Kinezëritë e "Supermanit" të Bashkisë së Tiranës

Postuar në 25 Mars, 2016 14:36

Kryetari i Bashkisë Erjon Veliaj po i jep vetes vetëm një aspekt funksional në detyrë: të duket mirë në televizor dhe përpara shefit të vet, Edi Rama. Ndonëse pati debate të shumta për taksat e reja që Bashkia e Tiranës ka vendosur së fundmi dhe që do të vilen përmes faturës së ujit, Veliaj, deklaron se në thelb kjo nuk është e vërtetë: sipas tij, ka thjesht një mënyrë të re vjeljeje të taksave që kanë qenë në fuqi. “Nuk ka ndryshuar asnjë taksë, është e njëjta faturë. E vetmja gjë që kemi bërë është që të mos vazhdojë më kjo andrallë dhe qytetarëve mos t’u kërkohet të paguajnë njëherësh shuma për vite të mbetura”, tha Veliaj. Taksa e ndërtesës, taksa e arsimit janë shtuar në të vërtetë, madje në kundërshtim me një pjesë të Këshillit Bashkiak në Tiranë. Për taksën e Arsimit ka madje debate nëse është kushtetuese apo jo, sa kohë që arsimi fillor dhe 9-vjeçar është falas. E ndërkohë që disa taksa është mirë që janë vënë, kuptohet nëse do të shkojnë vërtet për komunitetin, Veliaj, nuk heq dorë nga teatraliteti politik, kur i mëshon pa pushim rolit të “komisarit të dritës”. Në takimin me ndërlidhësit kryetari i Bashkisë, u kujtua që të theksojë nevojën e konsultimit me banorët të çdo projekti. “Do të doja të ishit pjesë e konsultimeve publike që Bashkia e Tiranës do të organizojë për disa projekte madhore, ashtu siç bëmë në dhjetor, kur në çdo njësi shpjeguam buxhetin dhe investimet për njësi, apo projektet tona madhore si këndi i lojërave për fëmijë, Unaza e Madhe, Unaza e Vogël etj”, tha ai, raporton “Tema”.  

Mund të pyetet sesi do të organizohen këto të ashtuquajtura konsultime? Do të mjaftonte t’i referoheshim modelit të fushatës, i cili nuk vlen vetëm për Veliajn, por për të gjithë palët. Si zhvillohen takimet në fushatë elektorale? Thirren vetëm ata që janë simpatizantë dhe mbështetës. Mjafton të shohësh fotot e kandidatit që flet dhe njerëzve që u shkëlqejnë sytë nga gëzimi. Për të plotësuar ilustrimin sjellim në vëmendje të kundërtën e kësaj shfaqjeje: çfarë tha kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës me rastin e protestës së biznesit të vogël për taksat, apo për ndërtimin krejt të panjoftuar më parë të ndërtimit te Parku i Liqenit? Akuzoi se protesta ishte e stisur nga militantë të PD-së, se po hidhet baltë mbi punën e Bashkisë, se asgjë nuk e ndal Erjonin që pasi hodhi stresin e madh të protestës, veshi një bluzë Supermani. Si atëherë të afrohesh e të pyesësh kryetarin dhe ndërlidhësit për projekte të caktuara, të kundërshtosh, e të debatosh pa rrezikuar të etiketohesh si militant, në mos edhe të goditesh fizikisht? A nuk u kërcënuan dhe goditën edhe disa protestues te Parku i Liqenit?

Kjo shfaqje e një aktori të vockël arrivist në politikë, siç është kryetari i Bashkisë së Tiranës e ka të nevojshme një goditje të fortë. Një protestë që të paktën të edukojë daljet e tij në tv, me shpresë se kryetari mëngëpërveshur dhe kamera -man,  të mos perceptojë edhe qytetin si “punë të tij dhe të shefit të vet që “e kap për veshi””. Ky kryetar që pasoi atë që gërhiste, po ia kalon në gënjeshtra prej mistreci të gjithëve, pasi siç po rezulton, në emër të të qenit protagonist dhe “i pari në fjalime”, akuzohet për falsifikime firmash, ndërtime pa leje mjedisore, e së fundmi bën deklarata se “taksat nuk janë rritur", por ato na paskan ndryshuar.  Pa folur për çmimin e biletës së transportit urban që u rrit, ashtu si zakonisht, në padijeni dhe pabesi.

Këto mjaftojnë për të ngritur një gjykim dhe për të hedhur poshtë pretendimin e zotërisë se "paragjyohet dhe sulmohet". Një qyteti i mjafton dhe i tepron një njeri që realisht bën ndonjë punë, nuk ka kush nevojë për Superman, as atë të vërtetin e as ndonjë kopje që i shtohet më tej kinezërive të projektit të dështuar të quajtur: “Rilindje”. 

Comments

Submitted by Prof. (not verified) on

Ne kohen qe Sali Berisha ishte sekretar i partise se Punes te Shqiperise, i thoshte kinezeve se ju kemi bije tezesh, mbasi partite i kishim motra, (domethene, per brezin e ri, si sqarim, Partia e Punes se Shqiperise ishte binjakezuar me Partine Komuniste te Kines).
Prandaj edhe ky Veliaj, Saliun ka kopjuar.

Submitted by I Vemendshmi (not verified) on

Sipas zoterise suaj, cdo idiotesi e Rilindjes mund te justifikohet, mjafton te gjendet nje analogji me Sali Berishen?

Submitted by tomi (not verified) on

Ky te kopjoje kete doje or mik; por lojra te tilla me qytetaret nuk mund te besh.
Sinteza e portalit eshte e mire, por une do te permendja edhe banoret e stacionit te trenit te cilet kane me shume se 1 muaj qe nuk i degjon kush. Kompensimi i dhene eshte fare i pa mjaftueshem. Nuk mund te laje duart dhe te braktise rrugeve bashkia qytetaret e saj. Ky eshte turp.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.