20-­vjetori i masakrës së Serbrenicës, Vuçiç lë shënim në librin e kujtimeve, pasi më parë kishte bërë thirrje publike për vrasjen masive të boshnjakëve. Thaçi nuk lejohet të kalojë

Postuar në 11 Korrik, 2015 03:58

Bosnja shënon sot 20 vjetorin e masakrës së Srebrenicës, masakra më e rëndë në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore. Në korrik 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në enklavën e Srebrenicës, që ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara. Rreth 15 mijë djem e burra arritën të shpëtojnë duke u larguar përmes pyllit, por shumë prej tyre u vranë nga ushtarët serbë që u zunë pritë të maskuar me uniforma të OKB-­së. Lufta në Bosnje kishte shpërthyer në prill 1992. 20 vjet pas vrasjeve, ende vazhdojnë të gjenden varre masive.

I pranishëm në ceremoni është edhe kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç, i cili ka lënë edhe një shënim në librin e kujtimeve të vendosur në hollin ku po zhvillohet ceremonia. Vuçiç 20 vjet më parë kishte bërë thirrje publike për vrasjen masive të boshnjakëve. I pranishëm eshte edhe ish presidenti amerikan Bill Klinton si dhe perfaqesuesja e larte e BE, Frederika Mogherini. Ndërsa zëvendës kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi njofton se nuk është lejuar të hyjë në Bosnjë pasi sipas tij është cilësuar si person i padëshiruar nga Republika Srpska.

“Përkundër ftesës zyrtare dhe vizës së rregullt të lëshuar nga autoritetet e Bosnjës e Hercegovinës, në momentet e fundit nuk u lejova të udhëtoj për të marrë pjesë në komemoracionet në Srebrenicë me arsyetimin se jam person i padëshirueshëm nga Republika Srpska. Kosova dhe populli i saj me zemër e me mendje jenë me familjet që sot më në fund i varrosin familjarët e tyre që të prehen në paqe dhe me të tjerët që i përkujtojnë etërit, vëllëzërit, bijt e humbur në këtë tmerr. Kështu sot shënojmë 20 vjetorin e gjenocidit të forcave serbe në Srebrenicë dhe 16 vjetorin e gjenocidit të shtetit serb në Kosovë. Populli i Kosovës gjithmonë do të jetë përkrah atyre që promovojnë lirinë, barazinë, drejtësinë dhe pajtimin.”­ shkruan Thaçi ne facebook.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.