Ambasadori Dervishi nga Athina siguron se nuk do të ketë kthim emigrantësh në Shqipëri: Janë të integruar, i kanë paraprirë rezultatit të referendumit

Postuar në 05 Korrik, 2015 23:53

Rezultati kundër reformave të kreditorëve në referendum ishte i pritshëm dhe një skenar i daljes nga Eurozona është i mundur. Kështu ka deklaruar, ambasadori shqiptar në Greqi, Dashnor Dërvishi në një lidhje të drejtpërdrejtë telefonike për “Ora News” nga Athina. Ambasadori Dervishi deklaroi gjithashtu se situata në Greqi do të ndikojë në stabilitetin e Ballkanit, por nuk do të ketë impakt negativ tek vendet që aspirojnë të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Por Ambasadori shqiptar ka hedhur poshtë zërat se emigrantët shqiptarë do të kthehen në atdhe, duke theksuar se ata tashmë janë pjesë e integruar në shoqërinë greke. “Emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi nuk priten surpriza, janë përgatitur me këtë krizë, prej 5-6 vitesh. I kanë paraprirë rezultatit të referendumit. Ata që kanë mbetur këtu janë pjesë integrale ekonomiko-sociale e shoqërisë. 130 mijë ishin në të drejtën e votës sot, pavarësisht se një pjesë e mirë e tyre kanë qëndruar indiferent. Më shumë është një psikozë, pjesë e debatit të përgjithshëm që bëhet në Greqi, të kthehemi–të mos kthehemi, të ikim-të rrimë. Por praktikisht ajo pjesë e shqiptarëve që është sot në Greqi është pjesa më e integruar e shoqërisë shqiptare këtu, qoftë me punën që kanë pavarësisht nga kriza ekonomike janë sistemuar. Fëmijët në mënyrë të veçantë i mbajnë të lidhur. Sa i përket kthimit nuk na rezulton që të ketë ndonjë kthim masiv apo tendencë për tu kthyer. Është vetëm një debat i hapur prej vitesh që të rrinë apo mos të rrinë meqenëse Greqia nuk po ecën mirë me ekonominë e saj. Ndërsa kthimi i fëmijëve konçidon dhe me pushimet, kanë mbaruar shkollën dhe me këtë rast i nisin në Shqipëri, por nuk ka lidhje me kthimin përfundimtar apo jo të tyre”, u shpreh Dashnor Dërvishi për “Ora News”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.