Banorët e dëbuar të shtëpive të kthyera pronarëve, letër Ramës: Na e thoni troç, na keni mashtruar pasi ju dhamë votën?

Postuar në 20 Korrik, 2015 11:55

Banonin në shtëpitë ish pronë private që regjimi komunist i bëri pronë shtetërore, e pas ndryshimit të sistemit dhe kthimit të pronarëve të vjetër, u hodhën në rrugë. Sot 3300 kryefamiljarë të hedhur në rrugë nga Akti Normativ i qeverisë Berisha në vitin 2012 i dërgojnë një mesazh kryeministrit Rama: “Ishit Ju që kur ishit në opozitë e dënuat me forcë këtë padrejtësi historike që bëri z. Sali e kompani duke u larguar nga salla e Kuvendit në shenjë proteste. Ky veprim i drejtë nga ana ligjore, juridike, morale e shoqërore na dha shpresë dhe jetë se një ditë edhe ne 3.300 familjet që numërojnë jo më pak se 25.000 qytetarë të cilët jetonin në shtëpitë shtetërore ish pronë private, do të përfitonim një shtëpi si 230.000 familjet që privatizuan banesat shtetërore me çmime simbolike. Ne ju mbështetëm me të gjithë forcën e shpirtit duke menduar se po afron dita e drejtësisë.

Kryeministër! Shoqata ka ndjekur me shumë vemendje të gjithë ecurinë e punëve jo të vogla që qeveria të cilën ju drejtoni ka kryer e po kryen, por nga ana tjetër shohim një neglizhencë totale në zgjidhjen e problemit tonë të strehimit.

Shoqata ka ndjekur rrugën ligjore e protokollare për të kërkuar se çfarë është menduar për rastin tonë. Por kanë kaluar muaj dhe shoqata ende nuk ka marrë asnjë përgjigje. Sa çudi! Si ka mundësi që edhe korespondencat brenda qeverisë të mos lexohen?! Apo edhe ato ndjekin rregullin e lojës “e ka kush e ka” e mjerë ai që e ha!

Nga sa po shohim, ju dhe qeveria që Ju drejtoni nuk keni ndërmend të shfuqizoni “Aktin Normativ” nr. 3 datë 10/08/2012. Arsyet i dini Ju dhe ministrat tuaj. Por ne kemi të drejtën morale e qytetare të shtrojmë një pyetje – mos vallë, ne qytetarët që ju dhamë votën për një të ardhme më të mirë kemi qenë në ëndërr? Apo forca politike që ju drejtoni dhe aleatët tuaj kanë të njëjtin “gen politik” me Sali Berishën dhe lakejtë e tij? N.q.s. jeni kështu na e thoni troç, që ne qeraxhinjtë paskemi qene pjella të lopës ndersa 230.000 familjet, në te cilën perfshiheni edhe Ju, antarët e qeverisë, deputetët, presidenti, antarët e Gjykatës Kushtetuese i bletë shtëpitë me çmimin e një biciklete, pra ju jeni pjella te nënës? Pyesim, ne që jemi pjella të lopës duhet të marrim kredi që të strehohemi?! Të jetë e vërtetë kjo gjëmë?

…Për shoqatën e qeramarrësve në shtëpitë shtetërore ish pronë private, Kryetari Myftar Kurti”

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.