Arian Zeka i Odës Ekonomike Amerikane thotë se Kosovën po e përcjell një trend negativ ekonomik: Të rinjtë diplomohen në fusha ku s´ka treg pune

Postuar në 19 Korrik, 2015 08:08

“Rritja ekonomike, as duhet dhe as mund të bazohet në Qeverinë e Kosovës apo në institucionet publike - ajo duhet të vijë nga sektori privat. Kudo, në çdo vend ku funksionon ekonomia e lirë e tregut, bartës kryesor i zhvillimit ekonomik të vendit është sektori privat. Prandaj, që të ndodhë kjo, duhet sa më shpejt të futen masat, të cilat mundësojnë fuqizimin e këtij sektori”, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka. Sipas tij, një prej arsyeve më të mëdha që Kosova ka këtë papunësi të madhe, është për shkak se ne vazhdojmë të kemi të rinj të diplomuar në fusha, për të cilat më nuk ka kërkesë të madhe në tregun e punës. “Po i shoh disa përpjekje të ditëve të fundit që të kufizohet numri i studentëve të rinj nëpër fushat sociale dhe t’u jepet prioritet më i madh drejtimeve që nuk lidhen me fushat sociale, duke përfshirë këtu shkencat natyrore dhe matematikore, e që është një përpjekje e qëlluar. Nëse ne, si asociacione të biznesit, nëse ministritë përkatëse,nëse shoqëria në përgjithësi flet se ekzistojnë potenciale të shumta të zhvillimit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, atëherë shkollimi duhet të jetë në këtë shërbim. Mund të tingëlloj skeptik, por unë dyshoj se kemi kapacitetet e duhura dhe të mjaftueshme njerëzore që të realizojmë këtë potencial të zhvillimit të sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimeve në Kosovë. Duhet të kemi më shumë fuqi punëtore kurdo që krijohen kompanitë në këtë sektor, dhe ata duhet t’i kenë njerëzit që do t’i kryejnë detyrat dhe t’i realizojnë misionet e këtyre kompanive”, thotë Arian Zeka në intervistën për Radion Evropa e Lirë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.