Çudirat shqiptare të një kontrate qindra milionëshe

Postuar në 19 Korrik, 2015 20:01

 

Biznesi shqiptar do të paguajë që këtej e tutje 22 euro për deklaratat doganore nga 39 euro që ishte parashikuar në marrëveshjen e parë koncesionare me kompaninë “Rapiscan” e cila do të bëjë skanimin e kontenierëve. Marrëveshja e re, erdhi pas një heshtjeje gati dy vjeçare për këtë çështje, e cila zuri fill qysh me bllokimin që qeveria aktuale i bëri zbatimit të marrëveshjes në shtator 2013. Marrëveshja e re u tha se u negociua me mirëkuptim, pasi kompania kishte hapur gjyq në Arbitrazh dhe nëse i besojmë ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, do të fitonte, pasi “ishte e qepur juridikisht”. Ka shumë paqëndrueshmëri në atë që thonë qeveritarët e tanishëm, sidomos po të nisesh nga qëndrimet e mëparëshme, por edhe nga termat e kontratës që tanimë janë bërë publike.

Një marrëveshje e pazbatueshme

Ish-drejtoresha e Doganave, Elisa Spiropali, do të deklaronte në nëntor të vitit 2014 se: “Kontrata ishte e pazbatueshme”. Për të shtuar madje më tej se: “...Në shumë vende të botës skanimi është një kompentencë shtetërore dhe nuk ka pse t’i jepet një kompanie të huaj, që rëndon biznesin”(http://shqiptarja.com/Ekonomi/2733/-kontrata-me-rapiscan-spiropali--skanimi-i-kontenier-ve-nuk-zbatohej-249715.html). Në momentin që kontrata u bë publike, mediat bënë një llogari bazuar në tarifën 39 euro për kontenier, duke patur parasysh se në vit bëhen 320 mijë deklarata doganore. Dhe fitimi vjetor i koncesionit(xhiroja) rezultonte në 12. 480. 000 euro. Për 15 vjet fitimi shkonte me këtë përllogaritje në rreth 187 200 000 euro(http://www.gazetatema.net/web/2013/07/27/nje-koncesion-185-milion-euro-fitim-per-nje-kompani-ministrash-thote-jaka/). Me tarifën e re, nëse do të kryhet shumëzim i thjeshtë shkohet në shifrën 105 600 000 euro. Afërisht në 150 milionë dollarë, sa është shifra minimum e deklaruar nga kompania në fillim të nënshkrimit të marrëveshjes. Një tjetër zyrtar i shprehur publikisht për koncesionin është edhe kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Erjon Braçe, që gjatë vitit 2014 ka deklaruar se marrëveshja mund të kundërshtohet ligjërisht me argumentin se bie ndesh me MSA-në. Madje sugjerime të tilla bëri edhe Autoriteti i Konkurencës që publikoi edhe një dokument rekomandues për këtë(http://www.durreslajm.com/speciale/dokumenti-konkurrenca-ja-pse-“bie”-skanimi-i-kontejnerëve). Gjithë këto qëndrime publike kaluan përballë heshtjes së plotë të opozitës, e cila u bë e gjallë, vetëm pak ditë më parë, kur në Parlament u miratua marrëveshja e re, e cila ul tarifën, por njeh koncesionin. Qëndrimi i mazhorancës doli pra fiasko. Një “marrëveshje e qepur ligjërisht?” Ministri i Financave Shkëqlim Cani, u shfaq shumë optimist një javë më parë në Parlament, teksa u thoshte shqiptarëve se me marrëveshjen e re kursehen 400 milionë euro për 15 vjet. Se qeveria nuk kishte çfarë të bënte, pasi marrëveshja e parë ishte e qepur juridikisht. “Prishja ishte me zarar dhe 350 milionë euro do të paguhej nga qeveria nëse do të prishej, ndërsa me rinegociimin paguajmë 210 milionë euro”, tha Cani. Zarari qëndron në faktin se “Rapiscan” e çoi çështjen në Gjykatën e Arbitrazhit, duke kërkuar një dëmshpërblim prej 350 milionë eurosh, për një kontratë që siç tha edhe ministri Shkëlqim Cani: “ishte e kopsitur nga ana ligjore dhe nuk mund të prishej”.

Çfarë ka bërë pra qeveria?

Ajo ka rinegociuar termat, duke na thënë kështu se “marrëveshja tani është e zbatueshme”. Si vallë mund të ndryshojë vlerësimi për një kontratë të tillë kaq shpejt, vetëm për shkak të ndryshimit të termave tariforë? Është një përgjigje që ndoshta nuk kemi për ta marrë ndonjëherë. Pse negocion kompania “kur marrëveshja është e qepur juridikisht?” Edhe nëse marrim të mirëqenë deklaratat e ministrit, një pyetje lind natyrshëm: nëse marrëveshja është e qepur, pse vallë një kompani si “Rapiscan” do të pranonte të hiqte dorë nga një fitim i sigurt në Arbitrazh? Shumëkush mund të nxjerrë këtu si argument vlerën e studios avokatore të drejtuar nga Cherrie Blair, që u pagua rreth 500 mijë euro për të gjetur zgjidhjen aktuale. Në fakt, nëse i referohemi vetë qëndrimeve zyrtare të drejtuesve të kompanisë, e vërteta mund të jetë disi ndryshe. Ja se çfarë ka thënë CEO i OSI Systems( kompania kryesore), Deepak Chopra, në një takim me aksionerët në 26 gusht 2014: “Ne synojmë të mbrojmë fuqimisht të drejtat tona kontraktuale dhe shpresojmë që të arrijmë një zgjidhje miqësore”. Në të njëtin artikull thuhet se ““Rapiscan” e bëri të njohur kontratën shqiptare në gusht 2013, duke deklaruar se vlera e këtij projekti 15 vjeçar shkonte misis 150 milionë $-250 milionë $”(http://www.defensedaily.com/albania-pulling-out-of-turney-screening-services-project-with-rapiscan-firm-says/). Pra vetë kompania kishte disponibilitetin për të arritur një zgjidhje miqësore, pavarësisht se kishte iniciuar çështjen në Arbitrazh. Vijmë sërish te dyshimi se përse vallë kompania do të këronte negociata dhe si do të justifikohet para aksionerëve humbja e 100 milionë eurove? Një përgjigje është se kompania nuk kishte investuar ende gjë dhe mund të përfitonte akoma. Pse do të lindte atëherë nevoja e një studioje avokatore, përderisa palët po "afroheshin" në një zgjidhje? Le të kujtojmë këtu deklaratën e z. Edi Rama për këshillat e Tony Blair, që sipas tij “nuk do t’i kushtonin asnjë gjë buxhetit të shtetit”. Formalisht kjo mbetet akoma e vërtetë. Por formalisht.

49% e aksioneve vetëm 490 lekë

Ndoshta një pikë e dobët e marrëveshjes që e çoi kompaninë të "heqë" dorë nga 100 milionë euro, është kalimi më 16 shtator 2013 i 49% të aksioneve drejt një kompanie shqiptare për vetëm 490 lekë. Z. Erjon Braçe cilësoi në Parlament se një kontratë prej 260 mln euro janë dhënë sa vlera e një Redbulli dhe dy bakerolls. Dhe fakt është se më 16 shtator 2013, konform termave të marrëveshjes dhe me miratimin e qeverisë së shkuar, “Rapiscan Systems” i kalon për 490 lekë 49% të aksioneve kompanisë shqiptare “Inspection Control & Measuring Systems Sh.p.k”. Dhe kësaj firme BKT-ja autorizohej që t’i lëvronte shumën respektive që shkon në miliona euro. Pra vlera e aksioneve njihej për 490 lekë, kurse fondi ekuivalent i lëvruar shkonte në miliona euro. Ja se çfarë thotë ndër të tjera marrëveshja: “Brenda 30 ditëve nga data efektive, Rapiscan do të themelojë një shoqëri (shoqëri) në Shqipëri me objekt të vetëm biznesi ofrimin e shërbimeve të përcaktuara. Me themelimin e shoqërisë, kjo Marrëveshje do të transferohet në tërësi te shoqëria në mënyrë të tillë që detyrimet e Rapiscan sipas kësaj Marrëveshjeje do të jenë vetëm detyrimet e shoqërisë. Pavarësisht fjalisë së mësipërme, Rapiscan do të veprojë si garantues në lidhje me të gjitha detyrimet që do t’i transferohen shoqërisë në përputhje me termat dhe kushtet e kësaj Kontrate, për gjithë kohëzgjatjen e kësaj Kontrate. Çdo transferim i kuotave brenda shoqërisë do të kushtëzohet nga miratimi paraprak nga Autoriteti Kontraktues, miratim ky që nuk mund të vonohet ose të mbahet në mënyrë të paarsyeshme; përveç rasteve të mëposhtme në të cilat transferimi do të kryhet vetëm me njoftimin e Rapiscan para Autoritetit: a) transferimi i kuotave te një filial i Rapiscan; dhe b) transferimi deri në 24% të interesit në shoqëri të çdo pale”(http://open.data.al/opencorporate/agreements/RapiscanSystemsAlbania.docx). (http://open.data.al/en/corporates/view/id/905#).

Si veprohet në ShBA?

Nëse kompania do të vepronte kështu në ShBA, aty ku ka selinë si do të veprohej? Le të sjellim si shembull rastin e AIG, kompania më e madhe e sigurimeve në botë. Në vitin 2008 qeveria vendosi të ndihmonte financiarisht AIG, duke kërkuar si vlerë ekuivalence 79,9 % të aksioneve. Debati i madh lindi kur vlera e financimit u përllogarit me vlerën e kompanisë në bursë, që ndryshoi shumë shpejt. Ish-drejtuesi i AIG, Hank Greenberg, hapi gjyq ndaj qeverisë federale për trajtim të ashpër në aplikimin e ndihmës financiare, pikërisht për ekuivalencën e kërkuar. Qeveria amerikane deklaroi se në çdo rast “aksionerët nuk u dëmtuan”, duke vënë theksin kështu në interesin e investitorit, por edhe rolin e shtetit. (http://www.nytimes.com/2015/06/16/business/dealbook/judge-sides-with-ex-aig-chief-greenberg-against-us-but-aëards-no-money.html). (https://m.youtube.com/watch?v=ST_yofEmPPY). Në rastin e marrëveshjes sonë, qeveria shqiptare ka argumentin se vetë kompania ka bërë vlerësim të 49% të aksioneve në masën 490 lekë dhe do të ishte interesante në këtë rast të shihej se çfarë mund t’u thoshte aksionerëve z. Chopra. Aq më tepër që jemi në kushtet kur investimi real i kompanisë është ende “zero”.

Çfarë kursyem?

E gjithsesi marrëveshja rihyri në fuqi me vetëm një ulje tarifimi prej 17 eurosh për deklaratë, për të ruajtur legjitimitetin në tërësi. Kjo është kosto për biznesin shqiptar; kosto financiare së pari, që do të reflektohet në çmime, por edhe kosto politike. Të cilat vijnë nga paaftësia apo mungesa e vullnetit të qeverisë për të mbrojtur biznesin, por edhe paranë publike. Dhe ndonëse zyrtarë të qeverisë së shkuar folën më në fund duke thënë se “u bindët që ishte ligjore”, heshtja e tyre 2-vjeçare ulëret më shumë sesa firma që vendosi qeveria aktuale. Fundja këtë vlerë i kemi vënë vetes: vlerën e dy bakerollsave dhe një Redbulli. k.f

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.