Si dikur PS-ja me “Tre ligjet”, edhe sot PD-ja kushtëzon reformën me mandatet në Gjykatën Kushtetuese

Postuar në 25 Mars, 2016 15:48

Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike, ka shpallur kushtëzimin e vet për miratimin e reformës në Drjetësi. I sapokthyer nga SHBA-të, ku ishte për një vizitë, Basha, deklaroi sot se PD-ja nuk mund të japë votën për reformat,  nëse nuk dërgohet në Gjykatën Kushtetuese kërkesa për mandatet e dy deputetëve socialistë.  “A mund të ketë dialog kur njëra palë në tavolinë nxjerr armën? Sigurisht që jo. Edi Rama në fakt nuk vë armën në tavolinë, por bombën atomike kushtetuese. Po diskutojmë që të bëjmë disa ndryshime në Kushtetutë për drejtësi më të pavarur, për rregulla kushtetuese dhe ligjore, ndërkohë që Rama thotë që nuk dua të zbatoj rregullin aktual, që thotë se nëse një deputet kapet me fondet publike shkon në Gjykatën Kushtetuese. Nuk negociohet as Kushtetuta dhe as vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Pa zbatuar vendimin, dialogu me Edi Ramën është baraz me dialog me terroristët dhe Partia Demokratike nuk dialogon me terroristët”, u shpreh Basha. Një gjuhë e rëndë kjo që duket se kërkon të unifikohet në tonalitet me deklarimet e një dite më parë të Sali Berishës, që kërkoi shpërndarjen e Parlamentit.  

Ky mbetet një qëndrim momental dhe taktik, që i bën jehonë humorit të prishur të Berishës, pasi më tej Basha, ka folur për vullnet për të miratuar reformën. “Byroja Kombëtare e Hetimit në veçanti dhe reforma në drejtësi do të kryhen sipas rekomandimeve të Venecias, sipas standardit europian. Askush nuk do të ndalë, deformojë apo devijojë këtë vullnet që në fakt buron nga qytetarët shqiptarë për të pasur një drejtësi të pavarur nga politika dhe në gjendje që të vendosë politikën para drejtësisë”, deklaroi ai.

Loja kushtëzuese që PD-ja po përdor aktualisht na kujton qëndrimin thujase të njëjtë që mbante dikur opozita socialiste e drejtuar nga Edi Rama, me të ashtuquajturat “tre ligje”, të cilat e ndëshkuan jo pak Shqipërinë në procesin e integrimit. Vonesa në miratimin e reformës, apo miratimi i saj pa konsensusin e opozitës, ka potencialin që të prodhojë notë negative për Shqipërinë që pret hapjen e negociatave.

 

 

Comments

Submitted by Symadhi (not verified) on

Sali Berisha & bijte, biologjike dhe politike, aktualisht ndodhen para gijotines se drejtesise.
Problemi eshte qe, te duket sikur po shkojne vete me kembet e tyre duke inskenuar brockulla alla pordhe Sali, prandaj po xhirojne gomat ne vend, duke krijuar zhurme, tym dhe ilaritet tek degjuesit.
Ne gjendjen qe eshte shkokolepsur sot PD, duket si pula me koke te porsa prere, qe perpelitet pa drejtim, mbasi bileta e vdekjes i eshte prere.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.