po ashtu ka lidhje përmes kanaleve të tregtisë, ka shumë lidhje biznesi mes të dy vendeve; gjithashtu, ekzistojnë lidhje përmes kanaleve financiare: një numër bankash greke operojnë në Shqipëri. Pra, ekzistojnë kanale të shumëfishta që bëjnë që gjendja e ekonomisë greke mund të ndjehet në Shqipëri. Është e rëndësishme të theksohet se qeveria shqiptare ka punuar shumë për ta mbrojtur vendin nga pasojat e mundshme  të krizës. Kjo është një punë që nuk ka filluar dje, por ajo po vazhdon të paktën që prej dy vjetësh, me ndihmën e Bankës Botërore, FMN-së, Bashkimit Evropian dhe donatorëve të tjerë¨.

Sa i takon vështirësive ekonomike, me të cilat përballet Shqipëria për shkak të krizës së vitit 2008, kreu ekzekutiv në bordin e drejtorëve në BB tha se: ¨Ka dy mënyra të mundshme, për t’iu përgjigjur pyetjes suaj. Njëra që lidhet me një këndvështrim afatshkurtër, me situatën ciklike; tjetra, që lidhet më tepër me një vështrim afatgjatë, me situatën strukturore. Nga pikëpamja ciklike, jo vetëm Shqipëria, por i gjithë rajoni është ndikuar nga një krizë e dyfishtë: fillimisht nga kriza financiare, pastaj nga kriza e Eurozonës. Faktet tregojnë se kur ka krizë dhe sektori financiar përfishihet në të, rimëkëmbja ekonomike është shumë më e ngadaltë. Ky është një këndvështrim, përmes të cilit ne shohim një mëkëmbje të ngadaltë. Tjetri është se duke qenë se Shqipëria është një ekonomi e hapur, ajo ndikohet së tepërmi nga marrëdhëniet tregtare me vendet e tjera. Ne e dimë që jo vetëm Greqia dhe Italia, por edhe partnerë të tjerë evropianë kanë një ngadalësim në rritjen e tyre ekonomike. Kjo është arsyeja përse ekonomia shqiptare po përjeton një rritje më të ngadaltë. Analizat e kohëve të fundit që ka bërë Grupi i Bankës Botërore ka miratuar një program të ri për Shqipërinë, i quajtur Diagnoza Sistematike e Vendit. Programi i ri i miratuar kohët e fundit nga Bordi i Drejtorëve përfshin një seri reformash, që mund ta ndihmojnë ekonominë të shënojë rritje më të shpejtë në afat të mesëm dhe të gjatë. Me qëllim që të arrihet ky ritëm rritjeje, është e rëndësishme  që të gjitha këto reforma dhe programe të zbatohen dhe  për këtë është i rëndësishëm përkushtimi i qeverisë. Unë shoh një përkushtim të madh nga qeveria shqiptare në këtë aspekt¨.

 

http://www.zeriamerikes.com/content/pagano-patrizioa-laura-konda-wold-bank-banka-botrore-voa-/2866529.html

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.