Nëse ka një Kënetë në Shqipëri, kjo e ka emrin: PS

Postuar në 19 Mars, 2016 19:07

Është viti 2016 dhe me gjasë kanë mbetur vetëm dy persona që vijojnë të mbajnë fjalë nga tribunat që nga viti 1991: Sali Berisha dhe Gramoz Ruçi. Të gjithë të tjerët, që nisën rrugën politike 25 vite më parë, ose janë spostuar, ose janë tërhequr, ose kanë humbur rëndësinë që kanë patur. Kjo sidomos në Partinë Socialiste që ka kaluar disa trauma të brendshme, të etiketuara shpesh si reforma dhe zhvillim demokratik i brendshëm. Gramoz Ruçi është ilustrimi se ky etiketim është i gënjeshtërt, pasi politikani në fjalë, nuk dominon partinë në fjalë përmes mendimit politik, përmes aftësive për të përpunuar programe, as edhe për të vënë në lëvizje reforma me karkater statutor, kaq të dashura për PS-në. Jo. Gramoz Ruçi është aty ku është në sajë të kontrollit të aparatit të dikurshëm, kombinuar me mbajtjen në këmbë të një modeli të ri, hibrid, të burokracisë partiake në krye të së cilës ai qëndron si kryeinstruktori i fundit i ish-komiteteve të partisë.

Është interesante fjala e mbajtur sot prej tij në Kongresin e PS-së, një kongres që ka përballë sfidën e legjitimitetit të kryetarit, ruajtjen ose jo të standardit të zgjedhjeve në një parti që po i vë shkelmin gjithçkaje të arritur deri më sot; një kongres që është ndoshta i fundit ku anëtari do të begeniset qoftë edhe formalisht. Në një nevojë të madhe për të mbyllur diskutimin e hapur nga Ben Blushi për zgjedhjet në parti, Ruçi, qartazi me konsensusin e Ramës ka “thirrur në ndihmë” Fatos Nanon. “Faleminderit, atij që dha gjithcka për rritjen, forcimin, përballimin e vështirësive të lindjes dhe rritjes, që bëri 4 vjet burg për të vetmin faj që kishte bërë se ishte kryetari jonë, të atij që edhe me aktin e fundit të dorëheqjes në 2005 dhe leksionin e fundit të demokracisë, Fatos Nanos. Ju drejtohem të gjithëve juve që drejtuat këto vite, PS është shtëpia juaj, ju thërret dhe ju kërkon ta falni edhe kur ka gabuar, përvoja juaj është jetike në çdo kohë për të përmbushur shpresat për një Shqipëri më të integruar në BE”, tha Ruçi.

Të vihet re sesi ky politikan i vjetër i PS-së e quan leksion demokracie dorëheqjen e Nanos në vitin 2005, pra kur ai Humbi Zgjedhjet. Një formë e hapur kjo për t'i kujtuar të gjithë socialistëve se pse Edi Rama nuk ka nevojë të votohet. Se në shembullin e Nanos, që keqpërdoret si shembull në këtë rast, të gjithë e kuptojnë se “kur jepen dorëheqjet dhe kur jo”. Na shfaqet pra një “shoku Gramoz” që vë në veprim parimet e “common law” përkundrejt Statutit që i rregullon mirë këto punë.

Por edhe sikur ta lëmë për një moment këtë aspekt dhe t’i referohemi historisë politike, shohim një qëndrim me dy standarde. Në shtator të vitit 2005, Fatos Nano e njoftoi dorëheqjen, edhe atë si Kryetar Partie, nga kryeministria. Dhe e bëri këtë në shenjë të hapur pakënaqësie ndaj heshtjes që shoqëroi marrjen prej tij të përgjegjësisë së humbjes, nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, ata që sot janë pjesë e Rilindjes: nga Anastas Angjeli, Fatmir Xhafa, Pandeli Majko, Gramoz Ruçi, Kastriot Islami etj.. Janë të gjithë këta që me parimin “i vdekuri me të vdekurit dhe i gjalli me të gjallët”, u bënë prijës të fitores së Edi Ramës në garën pa konkurentë për kryetar të PS-së. Dhe njësoj si sot Edi Rama që aplikon sofizma për mandatin e tij, edhe këta në vitin 2005, u auto- rimandatuan. Dorëheqja e Ruçit përkundrejt rrëzimit të Paketës së Ndryshimeve Statutore ishte një taktikë, e cila u korrektua në Asamblenë e dalë nga ai kongres.

Në thelb pra, një qeverisje 8-vjeçare, e cila u ofroi shqiptarëve aksidente karrierash nga më të çuditshmet, përfshirë atë të Pandeli Majkos kryeministër, apo Edi Ramës ministër Kulture, vendosur aty si trille të Fatos Nanos, u unifikuan në finale me përgjegjësinë vetëm të këtij të fundit. Ajo që quhej reformë ishte në fakt një proces i bërjes së një koke turku. Dhe sot, kur moralisht PS-ja është ekspozuar, sepse po mbyll vendimmarrjen ndërkohë që bën fushatë për hapjen e radhëve të saj, Fatos Nano është lënda e parë e një modeli retorik që po shtrydhet edhe njëherë të fundit; me një autokritikë të shpëlarë që vjen si nënkuptim, si shkelje syri e fundit për ëndrrën presidenciale të Nanos, si proces i gjithëpërfshirjes së vlerave të PS-së, por njëkohësisht si shprehje e bonsensit të oligarkisë e cila “nuk ka pse të gogolizohet”.

PS-ja po vetëpërcakton këtu pushtetin e një kaste që ka ardhur në krijim e sipër me kalimin e viteve, duke vjelë paranë publike dhe që tani po e legjitimon atë. Janë ata njerëz që ishin në vitin 1991, janë ata që nuk i lëshojnë karriget, që flasin e buzëqeshin, që spekullojnë me termin “anëtar”, “socialist”, terma që duken si rrëshira e një pushteti që nuk reformohet. Me një gënjeshtër që riprodhon veten nën ambalazhin shkëlqyes të ngjyrave të shumta që mësyjnë partinë dhe sidomos me aftësinë korruptuese të strukturuar shumë mirë.

Comments

Submitted by tomi (not verified) on

Artikull i mire. Nje pyetje kisha; shkrime te tilla jane redaksionale?? Sepse gjithmone kerkoj emrin e autorit por nuk mundem ta gjej.

Submitted by mano mano (not verified) on

Eshte e turpshme se si nje gazete online boton te gjitha shkrimet pa autor. Shtyp bulevardesk.

Submitted by Moratoriumi (not verified) on

Ka lezet me keneten mbasi rriten shume lloje peshku.
Ku t'a gjesh te kemi sa me shume keneta, si ne SHBA dhe KANADA.
Mire e ka autori.

Submitted by Darius (not verified) on

Ps nje kenete dhe gjithe Politika shqiptare nje HALE!!!!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.