“Asfaltet” elektorale

Postuar në 30 Maj, 2015 09:29

Blerina Hoxha

Votimet, qofshin për zgjedhje vendore apo të përgjithshme, i ndezin motorët e ekonomisë për mirë ose për keq. Edhe ky vit nuk ka si të bëjë përjashtim. Në vend të rrugëve, rritjes së rrogave dhe pensioneve, prerjes së shiritave për fillime apo përfundime të veprave publike, qeveria socialiste që po testohet politikisht për herë të parë pas fitores me 1 milion vota të 23 qershorit të 2013 ka një ofertë më të sofistikuar. Në fokus janë bizneset dhe administrata lokale. Po miratohen ligje që do të favorizojnë grupime të ndryshme të biznesit dhe, nga ana tjetër, është përshpejtuar me ritme marramendëse disbursimi i TVSH, i cili pothuajse ishte shuar në muajt e fundit të vitit 2014. Deri në fund të prillit janë rimbursuar 2.4 miliardë lekë dhe kjo shumë pritet të arrijë përgjatë dy muajve në vijim në 4.5 miliardë lekë sipas burimeve nga Ministria e Financave. Bizneset të irrituara nga vonesat që u krijuan deri në fund të muajit shkurt tashmë shprehen të relaksuara nga gatishmëria e qeverisë. Nga ana tjetër, disa masa lehtësuese për bizneset, të planifikuara për paketën fiskale të vitit 2016 do të miratohen para zgjedhjeve. Është në diskutim ulja e TVSH për turizmin me 10% por, Ministria e Ekonomisë nuk është e sigurt, për shkak të kundërshtimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, tani kur edhe rezultatet e të ardhurave buxhetore janë zhgënjyese. Por muaji maj dhe qershor do të jetë çelja e siparit për një seri investimesh strategjike. Deri tani është bërë gati baza ligjore për secilën prej tyre dhe në qershor pritet të lidhen kontratat e para. Më 31 maj mblidhen ofertat paraprake për parkun e Spitallës, Koplikut dhe Vlorës.

Ministria e Transporteve pret të finalizojë marrëveshjen me kinezët për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, pavarësisht negociatave të vështira. Ministria e Ekonomisë, nga ana tjetër, sapo ka miratuar edhe ndërtimin e fshatrave turistikë në Himarë dhe Ishëm të Durrësit nga kompanitë Edonil Konstruksion” sh.p.k. dhe “XH & M” sh.p.k., Edil Al. (http://www.monitor.al/ahmetaj-jep-lejet-per-fshatrat-turisti...

Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për turizmin pritet të jepen me koncesion edhe disa projekte të tjera në turizëm dhe porte gjithashtu.

Bizneset janë angazhuar në takime me grupimet politike më shumë se në çdo fushatë tjetër, edhe pse zgjedhjet janë vendore. Mbështetja politike për shumë biznese është shndërruar në mekanizëm mbijetese.

Por me afrimin e zgjedhjeve është parë që disa sektorë kanë rritur ndjeshëm konsumin.

Zhdoganimet e karburanteve në prill u rritën me 40% dhe Shoqata e Hidrokarbureve renditi si shkak kryesor konsumin e nxitur nga udhëtimet që bëhen për qëllime elektorale.

Por, në sfond të përfitimeve të momentit, zgjedhjet e kanë ndikuar ekonominë në afatgjatë më shumë për keq se sa për mirë. Hapja e thesit të parave publike rrezikon të rrisë borxhin edhe më tej, investimet e huaja stepen në vitet zgjedhore dhe turizmi gjithashtu. Shenjat e para janë dhënë.

Administrata fiskale ka ulur presionin për mbledhjen e të ardhurave duke vënë në vështirësi përmbushjen e detyrimeve vjetore që ka marrë qeveria në buxhetin e vitit 2015. Përfaqësuesi i FMN-së në vendin tonë, Jens Reinke, pohoi se, rënia e të ardhurave në tremujorin e parë është përtej parashikimeve dhe i ka kërkuar qeverisë shqiptare publikisht për shkaqet që kanë çuar në këtë situatë.

 

Gati 20 masa lehtësuese për biznesin

Ministria Ekonomisë, më herët në fillim të javës që lamë pas njoftoi në Kuvend se, është bërë gati një paketë me 20 masa lehtësuese për biznesin. Paketa do të miratohet në dy javët në vijim dhe siç mësohet nga burimet në Ministrinë e Ekonomisë, ka në themel të saj disa lehtësira në sektorin e turizmit, fasonit, zgjidhjen e problemit të firove, etj. Paketa ishte programuar të miratohej në fund të vitit por do t’u ofrohet bizneseve para zgjedhjeve. Ndërkohë që lehtësirat janë parashikuar të miratohen nga qeveria në mbledhjet e këtij muaji në qeveri, ministri Ekonomisë, Arben Ahmetaj, duket se është vënë nën presionin e FMN për të mos lejuar disa përjashtime fiskale të programuara tashmë. Me sugjerimin e praktikantëve të Harvardit për sektorin e turizmit tashmë është bërë gati projektligji për uljen e TVSH nga 10% në 20% që është aktualisht. Qeveria e ka ndërmarrë këtë nismë për të njehsuar tatimin me vendet e rajonit, por kjo ka gjasa të minojë marrëveshjen me FMN, që është shprehur totalisht kundër përjashtimeve fiskale, pasi në ekonomi të tilla si Shqipëria, ku informaliteti është i lartë, përjashtimet mund të bëhen shkak për nxitje të mëtejshme të tij. Të mërkurën e javës që shkoi, qeveria zgjeroi spektrin e njohjes së firove të biznesit si shpenzime të zbritshme.

 

31 maj, fillon gara për tre parqet industriale

Parku industrial i Spitallës, i Koplikut dhe Vlorës janë shpallur për zhvillim nga qeveria e Shqipërisë dhe data 31 maj është vënë si një afat parakualifikimi për investitorët e mundshëm që do të zhvillojnë këto zona. Burimet në Ministrinë e Ekonomisë bëjnë me dije se, pas një ekzaminimi që bënë ekspertë të Harvardit dhe pas miratimit të ligjit të ri për zhvillimin e parqeve industriale dhe zonave ekonomike, u pa me vend që të zhvilloheshin 3 të tilla.

Zona e Koplikut në Qarkun e Shkodrës që është përafërsisht 61 hektarë, Spitalla në Qarkun e Durrësit, përafërsisht 213 hektarë dhe Vlora rreth 230 hektarë. Por Ministria e Ekonomisë ka në plan të zhvillojë fillimisht parkun industrial të Spitallës dhe për këtë është në negociata me një kompani kineze.

Megjithëse ka bërë ftesën për tre zona, qeveria ka për qëllim të zhvillojë fillimisht Spitallën dhe duke parë ecurinë e saj të vërë në përdorim edhe zonat e tjera.

Por paralelisht me tokën, investitorët që do të ofrohen në Spitallë për të zhvilluar aktivitetin e tyre, do të kenë edhe mjaft lehtësi fiskale.

Hyrja dhe dalja e mallrave në apo nga zonat bëhen sipas dispozitave të Kodit Doganor.

Zhvilluesit dhe përdoruesit përjashtohen nga pagesa e 50% të normës së tatimfitimit për pesë vitet e para nga fillimi i veprimtarisë së tyre në zonë.

Brenda tre viteve nga fillimi i veprimtarisë ekonomike të zonës, i njihen si shpenzime të zbritshme të periudhës tatimore, 20% e shpenzimeve kapitale vjetore, pavarësisht nga shumat e amortizimit sipas ligjit të tatimfitimit, për periudhën e parë dyvjeçare.

Furnizimi i mallrave shqiptare, të destinuara për t’u vendosur në zonë konsiderohen si furnizim për eksport me shkallë zero të TVSH në përputhje me përcaktimin e ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe legjislacionin doganor. Projekti i zhvillimit përjashtohet nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.

Ndërtimet e realizuara në zonë, sipas projektit të zhvilluesit, përjashtohen nga taksa e pasurisë së paluajtshme për një periudhë pesëvjeçare.

Zhvilluesit ose përdoruesit e zonës janë të përjashtuar nga taksa mbi kalimin e së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme.

Shpenzimet për paga dhe kontributet shoqërore dhe shëndetësore që punëdhënësi paguan për punëmarrësin, njihen 150% e vlerës gjatë vitit të parë fiskal të ushtrimit të aktivitetit. Pra, merr tre punonjës, por shteti paguan koston për dy.

Kostot e trajnimit të punonjësve në zonat teknologjike dhe zhvillimit ekonomik, për efekt të llogaritjes së tatimfitimit, njihen si shpenzime të njohura në periudhë tatimore me dyfishin e vlerës për një periudhë 10-vjeçare nga fillimi i veprimtarisë ekonomike.

Shpenzimet për kërkim shkencor dhe zhvillim njihen si shpenzime në dyfishin e vlerës për një periudhë 10-vjeçare nga fillimi i veprimtarisë. Të interesuarit duhet të kenë pasur eksperiencë të mëparshme ndërkombëtare në zhvillimin e tokës, financimin, ndërtimin, dhe tërheqjen e bizneseve të reja të qirasë veçanërisht në lidhje me zhvillimin dhe menaxhimin e projekteve të ngjashme.

Burimet nga Ministria e Ekonomisë pohojnë se gara parakualifiukese për Spitallën vlen deri më 31 maj, ndërsa gara finale nis më 10 qershor. Qeveria shqiptare do të presë nga fituesi i zonës së Spitallës fillimisht sigurimin e gardhit rrethues, portës hyrëse dhe hapësirës për zyrë administrative për menaxhimin zonës, për operacionet doganore dhe suportet e tjera qeveritare.

Fituesi duhet të ketë një plan për ekzekutuar në lidhje me zhvillimin e infrastrukturës brenda zonës për të siguruar tokë për shërbime industriale dhe komerciale për përdoruesit. Gjithashtu duhet të sigurojë ose të rregullojë për ofrimin e menaxhimit, promovimit dhe shërbimet e mirëmbajtjes për të tërhequr dhe për të mbajtur përdoruesit.

 

Rifillon  rimbursimi i TVSH së biznesit

Gjatë muajve mars dhe prill, por edhe në dy muajt në vijim pritet që rimbursimi i TVSH për bizneset të përshpejtohet, pas një ngërçi që pasoi nga vjeshta e vitit që shkoi deri në shkurt të këtij viti. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, TVSH e rimbursuar ndaj biznesit në fund të katërmujorit arriti në 2.4 miliardë lekë.

Kjo shumë është më shumë se, dyfishi i TVSH së rimbursuar në po këtë periudhë të një viti më parë. Vetëm në muajin mars janë rimbursuar 1.5 miliardë lekë dhe Ministria e Financave ka vënë 4.5 miliardë lekë në dispozicion të këtij procesi nga fondi i detyrimeve të prapambetura.

Bizneset që janë të përfshira në ciklin e rimbursimit të TVSH, sidomos biznesi fason dhe eksportuesit e tjerë, kishin shprehur pakënaqësi në lidhje me ecurinë e procesit në fillim të vitit. Përveç vonesave, bizneset e sektorit pohuan se, janë rritur edhe tarifat e korrupsionit në formën e komisionit për të përfituar shumën.

Por afrimi i zgjedhjeve lokale ka ndryshuar kryekëput situatën. Ndërsa rimbursimi i TVSH-së i është kthyer normalitetit, shumë nga bizneset janë vënë në “shërbim” të fushatës në mënyra të ndryshme. Duke qenë se fasonët punësojnë një numër të konsiderueshëm punonjësish dhe janë të përqendruar kryesisht në Tiranë, presionet për orientimin e votave janë edhe më të mëdha.

Megjithatë, financat pohojnë se kjo është një ecuri normale dhe rimbursi rifilloi, pasi ishte bllokuar për shkak të procesit të auditimit në muajt e parë të vitit.

 

Zgjedhjet rrisin konsumin e karburantit me 40%

Importet e karburanteve këtë vit po kalojnë nëpër oscilacione me rënie- ngritje nga muaji në muaj. Gjatë muajit prill, zhdoganimet e karburanteve arritën në 38 mijë tonë, me një rritje gati 40% në krahasim me muajin mars të këtij viti dhe 12% më shumë se prilli i vitit të kaluar.

Burimet nga Shoqata e Hidrokarbureve thanë se shkaqet i importeve më të larta janë rritja e konsumit dhe një aktivitet më i ulët i ARMO-s në përpunimin e naftës vendase.

Të njëjtat burime pohojnë se, rritja e konsumit është nxitur nga zgjedhjet lokale. Fluksi i udhëtimeve për shkak të fushatës është në rritje, për rrjedhojë shitjet në pikat e pakicës janë rritur ndjeshëm.

Aktorët e tregut presin rritje të mëtejshme gjatë muajit në vijim kur edhe fushata do të kulmojë.

 

 

Qytetet kthehen përmbys

Kushdo që jeton sot në qytetet tona, i ka ardhur në majë të hundës pasi shumica e qendrave të tyre, rrugëve dhe rrugicave janë kthyer përmbys për t’u ribërë. Kjo mënyrë investimesh nga pushteti lokal është kthyer në traditë. Pushtetarët vendorë rrinë katër vjet “pushim” dhe i shkarkojnë të gjitha projektet në pak muaj para zgjedhjeve. Kjo po ndodh kryesisht në qytetet në të cilat, kryebashkiakët aktualë, rikandidojnë.

Shembulli më tipik është Bashkia e Elbasanit dhe ajo e Lezhës. Kryebashkiaku i Elbasanit, Qazim Sejdini, kandidat i Partisë Socialiste, e ka shndërruar qytetin në arenë punimesh. Burimet zyrtare të bashkisë raportojnë se po zhvillohen punime në 78 objekte në të gjithë qytetin. Investimet përfshinë rikonstruksionin e rrugëve, rrugicave, shesheve, lulishteve, çerdheve, kopshteve, kanaleve të ujërave të zeza etj. Bashkia e Elbasanit ka ndërmarrë aksionin më të madh nga të gjitha bashkitë pasi kishte në planin e saj të investimeve këtë vit një shumë për 5 milionë euro e cila, duket e vogël para ambicies së zotit Sejdini që ka hapur punime në çdo cep të qytetit.

Qendra e Lezhës gjithashtu është shndërruar në makth për qytetarët dy muajt e fundit. Qendra e qytetit është kthyer përmbys në pritje të rregullimeve të reja, nga kryebashkiaku aktual, Viktor Tusha, kandidat i LSI-së, përfaqësues i koalicionit të majtë për Bashkinë e Lezhës. Qytetarët kujtojnë se, pikërisht zona e përmbysur ishte bërë nga e para përpara katër vitesh. Ata pohojnë gjithashtu se, ajo rrugë kthehet përmbys sa herë ka zgjedhje dhe amortizimi nis një vit pas përfundimit të punimeve. Dikush më shumë dhe dikush më pak, bashkitë në të gjithë vendin janë përfshirë në aksione. Dako në Durrës po lyen fasadat dhe është në përfundim të sistemimit të radhës në qendrën e qytetit. Qendra e Lushnjës është kthyer përmbys nga një projekt për një pedonale të re. Berati ka përfshirë në rikonstruksion sheshin “Teordor Muzaka”, lulishten “Dëshmorët e Kombit” dhe rikonstruksionin e trotuarit të urës së Gorricës.

Ndërsa bashkia më e madhe në vend, ajo e kryeqytetit, ditët e fundit po kryen meremetime të lehta, ku po mbushen disa gropa dhe po rifreskohen vizat e bardha. Kryebashkiaku Basha ka pohuar se, projektet e mëdha që kishin të bënin me Bulevardin e Ri në zonën veriore të qytetit dhe rehabilitimin e Lumit të Tiranës janë penguar nga qeveria për qëllime politike.

 

Shiritat që s’do të priten

Kryeministri Rama është “betuar” kur ishte në opozitë se, nuk do të imitonte ish-kryeministrin Berisha, i cili gjatë fushatës elektorale rrinte me gërshërë në xhep, duke prerë shiritat për fillim punimesh apo për përfundimin e tyre. Por zoti Rama, edhe nëse nuk do të presë shirita, disa projekte të mëdha të infrastrukturës që kanë nisur që në kohën e qeverisjes së shkuar duket se përfundojnë pikërisht këta dy muaj. Rruga Lin-Pogradec është një prej tyre, mbikalimi tek ura e Dajlanit ka përfunduar. Gjithashtu akse të tjera kombëtare janë në përfundim.

Nga ana tjetër, Ministria e Transportit pret të finalizojë marrëveshjen për Rrugën e Arbit me kinezët para zgjedhjeve. Por gjithsesi fokusi te rrugët nga qeveria ka qenë më i zbehtë në këto zgjedhje. Qeveria aktuale i ka kushtuar më shumë rëndësi mirëmbajtjes, sinjalistikës dhe zbukurimeve të rrugëve aktuale se sa zgjerimit të mëtejshëm të investimeve në fronte të reja. Në prag të zgjedhjeve pritet të nisin punimet e para për gazsjellësin TAP, i cili është një projekt ndërkombëtar, që nuk ka lidhje me interesat e brendshme politike të vendit, por gjithsesi, rastis që punimet të nisin në vigjilje të votimeve. Ministria e Transportit, më 12 qershor, hap ofertat për dhënien me koncesion të një porti jahtesh në Shëngjin.

 

Projektet flluska

Ekzistojnë edhe disa projekte që ringjallen një muaj para zgjedhjeve dhe shuhen ditën e nesërme të votimeve. Qytetarët e Kukësit tashmë e kanë kthyer në barsoletë tek njoftojnë se. “Është çelur Aeroporti i Kukësit, por do të jetë i hapur deri në ditën e zgjedhjeve”. Pasi që nga viti 1999, ku nisi ndërtimi i tij, për çdo zgjedhje lokale apo parlamentare, politikanët, deputetët dhe kandidatë për kryetarë bashkie kanë premtuar vënien në punë të tij. Edhe këto zgjedhje nuk bënë përjashtim. Ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto, ka lajmëruar hapjen së shpejti të aeroportit për shërbimet low cost. Ministri ka njoftuar se, është në mbyllje të negociatave me koncesionarin e Rinasit për liberalizimin e fluturimeve ndërkombëtare, por qytetarët e Kukësit e kanë të vështirë ta besojnë. I njëjti premtim është dhënë për të disatën herë edhe për vënien në punë të fabrikës së kromit në Kalimash, por sapo mbarojnë zgjedhjet, situata vijon njësoj. Në Kavajë lëshohen premtimet për ndërtimin e resorteve turistike që ngelen për vite me radhë vetëm premtime. Në Shkodër premtohen në çdo fushatë parqet industriale. Në Jug, premtohet parajsa turistike me resorte, porte jahtesh dhe me aeroporte turistike.

"Monitor" 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.