Mbiprodhimi i 'heraldikës' së tranzicionit

Postuar në 11 Mars, 2016 22:22

Vendimi ka qenë unanim: këshilltarët e Bashkisë së Tiranës kanë miratuar vendosjen e një busti të Papa Françeskut. “Këshilli Bashkiak i Tiranës, mbledhja e të cilit ka nisur rreth orës 19:00 të mbrëmjes së sotme ka miratuar me unanimitet vendimin për vendosjen e një busti kushtuar Papa Françeskut në kryeqytet. Kreu i këshillit bashkiak, Aldrin Dalipi u bëri me dije se statuja e Papa Françeskut do të përurohet më datë 15 shtator me rastin e 2-vjetorit të vizitës së tij në vendin tonë dhe do të vendoset pranë Piramidës, në bulevardin kryesor të Tiranës”, raporton “Dita”(http://www.gazetadita.al/busti-i-papa-franceskut-do-te-vendoset-tek-pira...). Demokratët kanë kërkuar transparencë në një mbledhje ku askujt nuk ja ka mbajtur të shprehë një mendim kundër. Xhanëm ndoshta edhe nuk ka të tillë. Por asnjë nuk di të thotë se çcfarë përfaqëson vizita e një Pape saqë të memorizohet kështu. Çfarë do të thotë për një njeri që jeton në Tiranë, kuptohet po të heqim jargët e politikanëve e politikaneve me vello besimtari që u fanepsën si servilë par exellence atë ditë, se në Shqipëri, në vitin 2015 erdhi Papa Françesku? I cili mund të jetë edhe mik i Shqipërisë, dashamirës i madh i saj, por kjo s’do të thotë se vendosja e një busti në qendër, e nderon atë.

Na qeverisin prej 25 vjetësh hajdutë, për ne vendosin në parlament kriminelë që qëllojnë me armë nga t’u vijë për mbarë, dekorohen ish-byroistë, riatdhesohen kolaboracionistë, festohet Peza dhe Dita e Verës. Me një okelio sipër: Tolerancë dhe bashkëjetesë, të dyja  profilaktikë idealë nga akuzat për budallallëk të një rangu global. Ku e gjen pra veten Papa në mes tonë?

Kjo mani e shpalljes qytetar nderi ka kapur Shqipërinë cep e më cep. Nga katundi në katund ai i ngjan një procesioni të fletës së lavdërimit, mbetur protokolli i vetëm i një shteti dhe i matrapazëve me imunitet që vuajnë nga deliri i mosbegenisjes nga kërrkush në këtë botë.

Gjithçka ku reja e pluhurit dhe lëvizja e njerëzve të papunë konstituon publiken, apo mexhlisin ku frekuentohet “espresso”, i ngjan një megastrukture safi shqiptare si prej kutiçka shkrepsesh në seri, ku janë ndryrë inate, qoka, ndere, dreka e darka, dhurata, hyrje-dalje nga më të çuditshmet, mishëruar në emërtime rrugësh, e ngushticash, kthesash e monopatesh të legalizuar për t’u dukur pak urbançe. Ku individualja, madje egoistja e pajtuar me injorancën ka përcaktuar një uzurpim të neveritshëm të një mjedisi të përbashkët, prej nga ku nuk mbetet vetëm se të arratisesh, ose të vendosësh raporte autiku.

Heraldika e tranzicionit, pasurohet pra me një bust në qendër të Tiranës, për të cilin kurrkush nuk do të dijë se çfarë kuptimi ka, se çfarë mesazhi përcjell; ai do të qëndrojë aty si një dorovitje më shumë në katalogun komik të një kryeqyteti si Tirana ku kanë kaluar thuajse të gjithë: Zogu, Duçja, Hitleri, Enveri, Tito,Stalin, Mao dhe Lenini, Marksi me të vetët, Bushi dhe Klinton, Shtraus dhe Pashai i themelimit, partizani i panjo(fshëm)hur dhe është duke ardhur vërdallë Saliu. Le të jetë pra edhe një bust shtesë, sa për kronikë, se historia kërkon ADN tjetër.  Sa për Papën me siguri që edhe ai do të kënaqej me përmbushjen e kërkesës së PD-së për Transaprencë të modelit që do të vendoset. 

Comments

Submitted by Darwili (not verified) on

Mbas nja dhjete vjetesh, maksimumi, kur te jete nderruar memorja e indoktrinuar dhe e militantizuar e breznajave te popullates, historianet, qe do te ririririiiiiiiishkruajne historine, do te kerkojne te vendosin ne Tirane e Gjirokaster, bustin e Enver HOXHES, sikunder brezi yne, ka vendosur bustin e Ahmet Zogut, etj renegate te popullit e shtetit shqiptar.
Prandaj, Galeria e Arteve, ben mire qe i ruan, mbasi nuk do te vonoje dita e do te rivendosen.
Do te mendoja, qe Leninin dhe Stalinin, te hyjne ne bisedime me Rusine dhe Gjeorgjine, dhe t'ua shesin atyre, me qellim qe mos te shkojne kot, dhe gjithkush ne vendin e vet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.